Muharrem Ramaj (Foto personale
Muharrem Ramaj ka rreth 50 vjet që luan në instrumentin e fyellit, një instrument i tradicional folklorik i zonës së jugut, por dhe veriut të Shqipërisë. Ai ka realizuar shumë melodi të bukura me fyell, duke marrë vlerësime nga publiku shqiptar por dhe ai i huaj gjatë koncerteve të ndryshme jashtë vendit. Ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e muzikës folklorike në vend me grupe të ndryshme, duke përcjellë për artdashësin melodi të bukura me fyell, cula dyjare dhe bilbil. Gjithashtu kënga popullore tradicionale dhe ajo e muzikës së lehtë janë një tjetër pasion i tij në jetën artistike. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për rrugëtimin e tij muzikor si instrumentist në koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Muharrem Ramaj me grupin e tij (Foto personale)
CMG: Kur keni filluar të luani në instrumentin e fyellit?
Muharrem Ramaj: Unë kam filluar të luaj në fyell që në mosëhn 10-12 vjeç sepse e kemi pasur traditë, i ka rënë daja, xhaxhai, vëllai dhe unë pas tyre. Në shkollën 8-vjeçare konkuroja me instrumentin e fyellit dhe pasi mbarova shkollën nuk u shkëputa nga ky instrument, vazhdoja të këndoja këngë të ndryshme polifonike, por dhe këngë të muzikës së lehtë se i kam pasur qejf që kur isha i vogël. Kam kënduar këngë pothuajse të të gjitha krahinave të Shqipërisë, por kryesisht ka qenë muzika e lehtë dhe ajo popullore, si këngë folklorike mallakastriote, por dhe të krahinave të tjera. Kështu që jeta ime prej 50 vjetësh nuk është shkëputur kurrë nga folklori.
CMG: Duke ditur që e keni pasur traditë në familje fyellin, prandaj dhe ju zgjodhët këtë instrument?
Muharrem Ramaj: Po siç e thashë i kanë rënë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes fyellit, unë i bie dhe curles dyjare, i bie dhe bilbilit. Gjithashtu kam luajtur në fizarmonikë, por kam 30 vjet që jam shkëputur, që kur hyri demokracia dhe ndryshoi sistemi jam shkëputur nga fizarmonika. Unë kam marrë pjesë me disa grupe ku kemi shkuar në festivale, shumë herë kemi marrë pjesë në Gjirokastër, që në vitin 1983 dhe pothuajse në të gjitha festivalet kam marrë pjesë me grupin e Mallakastrës, por dhe me grupin e Myzeqesë sepse kam kam 47 vjet që jam në Myzeqe dhe kam kaluar një jetë të tërë këtu. Unë prapë vazhdoj me grupin “Gjergj Arianiti” të Mallakastrës, që drejtohet nga Guri Rrokaj.
CMG: Cilat janë meloditë me fyell që ju keni sjellë për artdashësit?
Muharrem Ramaj: Unë kam bërë shumë lloje melodish me fyell dhe të gjitha janë të krijuara nga unë, nuk kam marrë nga dikush tjetër që të kem kopjuar. Kam realizuar kaba baritore, e cila ka një veçori nga kabatë e tjera që i bien fylltarët e tjerë, ka tingull ndryshe dhe është ëmbëlsira e fyellit që po ta dëgjosh ka shumë elementë brenda që të kënaqin veshin. Gjithashtu kam krijuar me fyell melodi vajtimi “Loti i nënës” dhe kur e dëgjon këtë melodi nga vetë fjala loti i nënës dalin frazat që jep fyelli, tingujt që nxjerr sikur i numëron fjalët vërtetë, sikur qan një nënë dikë të afërm, pra ajo sikur i shkëput fjalët që dalin nga zemra e nënës. Një melodi tjetër titullohet “Pikëllime kurbeti” e cila është një melodi që më erdhi mua në mendje në kohën kur shkonim jashtë shtetit në Greqi, dhe kalonim të gjithë ato lumenjtë me trastat në krahë. dhe mu kujtua sikur isha në një majë bregu dhe i shikoja ato refugjatët që iknin dhe unë i bija fyellit duke i numëruar të gjitha ato dhimbjet dhe vuajtjet. Një tjetër melodi është “Kur zbresin delet nga mali” e cila është shumë e bukur dhe e kanë pëlqyer të gjithë, duke bërë dhe komente të ndryshme. Kjo melodi ka një veçori nga zona e labërisë sepse është e ëmbël. Meloditë më të bukura dalin ato që krijohen në moment. Unë kam publikuar shumë melodi me fyell, por që këto janë më të mirat.
Muharrem Ramaj me grupin gjate nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: Fyelli është si instrument i krahinës së jugut, por dhe i veriut. Nga ndryshojnë në formë dhe melodi nga njëra tjetra?
