Turiste ne Valbone (Foto Atsh)
Parku Kombëtar Alpet që përfshin lumin e Gashit, Luginën e Valbonës, Thethin, Vermoshin dhe Bogën është ndër destinacionet më të vizituara gjatë këtij viti në Shqipëri.
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër bëri të ditur se gjatë këtij viti ka pasur një fluks të lartë vizitorësh në Alpe, ku nga 1 janari deri në 30 shtator u vizitua nga 213.344 turistë. Numrin më të lartë e zënë të huajt, citon “ATSH”.
Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruar natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë, madje edhe në botë.
Alpet shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8% të tij. Alpet kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit janë të pakta dhe në gjendje jo të mirë. (Irma)