Xhaçka: Po punojmë fort për mbrojtjen kibernetike
2022-10-08 11:08:57

Foto: RTSH

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se në bashkëpunim me aleatët ka nisur tashmë puna për projekte konkrete, që do ta çojnë mbrojtjen kibernetike në një nivel komplet tjetër.

Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja Xhaçka vlerësoi reagimet solidare dhe mbështetëse që kanë ardhur nga aleatët, citon “RTSH”.

“Ne nuk kemi pasur dëme nga sulmet kibernetike të disa javëve më parë. Sulme të tilla ndodhin edhe në vende të tilla dhe nuk është gjithnjë e mundur të parandalohen, se e tillë është natyra e hapësirës kibernetike”,- tha ministrja.

Sipas ministres Xhaçka, hakerët do të tentojnë të gjejnë dobësinë e sistemeve, ndaj detyra e vendeve, edhe e Shqipërisë, është të investojnë për mbrojtjen kibenetike.

“Rezultati dhe fati i sistemeve tona do të ishte në kolaps nëse nuk do të kishim investuar edhe aq sa kemi investuar për mbrojtjen kibernetike. Synohej grabitja e të dhënave shtetërore, por sistemet tona rezistuan dhe sot janë tërësisht funksionale. Mbrojtja jonë kibernetike rezultoi që ishte aq efikase sa ishte, pavarësisht sulmit masiv”,- tha ministrja.

Duke nënvizuar nevojën për të bërë shumë më tepër në këtë drejtim, ministrja Xhaçka tha se po punohet me NATO-n dhe BE-në për ta ngritur mbrojtjen kibernetike akoma më të fortë për të gjitha sistemet e vendit dhe për të forcuar kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore. (Irma)