Armaldo Kllogjeri: Dua të jap kontributin tim në Shqipëri
2022-10-09 10:36:52

Tenori Armaldo Kllogjeri, është një nga zërat më të mirë të skenës operistike shqiptare. Ai ka lindur në qytetin e Gramshit aty ku e nisi muzikën si një pasion, fillimisht duke interpretuar muzikë popullore dhe menjëherë më pas ai ndoqi studimet në Akademinë e Lartë të Arteve në degën e Kantos. Jeta e tij mori një tjetër rrjedhë. Pas studimeve, ai filloi të interpretonte në skena të ndryshme, ku për afërsisht dy dekada ka kontribuar në Shqipëri, por edhe jashtë vendit në skenat operistike italiane, zviceriane e shumë të tjera nëpër Europë, duke marrë me vete duartrokitjet e publikut. Pas tetë viteve ai vendosi të rikthehej në Shqipëri për të dhënë kontriburin e tij në vendin e vet. Armaldo Kllogjeri është solisti i parë i Teatrit të Operas dhe Baletit, dhe në intervistën e tij për Grupin Mediatik të Kinës, ka treguar për angazhimin e tij pranë këtij Teatri, realizimin e një kënge të re, që i përket një zhanri tjetër muzikor, ka treguar për familjen e tij, etj.

CMG: Ju interpretuat së fundi në TKOB shfaqjen “Cavalleria Rusticana”  ku kishit  rolin e Turddu, i cili nuk përfundon mirë pas një dueli me Alfion, për hir të Santuzzës. Na tregoni më tepër për këtë?

Armaldo Kllogjeri: Opera “Cavalleria Rusticana” është një opera dramatike nga Pietro Mascagni. Opera zgjat rreth një orë, dhe në atë një orë muzikë, ndodh një dramë shumë e madhe. Si gjithmonë fillon me dashuri, me ëmbëlsi, me pak zemërim, në fund mbyllet tragjikisht me vdekjen e rolit kryesor Turiddu, një rol i cili është shkruajtur për  tenor dramatik dhe për fatin tim që opera e vë në skenë këtë vepër kaq të madhe botërore, dhe unë kam dëshirë që të sfidoj veten time me këtë rol sepse çdo vepër që vihet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, unë dëshiroj që të jem në skenë, aq sa e kam mundësinë për të kënduar. Në fillim filluam provat me regjinë e Nikolin  Gurakuqit  dhe provat muzikore njëkohësisht. Dua të ndalem tek  regjia që përtej atij impenjimi dhe asaj drame, e rëndësishme për mua është që të zbërthej rolin nga ana personale e imja që më kërkon pak kohë, por edhe ky rol dramatik kërkon më tepër impenjim edhe nga ana e plastikës së fytyrës, kërkon nga veprimet, nga gjestet, nga ai bashkëpunim me Santuzzën që ka ato pjesët dramatike rreth saj. Pra është një rol jo shumë i thjeshtë, një rol i vështirë edhe sepse je gjithë kohës në tension për çka roli kërkon, por edhe të japësh më të mirën nga vetja.  

CMG: Sa kohë ju duhet për të sjellë në skenë një rol të tillë dramatik, por edhe për role të tjera, për t’i sjellë sa më mirë edhe  nga ana aktoriale?

Armaldo Kllogjeri: Kjo varet nga puna individuale, por edhe nga provat e regjisë sesa kohë na duhet ne për ta sjellë këtë rol, por edhe nga përshtypja dhe kërkesa e regjisorit.  Por unë mendoj që një muaj është mjaftueshëm sepse siç e theksova më herët puna më intensive është ajo personalja, që ti bën me rolin. Më fillim duhet ta zbërthesh, pastaj duhet te kuptosh se çfarë roli, elementesh ka ky personazh.  Veprimet apo xhestet e tij në momentet kur ai është i tensionuar, është shumë i nervozuar me Santuzzën, kur kthehet në një personazh të dhimbshëm për nënën e vet , aty ku mendon se në moment që nuk do kthehet, dhe nëna do e vuajë vdekjen e të birit të vet. Pra ka shumë komponentë, por unë nga eksperienca dhe nga ajo çfarë kam kuptuar gjatë karrierës sime është se, gjërat më janë thjeshtësuar pak, nuk janë aq të vështira si më përpara. Gjithsesi puna individuale me veten për t’a zbërthyer rolin, është puna më e madhe që mund të bëhet.

