Rikthehen konkurset për mjekësinë e përgjithshme
2022-10-08 10:47:59

Foto: RTSH

Të gjithë ata maturantë të cilët vitin e ardhshëm akademik do të përzgjedhin të vijojnë studimet e larta për Mjekësi të Përgjithshme, përveç mesatares, do të kenë detyrimin të japin edhe një provim për t'u pranuar në këtë universitet.

Njoftimi u bë nga ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, në një takim me maturantë, ku shpjegoi se provimi do të zhvillohet në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, i automatizuar, ashtu siç bëhet dhe provimi i portalit apo i licencave, raporton “RTSH”.

Fondi i pyetjeve që do të përfshihen në testim do të publikohet përpara, në mënyrë që maturantët të njihen me tipologjinë e tyre.

Në provim është parashikuar të testohen në të njëjtën kohë 100 aplikantë të cilët kanë të njëjtin test. 

Provimi do të jetë i ndarë në tre nivele dhe do të ketë 50 pyetje me 100 pikë. 
Vlerësimi do të merret në kohë reale, sapo provimi do të përfundojë. 

Në këtë mënyrë të gjithë maturantët do të kuptojnë se në cilin pozicion të rankimit janë. (Irma)