Muharrem Ramaj: Ndryshojnë sepse zona e veriut i ka fyejt të shkurtër me 6 vrima dhe ne ju themi cula atyre, por jo cula dyjare sepse ndryshon. Cula dyjare është dopjo, kurse fyelli i veriut është i shkurtër. Zona e veriut ka dhe fyej të tjerë, por këto më tepër i përdorin shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dhe i thojnë kavalle atyre, nuk kanë vrimë mbrapa por që kanë vetëm 7 vrima dhe e kanë tingullin si fyejt e zonës së Gramshit. Ndërsa fyelli i labërisë kryesisht janë fyje tunxh ose bronx sepse fyejt e drurit i ka përdorur më tepër zona e Gramshit, Beratit dhe Skraparit. Edhe unë kam fyell druri që i bie me dhëmbë por dhe me buzë, kurse zona e labërisë ka tjetër tingull, zona e Mallakastrës me të Skraparit ndryshojnë tingujt e fyejve. Kjo është diçka e veçantë që ndryshojnë krahina nga krahina.
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet ku ju keni marrë pjesë si instrumentist me fyell?
Muharrem Ramaj: Unë kam marrë pjesë në të gjitha aktivitetet që janë bërë në Shqipëri, kam shkuar në festa të ndryshme. Unë kam marrë pjesë me fyell, cul dyjare, bilbila duke bërë pjesë të ndryshme melodije. Jam marrës, kthyes dhe hedhës i këngëve me grupin “Gjergj Arianiti” me udhëheqës Guri Rrokaj, ku dhe aty jam kthyes i grupit.
CMG: Fëmijët e kanë trashëguar nga ju këtë instrument?
Muharrem Ramaj: Këtu qëndron e keqja sepse këta të rinjtë sot nuk i pëlqejnë ato gjërat e vjetra që kemi neve, dhe mua më vjen keq për këtë gjë se e shikoj që nuk do tja le dikujt trashëgimi nga njerëzit e mi fyellin si instrument. Fëmijët e mi nuk e kanë qejf, po ashtu dhe nipërit dhe mbesat nuk e kanë qejf, dhe fyelli si instrument po shkon drejt zhdukjes. Unë kisha një mendim që sikur 20 minuta të jepej në një shkollë mësim për këtë lloj instrumenti, që ta mësonin dhe mos të humbiste si traditë sepse fyelli mbrohet nga UNESCO dhe si instrument është i Shqipërisë, dhe duhet të mbrohet që mos ta marrë dikush tjetër siç pretendojnë për çiftelinë apo lahutën që i kanë marrë të tjerët që nuk i takon. Megjithatë nuk ma merr mendja që kjo të realizohet në shkollat tona sepse faktikisht arti nuk po përkrahet. Më vjen keq që e them por është lënë pak pas dore.
Muharrem Ramaj.(Foto personale)
CMG: Sa kohë i kushtoni në ditë instrumentit të fyellit?
Muharrem Ramaj: Unë nuk ka ditë që mos ti bie fyellit sepse më është bërë mikrob dhe i mbaj fyejt në shtëpi, kam 5-6 lloje fyejsh të ndryshme. Gjithashtu kam bërë dhe fyell me bilbil, pra i kam vënë një bilbil dhe nxjerr tingullin e fyellit, një melodi shumë e ëmbël.
CMG: Ju përveçse një instrumentist, por dhe keni interpretuar këngë popullore dhe të muzukës së lehtë.
Muharrem Ramaj: Unë këndoj pothuajse të gjitha zhanret muzikore, por kryesisht këngët e Mallakastrës dhe të labërisë. Gjithashtu kam interpretuar dhe këngë të mzukës së lehtë, ku të gjithë më kanë duartrokitur. Një këngë të muzikës së lehtë e kam publikuar në kanalin YouTube ngaqë e kisha pasion. Këndoj dhe këngët përmetare dhe myzeqare, por dhe të Shqipërsië së mesme.
CMG: Besoj se fyelli mbetet pasioni më i madh në rrugëtimin tuaj muzikor?
Muharem Ramaj: Patjetër që instrumenti është pasioni më i madh që kam. Kemi qenë në shumë aktivitete jashtë vendit me grupin e Dushnikut të Beratit, kemi shkuar në Poloni ku u zhvillua festivali botëror i turizmit malor ku morën pjesë 80 shtete. Atje jemi nderuar me tre çmime të para, kënga labe mori çmim të parë, por dhe fyelli mori çmimin e parë si dhe na u dha dhe një çmim i tretë. Gjithashtu kam qenë në Rumani po me grupin e Dushnikut, kurse në Greqi kam qenë me grupin tonë “Gjergj Arianiti”.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Muharrem Ramaj: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit kudo që ndodhen, të gëzojnë jetën e tyre me gjithë familjen. Ndjej një kënaqësi dhe nderim tek vetja ime që më ftove në emision.
Intervistoi: Gazmend Agaj