CMG: E vuani shumë emocionalisht, marrim shembull rastin e roleve dramatike, dhe nëse do hyni brenda rolit duhet ta jetosh vetë atë rol apo sapo përfundon shfaqja harrohet gjithçka?

Armaldo Kllogjeri: Ky rol është një përgjegjësi shumë e madhe për mua, duke  qenë se është pak jashtë natyrës së vokalit tim. Drama është shumë e madhe, por unë dua që të sfidoj veten time, me çdo vepër që vë në skenën e Teatrit me aq mundësi sa unë kam.



CMG: Cili është kompozitori i preferuar apo vepra juaj më e dashur?

Armaldo Kllogjeri:  Janë dy kompozitorë, të cilët nuk doja t’i ndaja. Ata kanë të dy veçantinë e tyre dhe ndjeshmërinë emocionale të bukur, për mua që janë, Xhakomo Puçini dhe Xhuzepe Verdi e që unë i dua.

CMG: Ju keni lindur në qytetin e Gramshit dhe më pas erdhët të studionit në Akademinë e Arteve në Tiranë, por si ishte jeta juaj në këtë qytet, përpara se të merreshit me muzikë profesionalisht?

Armaldo Kllogjeri: Nuk kisha ndonjë ndryshim të madh përpara se të vija në Tiranë, por ishte një jetë më çapkëne, më e lëvizshme, më shoqërore. Kam qenë i lirë, kam bërë gjithçka që kam dashur në qytetin tim. Ka qenë vendi ku kam prekur gurët për herë të parë, ku kam kënduar për herë të parë, ku kam pirë një gotë me shokët, ku kam shkelmuar topin për herë të parë, pra është një ndjesi shumë e veçantë. Me kalimin e kohës, duke ardhur në Tiranë gjërat u bënë më serioze, më të vështira, duke u impenjuar dhe duke vënë veten në punë drejt muzikës klasike, për të interpretuar në muzikën klasike, e cila ka dashur një punë të jashtëzakonshme.  Kështu që kjo pjesa e çapkënllëkut dhe e argëtimit filloi dhe u sfumuan dalëngadalë, duke hyrë në një rrugë tjetër më intensive për të ardhmen.


CMG: Ju keni kënduar më herët muzikë popullore, por si lindi dëshira për muzikën klasike?

Armaldo Klogjeri: E vërtetë që unë kam kënduar muzikë popullore në qytetin e Gramshit dhe duke qenë se muzika popullore të sjell të ardhura më të mëdha, filluam edhe ne të performonim muzikë popullore në evente familjare.  Por duke kërkuar më tepër nga vetja , menduam që të performonim  edhe jashtë qytetit tonë dhe me këtë menduam të vinim në Tiranë për të performuar live në lokale me disa djem. Dy miqtë e mi të cilët studionin në Akademinë e Arteve  u bënë shkas që të studioja artet dhe pasi më dëgjoi profesori i Kantos, Burhan Spahiu, vazhdova kurset dhe ja ku jemi sot.

CMG: Pas studimeve në Akademinë e  Arteve, ju u larguat drejt Italisë për të vazhduar karrierën artistike, duke vijuar e prekur skenat europiane për tetë vjet me rradhë. Kur u kthyet në Shqipëri përfundiminsht, a u penduat për këtë gjë?

