“Bankers” financon një tjetër investim publik në Shqipëri
2022-10-07 14:29:28

Foto:businessmag.al|

Foto:businessmag.al

Kompania kineze e naftës “Bankers Petroleum Albania”, si pjesë e programit të saj të dedikuar për investimet komunitare, po ndërton një rrugë të re që lidh dy fshatra në Zharrëz, në Bashkinë Patos. Rruga e re do të lehtësojë jetën e përditshme të më shumë se 1000 familjeve që jetojnë në këtë zonë, bën të ditur “TvKlan”.

Drejtori i përgjithshëm i “Bankers”, Huanqin Xiao, deklaroi se rikonstruksioni i kësaj rruge ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve por edhe e Bashkisë Patos dhe për këtë arsye u vendos të financohen 100 mijë dollarë për këtë projekt të rëndësishëm.

“Ndër vite “Bankers” ka treguar se ne jemi këtu jo vetëm për operacionet hidrokarbure, por së pari për njerëzit e kësaj zone dhe të Shqipërisë në përgjithësi. Shumë nga rrugët, shkollat, klinikat shëndetësore këtu në Patos janë financuar nga ne dhe jemi shumë krenarë që kemi përmirësuar jetën e këtyre njerëzve”,- tha Huanqin.

Ky projekt është një investim i përbashkët ndërmjet “Bankers” dhe Bashkisë Patos, kostoja totale e të cilit llogaritet rreth 300 mijë dollarë.

“Bankers Petroleum Albania” ka investuar më shumë se 7.5 milionë dollarë në projekte në komunitet ndër vite, duke u fokusuar në infrastrukturë, shkolla dhe kopshte, klinika shëndetësore dhe gjithashtu në mbjellje pemësh. (Irma)