Pavarësisht nxehtësisë dhe thatësirave të papara që prekën këtë verë shumë krahina në jug të vendit, korrjet e kësaj vjeshte në Kinë sërish patën rritje të ndjeshme në disa zona kryesore të prodhimit të drithërave, sipas rezultateve të siguruara nga rendimentet e 672 milionë mu (44.8 milionë hektarë) tokë, ose më shumë se gjysma e tokës së punueshme të Kinës.
Korrje në Jixi, 22 shtator 2022, provincë Heilongjiang(Foto:VCG)
Ekspertët vunë në dukje se megjithëse disa krahina të vendit ishin prekur nga moti ekstrem, Kina pritet të sigurojë sërish një korrje të bollshme këtë vit falë aplikimit të teknologjive të përparuara bujqësore dhe zbatimit të politikave të favorshme stimuluese. Ata theksuan se prodhimi i qëndrueshëm i drithërave është një kontribut i madh që Kina mund t’i japë botës në një kohë kur tregu global i ushqimit gjendet në paqëndrueshmëri.
Të dhënat statistikore nga ministria e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale e Kinës treguan se të korrat e vjeshtës të vendit janë realizuar me një shpejtësi sa 35 milionë mu në ditë, duke mbaruar 51.5 pĕr qind tĕ totalit të tokës së mbjellë, 3 pikë përqindje më shumë se në të njëjtën periudhë tĕ vitit të kaluar.
Qendrat kryesore të prodhimit të drithërave tashmë kanë hyrë në sezonin e vjeljes. "Këtë vit krahinat Verilindore, zonat përgjatë rrjedhës së Lumit të Verdhë-lumit Huaihe-lumi Haihe dhe në veriperëndim të Kinës kanë pasur korrje të kënaqshme. Rendimentet e misrit, orizit, sojës janë rritur përkatësisht në shkallë të ndryshme me pritshmërinë e një korrjeje të bollshme", bëri të ditur Zhu Juan, një eksperte nga ministria e Bujqësisë. Gjithashtu, 6.9 pĕr qind e grurit dimëror dhe 17 për qind e bimëve vajprodhuese janë mbjellë në përmasën shtetërore.
Megjithatë prodhimi i drithërave këtë vit ka qenë veçanërisht i vështirë për bujqit në mbarë vendin për arsye të ndryshme: nga përmbytjet e rralla në vjeshtën e vitit të kaluar, duke detyruar mbjelljen e vonuar në shkallë të gjerë të grurit dimëror, deri në verën më të nxehtë në më shumë se 60 vitet e fundit, të cilat shkaktuan rënie dramatike reshjesh përgjatë lumit Jance.
Fshati Youhao, provincë Jiangsu(Foto:VCG)
Për të përballuar sfida të tilla, ministria e Burimeve Ujore e Kinës ndërmori një operacion të posaçëm për furnizimin me ujë në zonat e prekura për të luftuar kundër thatësirës, duke transferuar ujin nga rezervuarët e rrjedhës së sipërme në zonat në rrjedhat e mesme dhe të poshtme të lumit, duke siguruar kështu nevojat vendore për ujitje. Ndërkohë qeveria qendrore dhe ato lokale u kanë dhënë bujqve financim mbështetës për të siguruar vaditje të mjaftueshme. Pavarësisht masave të tilla të jashtëzakonshme, rendimentet në disa zona të prekura rëndë do të kenë ulje për shkak të motit.
“Por lajmi i mirë është se rritja e korrjeve në zonat kryesore të prodhimit që janë të paprekura nga fatkeqësitë natyrore mund ta çojë përsëri totalin e prodhimit shtetëror në një nivel të duhur”, - tha Li Guoxiang, studiues në Institutin e Zhvillimit Rural pranë Akademisë Kineze të Shkencave Sociale.
Sipas tij, siguria ushqimore është ndër interesat më themelore të Kinës dhe qeveria i ka kushtuar vëmendje të madhe dhe ka marrë masa paraprake, duke pasur parasysh rreziqet e mundshme, sidomos motin ekstrem. Për të garantuar sigurinë ushqimore, Kina ka shtuar më shumë forca në ngritjen e cilësisë së arave dhe ndërtimin e infrastrukturave hidraulike, gjë që ka luajtur një rol kyç në pakësimin e efekteve negative të fatkeqësive natyrore. Sivjet, për të mbrojtur prodhimin e drithërave para situatës së paqëndrueshme, janë marrë njëkohësisht një sërë politikash, duke përfshirë dhënien e subvencioneve bujqve për të stabilizuar të ardhurat e tyre dhe për t’i nxitur të mbjellin më shumë drithëra.
Fshati Yangfengshan, provincë Zhejiang(Foto:VCG)
Në sajë të përpjekjeve të forta, prodhimi i drithërave verore u rrit me 1.435 miliardë kilogram, i orizit 105 milionë kilogram, ndërsa zonat e drithërave të vjeshtës po shohin të korra më të larta se sa vitin e kaluar. Kështu mësohet në të dhënat statistikore të publikuara nga ministria e Bujqësisë.
Sipas njoftimeve mediatike, në 10 vitet e fundit, prodhimi i përgjithshëm kombëtar i drithërave i Kinës u rrit nga 622 miliardë kilogram në 2012, në 682 miliardë në 2021-in, duke arritur 483 kilogramë për frymë, një shifër që është mbi nivelin ndërkombëtar të sigurimit të drithit prej 400 kilogramësh.
Një raporti i publikuar nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së, tregoi se numri i njerëzve që vuajnë nga uria u rrit në 828 milionë në vitin 2021 dhe bota po largohet gjithnjë e më shumë nga qëllimi i "eliminimit të të gjitha formave të urisë, të pasigurimit ushqimor dhe të kequshqyerjes para fundit të vitit 2030”. Ndërkohë, furnizimi global me ushqim është ndikuar rëndë këtë vit nga një sërë faktorësh, si pandemia COVID-19, moti ekstrem dhe konflikti Rusi-Ukrainë.
Çmimet e tanishme të ushqimit janë me luhatje të mëdha në mbarë botën. Por në këto rrethana, Kina ka arritur të mbajë prodhim dhe çmim të qëndrueshëm të drithërave në gjithë vendin sepse qeveria siguron që furnizimi me drithëra është plotësisht i garantuar.
“Kontributi më i madh që Kina ka dhënë për komunitetin ndërkombëtar në furnizimin ushqimor është se si një importuese kryesore e drithërave me një popullsi kaq të madhe, kemi ulur importet, gjë që ka ndihmuar ndjeshëm në stabilizimin e çmimeve të drithërave në mbarë botën”, vuri në dukje z. Li.