Me afrimin e Botërorit të Futbollit, që do të zhvillohet në nëntor-dhjetor në Katar, është rritur dhe kërkesa për mallra të lidhura me temën. Kompanitë kineze po nxitojnë të mbushin kontejnerët e tyre të transportit me mallra që variojnë nga topat e futbollit dhe lodrat deri te kaskat e realitetit virtual. Kupa e Botës ka nxitur rritjen e ekonomisë globale sportive, duke krijuar mundësi biznesi për kompanitë e orientuara nga eksporti.
Kupa e Botës, Katar(Foto:VCG)
Me afrimin e Kupës së Botës FIFA 2022, që do të zhvillohet në Katar në nëntor dhe dhjetor, kompanitë kineze po nxitojnë të mbushin kontejnerët e tyre të transportit me mallra që variojnë nga topat e futbollit dhe lodrat deri te kaskat e realitetit virtual.
Kampionati Botëror i Futbollit, i mbajtur çdo katër vjet, ka nxitur rritjen e ekonomisë globale sportive duke krijuar mundësi biznesi për kompanitë e orientuara nga eksporti. Porositë për produktet që lidhen me eventin madhështor, i planifikuar të zhvilluar nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor, kanë hyrë që nga prilli në Yiwu në provincën Zhejiang qendra më e madhe në botë e shpërndarjes së mallrave të vogla, bënë të ditur eksportuesit vendas.
Shoqata e mallrave sportive Yiwu vlerësoi se qyteti përbën rreth 70 për qind të tregut të mallrave të vogla të Kupës së Botës këtë vit, duke ofruar artikuj nga bilbilat deri te jastëkët me temë.
“Ne jemi në fazën përfundimtare të eksportimit të topave të futbollit të lidhur me Kupën e Botës. Të gjitha mallrat do të dërgohen në Katar deri në fund të këtij muaji”,- tha Wu Xiaoming, kryetar i bordit të “Yiwu Aokai Sports Goods Co”, një prodhues i autorizuar futbolli për Kupën e Botës që ka një kapacitet prodhues prej 800 topa futbolli në ditë. Ai tha se tremujori i tretë është zakonisht një periudhë e qetë në qytet për eksportet e mallrave të vogla, por Kupa e
Kupa e Botës, Katar(Foto:VCG)
Botës e ktheu atë në një sezon të ngarkuar këtë vit. Eksportet e topave të futbollit të kompanisë patën një rritje me 70 për qind në bazë vjetore midis korrikut dhe shtatorit.
Chen Xianchun, një menaxhere shitjesh në “Yiwu Jinzun Stationery Co”, kompani që prodhon trofe sportivë, medalje dhe mbajtës çelësash, tha se porositë e kompanisë së saj jashtë shtetit, kryesisht nga klientët në Holandë, Gjermani dhe Republikën e Koresë, u rritën gati 50 për qind në bazë vjetore në tremujorin e tretë të vitit.
“Edhe pse pandemia Covid-19 preku bizneset e shitjes me pakicë dhe fabrikën në Yiwu në fillim të gushtit për një kohë të shkurtër, kjo i ka shtyrë eksportuesit në Tregun Ndërkombëtar të Tregtisë Yiwu të zgjerojnë përqindjen e tyre të shitjeve në internet”,- tha Chen, e cila shtoi se kompania e saj ka përfunduar të gjitha porositë në lidhje me Botërorin e futbollit.
“Shumë klientë na kanë kontaktuar në internet. Materialet dhe stilet e produkteve mund t'u tregohen atyre përmes transmetimit të drejtpërdrejtë. Ngarkesa jonë e punës është rritur, po ashtu edhe shitjet, dhe kërkesa jashtë shtetit mbetet e fortë”,- tha ajo.
Falë kërkesës në rritje të nxitur nga Kupa e Botës, kompanitë në Yiwu eksportuan 3.82 miliardë juanë (537 milionë dollarë) mallra sportive dhe 9.66 miliardë juanë lodra në tetë muajt e parë të vitit, sipas të dhënave nga Zyra Doganore në Yiwu, një degë e Doganës së Hangzhou.
Blerësit e huaj që janë duke bërë pazar në Yiwu,2018(Foto:VCG)
Kupa e Botës, Katar(Foto:VCG)
Ndërkohë, eksportet e qytetit në Spanjë u rritën me 95.8 për qind në bazë vjetore, në Argjentinë me 67.2 për qind dhe në Brazil me 56.7 për qind, sipas statistikave të doganave. Kombëtaret e këtyre vendeve do të jenë pjesëmarrëse në Katar 2022.
I etur për të dërguar shalle, bori, ngjitëse dhe produkte të tjera sportive në Katar sa më shpejt të jetë e mundur, qyteti hapi linjën e transportit të Kupës së Botës në mesin e shtatorit. Produktet e saj, që nisen nga portet Ningbo-Zhoushan dhe Shangai, mund të dërgohen direkt në Portin Hamad në Katar brenda 20 deri në 25 ditë.
Përveç eksporteve të produkteve me vlerë të ulët të shtuar, kërkesa globale për kaska të realitetit virtual të prodhuara në Kinë, televizorë me definicion të lartë, projektorë dhe kinema shtëpiake, si dhe produkte të tjera të personalizuara të nivelit të lartë, të udhëhequr nga kërkesa për Kupën e Botës, janë rritur dukshëm, tha Zhang Yongjun, një studiues në Qendrën e Kinës për Shkëmbimet Ekonomike Ndërkombëtare me qendër në Pekin.
Për shembull, eksportet e Kinës të televizorëve me ekran me kristal të lëngshëm u rritën me 16.8 për qind nga viti në vit në 61.13 milionë njësi në tetë muajt e parë të vitit, treguan të dhënat nga Administrata e Përgjithshme e Doganave në Kinë.