Armaldo Kllogjeri: Kjo është një pyetje me vend. Të them të drejtën nuk jam bërë pishman që jam kthyer, pasi unë vendosa vetë që të jetoja në Shqipëri e të jepja kontributin tim këtu. Por që të vazhdosh karrierën jashtë vendit janë dy gjëra shumë të rëndësishme. E para është "fati" për të bërë një karrierë të madhe, dhe e dyta është karakteri i personit për të arritur karrierën që do, sepse ka momente që njeriu duhet të dalë nga karakteri i vet për të arritur atë që do, për të arritur qëllimin.Unë nuk kam vendosur që të jem pjesë e saj, por kam vendosur të jem thjesht Armaldo dhe të jap kontributin tim në vendin tim. Nuk më ka ngelur ndonjë peng sepse e di se çfarë do të thotë që të bësh karrierë me valixhe në dorë dhe mendoj se jeta është më e bukur me një familje, se me një karrierë aq të ekzagjeruar. Është dhe ajo shprehja që thotë: "Dhelpra kur nuk i kapi dot rrushtë, tha se janë të pabëra" , por ky është mendimi im.


CMG: Çfarë ju  sjell ndërmend Opera "Toska"?

Armaldo Kllogjeri: Emocione të bukura sepse ëndrra ime kur kam interpretuar në Teatrin e Operas dhe Baletit, ishte ëndrra e parë, ndërsa  ëndrra tjetër ishte që të prekja një skenë jashtë Shqipërie dhe ja arrita. Fillon e mbaron aty, më pas i kthehesh jetës së përditshme, e unë tashmë e konsideroj si një punë dhe jo si një ëndërr.

CMG: Sa e rëndësishme është që të ketë "fat" një artist, qoftë ky edhe profesionist?

Armaldo Kllogjeri: Është gjëja më e rëndësishme për një artist, sepse nëse nuk ke "fat" shanset janë të pakta për të bërë karrierë ndërkombëtare. Ne e dimë që tregu sot, apo mënyra si funksionon arti lirik është shumë avantgard, por përpos fatit duhet t’i përgjigjesh edhe punës dhe jashtë natyrës së zërit tënd dhe  për veprat që vihen në skenë.

CMG: Një tenori a i lejohet që të interpretojë edhe në zhanre të tjera muzikore?

Armaldo Kllogjeri: Kjo varet. Unë personalisht, duke kënduar përpara dhe muzikë popullore përpara se të merresha me muzikën klasike, i kam më të thjeshta për t’i interpretuar këngët e tjera, ndërsa një artist që ka kënduar vetëm muzikë klasike e ka më të vështirë për të interpretuar në zhanre të tjera, apo muzikën popullore. Kjo muzikë ka disa nuanca karakteristike, ka folklorin e vet, ka treva të ndryshme dhe mënyra të ndryshme të kënduari dhe kjo e bën më të vështirë te një këngëtar lirik që nuk ka kënduar muzikë popullore. Kjo mund ta bëjë të vështirë edhe për muzikën e lehtë, nëse nuk ka kënduar më përpara, sepse drejtimi që ai ka marë është i muzikës klasike.



CMG: Do na tregoni më tepër për këtë gjë, sepse ju keni marë pjesë në një aktivitet me muzikë popullore ?

Armaldo Kllogjeri: Kjo pjesëmarrje lindi rastësisht. Kur ishim në periudhën e pandemisë e duke parë spektaklin "Këngë Moj" ku interpretoheshin këngë popullore, unë në atë kohë isha pushim, dhe mendova të merrja pjesë aty meqënëse unë e këndoj muzikën popullore. Kjo ishte një shtysë e duke parë  që kjo gjë u pëlqye në rrjetet sociale dhe në youtube nga klikimet, aty mendova, përse të mos jem edhe më afër njerëzve dhe fansave që kanë dëshirë të më dëgjojnë edhe në muzikën popullore. Gjithashtu mendova që të jap edhe një mesazh për të treguar se ne kemi një muzikë popullore tradicionale shumë të bukur, që fatkeqësisht është duke u deformuar, duke dale nga rrethi i folklorit tonë. Që nga ai moment duket se e kanë pëlqyer interpretimin tim në muzikën popullore dhe kjo më jep kënaqësi. Dihet që muzika klasike në Shqipëri është pak e kufizuar, ke fansat apo spektatorë të limituar që të ndjekin, por paskemi nevojë edhe për më gjerë.

