2 mijë familje do të subvencionohen 70% nga shteti për vendosjen e paneleve diellore
2022-10-11 09:16:39

Për herë të parë në Shqipëri nis programi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për subvencionin me 70% të shumës për çdo familje që do të aplikojë për një njësi diellore për ngrohjen e ujit. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku bën me dije se ky subvencion vjen pasi ngrohja e ujit përben 20% të faturës për çdo abonent familjar dhe me këtë program ndihmohet ekonomizimi i energjinë.

Panelet diellore (Burimi euronews)

Panelet diellore (Burimi euronews)

Qeveria ka lançuar një projekt që thotë se do t’u vijë në ndihmë qytetarëve për të ndryshuar formën e furnizimit me energji. Projekti ka të bëjë me instalimin e paneleve diellore për 2 000 familje, të cilat do të mbështeten me financimin e 70% të kostos së blerjes dhe instalimit të paneleve diellore. Në fakt instalimi i paneleve diellore prej vitesh është bërë nga vetë qytetarët si një mënyrë për të kursyer energjinë. Zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka shpjeguar se si do të funksionojë projekti.

Belinda Balluku (Foto ministria.gov.al)

Belinda Balluku (Foto ministria.gov.al)

“Për 2000 mijë  familje u ofrohet mbështetje financiare 70% e kostos për vendosjen e paneleve diellore në tarracat e pallateve dhe ngrohjen e ujit. Do të jetë një proces që do të nisë më 1 tetor, me garën e parë që u drejtohet prodhuesve dhe instaluesve për të marrë çmimin më të mirë të tyre dhe për të bërë listën e shkurtër me entitete, të cilët do të ofrojnë këtë shërbim. Më pas më 1 nëntor Agjencia e Eficencës së Energjisë do të hapë platformë ku të gjithë qytetarët do të aplikojnë për të marrë këtë grant e ndërtuar këtë impiant të ngrohjes së ujit. Një Task-Forcë do të kontrollojë procesin. Nëse procesi është i suksesshëm më 31 mars lancon paketën e dytë edhe më shumë familje.” , tha Balluku.

Ky projekt pilot i qeverisë vjen në kohën e krizës energjetike dhe ka si qëllim kursimin e energjisë elektrike. Balluku thotë se me instalimin e paneleve diellore kursehet 20% e kostos së përgjithshme të faturës së energjisë elektrike.

Subjektet e ineteresuara kanë kohë të aplikojnë deri më 18 tetor dhe të paraqesin dokumentet sipas kritereve të përcaktuara, ndërsa fituesi do të shpallet më 30 tetor.

 Projekti pilot i qeverisë për 2 mijë familje është instalimi i paneleve diellore në pallate në mënyrë që të përdorin për ngrohje uji. Qeveria do t'i mbulojë 70% të kostos, nëse ato vendosin të blejnë panele diellore.

Kryeministri Edi Rama (kryeminsitria.al)

Kryeministri Edi Rama (kryeminsitria.al)

Kryeministri Rama u shpreh gjithashtu lidhur me situatën energjetike. Ai theksoi nevojën që të nxisim kalimin e konsumit energjetik dhe biznesi mund ta paraprijë me burim energjinë diellore.

“Çdo investim që bëhet në një vend si Shqipëria për të prodhuar konsumin e energjisë vetë nga dielli është fitimprurës dhe ul ndjeshëm kostot e energjisë për biznesin. Ne jemi krejtësisht të hapur të konsiderojmë instrumente për t’i bërë këto investime. I mirëpresim idetë nga ju dhe kushdo tjetër si mund të lehtësojmë investimin. Duke e harruar shkëmbimin e energjisë, kjo nuk mund të ndodhë. Ne nuk bëjmë dot aventua të tilla, por çdo gjë tjetër që ka të bëjë me lehtësimin, ne jemi të gatshëm ta bëjmë”  theksoi kryeministri Rama.

Panelet diellore (Burimi ministria e financave)

Panelet diellore (Burimi ministria e financave)

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi zbatimin e programit për subvencionim me 70% të shumës për çdo familje që do të aplikojë për një njësi diellore për ngrohjen e ujit.

Në kuadër të situatës së vështirë energjetike me të cilën po përballet vendi dhe Europa, dhe në përputhje me Strategjinë Kombëtarë të Energjisë dhe Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, janë parashikuar skema nxitëse për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.