Institucionet shtetërore shqiptare duhet të kursejnë 15% të energjisë krahasuar me një vit më parë në të kundërt do të gjobiten me 50 mijë lekë. Ky vendim i qeverisë vjen si masë në kuadër të kursimit të energjisë elektrike për shkak të krizës që ka prekur botën.
Foto:VCG
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku bëri të qartë se ky target nga institucionet shtetërore duhet të arrihet për 2 muaj, në të kundërt do të gjobiten, bën të ditur “RTSH”.
“Në mbledhjen e qeverisë u bënë disa ndryshime për aktin normativ për marrjen e masave për kohëzgjatjen e emergjencës për furnizimin me energjinë elektrike. Ne duhet të bëhemi shembulli i parë se si duhet kursyer energjia. Përmes këtij projektakti kemi vendosur një kërkesë për të gjitha institucionet shtetërore që duhet të kursejnë 15% të energjisë së konsumuar me faturën e një viti më parë. Kjo është ekuivalente në para e barasvlershme me 3.4 miliardë lekë. Do të emërojmë administrator energjetik nga titullari i institucionit dhe do të ketë target uljen e konsumit të energjisë për ndërmarrjen që përfaqëson”,- deklaroi në një dalje para medieve ministrja Balluku.
Sipas saj, parashikohen edhe masat nëse për 2 muaj nuk arrihet targeti nga institucioni, që shkon deri në 50 mijë lekë gjobë për drejtuesin e institucionit, administratorin apo përgjegjësin e emëruar.
Për shkak të krizës së energjisë qeveria ka bërë thirrje të shpeshta për qytetarët që të kursejnë, ndërsa ka vendosur një fashë deri në 800 kwh për të mbrojtur konsumatorin dhe nëse harxhohet mbi fashën qytetarët duhet të paguajnë vetë çdo kilovat me çmimin e tregut. (Irma)