CMG: Ju keni interpretuar edhe vite më parë muzikë popullore edhe në dasmën e kolegut Aurel Thëllimi dhe kolegët ju kanë komplimentuar edhe atëherë...

Armaldo Kllogjeri:Edhe atëherë kanë qenë emocione të bukura, jemi kënaqur edhe atëherë. Sot ka ndryshuar metodologjia e dasmave, bëhet më shumë spektakël, por mendoj se çdo kohë ka momentet e bukura.

CMG: Ju keni gjithashtu edhe bashkëshorten artiste. A është e lehtë apo e vështirë kjo gjë?

Armaldo Kllogjeri: Kjo varet nga marëdhënia që ke me bashkëshorten. Unë nuk kam ndjerë ndonjë vështirësi, por biem në kundërshtim me mendimin që kemi për profesionin, debate që janë të frytshme sepse në fund merr një kritikë nga një person që të kupton, të beson dhe ka lidhur jetën. Nuk e di për të tjerët, por për mua është bukur sepse nuk jam me një valixhe në dorë, por jam afër familjes, afër vajzës e cila ka nevojë për prindërit e saj që t’i ketë afër dhe jam i lumtur për këtë.


CMG: Vajza a ka talent për art dhe ju të dy a do ja sugjeronit?

Armaldo Kllogjeri:  Unë personalisht jam shumë kërkues dhe vajza nuk ka aq shumë talent, por ka një material vokal shumë të bukur. Ajo është pak e tërhequr, nuk është si disa që shpërthejnë e nuk kanë komplekse. Nuk e kemi detyruar dhe mendojmë të dy se do jetë vajza ajo që do të zgjedhë se çfarë do dojë për të studiuar. Për ne e rëndësishme është shkolla, që ta shkollojmë, t’i krijojmë kushtet me aq mundësi sa kemi dhe të dalë në jetë e pavarur.

CMG: A ju ka mbetur ndonjë peng apo ndonjë ëndërr e parealizuar?

Armaldo Kllogjeri: Njeriu është gjithmonë i pangopur dhe do të kapë gjithmonë atë që është e pakapshme. Ëndrra ime ishte që të performoja në Teatrin e Operas dhe Baletit, që të prekja skenat jashtë, të cilat i kam realizuar. Por a do të kisha dëshirë që të prekja dhe ndonjë skenë më të madhe? Dëshira ka qenë, por prapë mendoj sot se do ishte i njëjti emocion. Ndryshimi do ishte që do përmendej fakti që kam kënduar në këtë skenë apo atë skenë, thjesht ky do ishte ndryshimi. Nuk është se kam ndonjë ëndërr dhe nuk jam njeri shumë ambicioz për të prekur atë të paprekshmen. Unë mbase mund të jem personi që kënaqet me pak, por jam natyrë që dua ta shijoj jetën me aq mundësi sa kam.

CMG: Dhe në fund shkojnë shumë mirë së bashku, puna, karriera dhe jeta familjare, kjo është gjëja kryesore në fund të ditës. Por sa i përket planeve në vazhdim, cilat janë ato?

Armaldo Kllogjeri: Plani më i afërt është realizimi i një kënge popullore sepse ma kanë kërkuar shumë. Kam shumë miq, sidomos ata që jetojnë jashtë vendit, që më kërkojnë madje edhe album muzikor dhe kuptohet që kanë shumë nevojë për muzikën tonë popullore. Përsa i përket objektivave në muzikën klasike, unë nuk do e lë e nuk do shkëputem nga muzika klasike.  Duke qenë se jam solist i parë i Teatrit te Operas dhe Baletit, projektet e para, obligimet e mia të para janë kalendari artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit, por sigurisht edhe jashtë Shqipërisë shfaqjet që do kem  dhe pse jo dhe ato t’i kem prioritet.