Guvernatori Sejko: Ekonomia po rritet, por inflacioni vijon të jetë i lartë
2022-10-07 14:13:19

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se ndërsa ekonomia vijon rritjen, sërish inflacioni mbetet i lartë.

Guvernatori i BSH-se Gent Sejko (Foto:RTSh)

Guvernatori i BSH-se Gent Sejko (Foto:RTSh)

Sipas tij, kriza energjetike dhe periudha pas pandemisë kanë ndikuar në ecurinë e vendit, si dhe në inflacionin e lartë.

Sejko nënvizoi se inflacioni u rrit në periudhën korrik e gusht në nivelin 7.5%-8%, si dhe do të vazhdojë të jetë i lartë për të paktën edhe 2 tremujorët e ardhshëm, raporton “RTSH”.

“Inflacioni u rrit në muajt korrik e gusht 2022, duke shënuar vlerat respektive prej 7.5%. Ekonomia shqiptare vijoi rritjen në 6 muajt e parë, por ritmi i rritjes u ngadalësua në 3-mujorin e dytë. Inflacioni do të mbetet i lartë në dy 3-mujorët në vazhdim, por në fillim të 2023 do të fillojë ulja”,- deklaroi guvernatori Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.25%; të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 1.25%; të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 3.25. Në gjykimin e Këshillit, sipas guvernatorit Sejko, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale.

Sipas Këshillit Mbikëqyrës, cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në tremujorët në vazhdim. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.

Këshilli Mbikëqyrës bëri të ditur se do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në kohë implikimet për ecurinë e inflacionit dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për administrimin efektiv të saj. (Irma)