Berlin, zhvillohen protesta ndaj çmimeve të larta
2022-10-09 12:38:55


Pas shpërthimit të konfliktit ruso-ukrainas, BE-ja ka vendosur sanksione të shumta dhe të njëpasnjëshme ndaj Rusisë. Por ato kanë shkaktuar mungesë të furnizimit me energji në Europë, ndërsa çmimet e energjisë po rriten pandërprerë, duke shkaktuar një inflacion të rëndë. Më 8 tetor, qytetarët në Gjermani, Itali dhe Çeki kanë protestuar kundër rritjes së çmimeve të mallrave dhe reagimit të pafuqishëm të qeverive.

Më 8 tetor, mbi 10 mijë persona janë mbledhur në qendrën e qytetit të Berlinit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave të qeverisë aktuale dhe duke protestuar kundër rritjes së madhe të çmimeve, inflacionit të lartë dhe mosgarantimin e sigurisë energjetike.

Në Berlin u zhvilluan tre protesta të tilla, por ajo në sheshin para Parlamentit gjerman ishte me përmasa më të mëdha. Protesta u organizua nga partia gjermane AfD, slogani i së cilës ishte “Siguria energjetike dhe parandalimi i inflacionit - vendi ynë në radhë të parë”. Kryetarja e grupit të AfD-së në Parlamentin e shtetit të Berlinit, Dr. Kristin Brinker u shpreh para mediave se ndonëse numri i regjistruar për këtë protestë ishte vetëm 4 mijë, marshimit iu bashkuan më shumë se 10 mijë persona .

“Përse e organizojmë këtë aktivitet? Sepse mendojmë që shumë politika aktuale në Gjermani nuk janë efektive, as të mira, madje shumë të këqija. Kështu që njerëzit kanë nevojë të dalin në rrugë. Siguria energjetike e Gjermanisë nuk ka garanci dhe njerëzit nuk dinë si të ruajnë jetesën e tyre, ndërmarrjet kanë falimentuar për shkak se nuk përballojnë dot kostot e larta energjetike. Të gjitha këto kanë ndikime gjigante mbi vendin tonë. Prandaj jemi këtu, me sloganin ‘Vendi ynë në radhë të parë’. Duhet të marrin parasysh çështjet tona, të kujdesemi për popullin tonë dhe pastaj për të tjerët,” - tha Kristin Brinker.

Policia e Berlinit organizoi 1.900 policë për ruajtjen e rendit dhe aktiviteti u zhvillua në një atmosferë relativisht të qetë. Protestuesit mbanin në duar  flamurin kombëtar të Gjermanisë, flamurë të shteteve federale dhe parulla me fjalët “Ne jemi populli”, “T’i japim fund çmendurisë politike” dhe “Ulni taksat”, për të shprehur kundërshtimet e tyre ndaj rritjes së shpejtë të çmimit të gazit natyror dhe mungesës së masave efektive në përballimin e rritjes së kostos së jetesës së qytetarëve.

Një protestues tha: “Nga letra higjienike deri te pajisjet e mëdha elektroshtëpiake, të gjitha mallrat janë tepër të shtrenjta. Kur të marrim faturat e ngrohjes, zakonisht pranverën e vitit tjetër, shumë njerëz nuk do jenë në gjendje t’i paguajnë. Si t’ia bëjmë? Nuk e di me cilat fjalë të përshkruaj këtë gjendje të trazuar. Është thjeshtë të kuptohet se të gjithë janë në ankth për të ardhmen. Ministri i Ekonomisë Habeck thotë se nëse kemi fatmirësisht një dimër të ngrohtë, Gjermania do ta kalonte këtë fazë të vështirë, por fakti është ndryshe fare!”

“Dua të shpreh pakënaqësinë time të thellë. Shikoni si reagon qeveria federale ndaj qytetarëve. Të gjitha masat janë plotësisht kaotike. Paralajmërimet për dimër të ftohtë do të shkaktojnë vetëm panik dhe kjo nuk është e drejtë. 30 vite më parë, kisha dalë jashtë në rrugë për fëmijët, ndërsa tani, po dal sërish në rrugë për nipërit dhe mbesat.” - thotë një protestuese.