"Hapat e dashurisë", një shfaqje ndryshe
2022-10-07 11:44:41

Shfaqja "Hapat e dashurisë" është një projekt social-kulturor, i cili erdhi tek publiku shqiptar nëpërmjet shfaqjes teatrale nga disa të rinj shumë të veçantë. Qëllimi i kësaj shfaqje është trajtimi i disa temave mjaft delikate të shoqërisë, si dhe përfshirja në shfaqje e të rinjve me aftësi  të kufizuara si (sindroma down, autizmi, etj.) në mënyrë që edhe këta persona të ndjehen pjesë e shoqërisë. Në këtë project, ku protagonistë janë  vetë të rinjtë me aftësi të kufizuara, erdhi kjo shfaqje me një kombinim zhanresh artistikë të përmbledhura në rreth 60 minuta, e sjellë në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.

rrëfen për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) rreth kësaj eksperience kaq të veçantë

Florian Papa, ka ndjekur studimet në Akademinë e Baletit të Tiranës dhe në Shkollën Shtetërore të Artit Orkestral në Athinë. Ndoqi seminaret e Baletit në Operan e Hamburgut nën drejtimin e John Neumaier. Ai ka qenë anëtar i Akademisë së  Baletit të Operas Kombëtare të Greqisë, ku ka marrë pjesë në të gjitha produksionet e saj, ndërsa kërcente në grupet e baletit modern. Në vitin 1999 Florian Papa u bë anëtar i përhershëm Operas Kombëtare në Greqi. Gjatë karrierës së tij si balerin ai ka interpretuar si solist në baletet "Arrëthyesi", "Romeo dhe Zhuljeta" , "Don Kishoti", "Zorbas", si dhe në Operat "Traviata", "Aida", "Karmen", "Otello", "Faust", etj. Në vitin 2013 iu dha titulli  balerin "Korife" i Operas Kombëtare. Ai ka kryer koreografinë në grupet e baletit modern dhe është përkujdesur për koreografinë dhe kinesiologjinë në teatrin e lirë, në bashkëpunim me shumë regjisorë grekë  dhe të huaj.  Ka kryer koreografinë për  Operan dhe Baletin e Operas Kombëtare, si dhe ka bashkëpunuar si asistent regjisor  dhe si koreograf në  produksione të skenës alternative  dhe qendrore të Fondacionit “Stavros Niarchos” dhe Festivalit të Athinës në Odeonin Herodit Attiki.

Florian Papa (Foto personale)

Florian Papa (Foto personale)

CMG: Në muajin shtator ju realizuat një shfaqje ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim, e cila erdhi nën titullin "Hapat e dashurisë". Si lindi ideja për këtë?

Florian Papa:  Koha e provave që ne realizuam për shfaqjen ishte rreth një muaj, nga 15 gushti deri më 15 shtator. Ne bënim prova përditë, ku si fillim nisëm të njiheshim me njëri-tjetrin dhe më pas vijuam  me krijimtarinë. Nga ana njerëzore dhe nga ana artistike, duke ecur dorë për dore e duke krijuar gjëra artistike. Emri që mori shfaqja "Hapat e dashurisë"  erdhi nga rrëfimi rreth historive tona, duke u njohur më tepër, aty dolën në pah shumë dëshira dhe nevojat e tyre që kishin dhe çfarë ata i kërkonin shoqërisë shqiptare. Në këtë aspekt ishte gjëja e parë dhe më e lehta që ta nxirrja në pah të gjithën këtë. Konsiderimi  dhe puna ime ishte pothuajse e barabartë, inkurajuese dhe gjatë gjithë kohës krijuese.  Kishim një dashuri shumë të pastër ndaj njëri- tjetrit, disa  rrëfime të ngrohta e të sinqerta, të cilat na bënin që të lidheshim me njëri- tjetrin në mënyrë të përsosur.

CMG: A ishte e vështirë për të punuar me artistë të rinj me aftësi ndryshe?

Florian Papa: Me miqtë që kontaktova, ata ishin mjaft inkurajues dhe më ndihmuan shumë për ta realizuar shfaqjen dhe projektin ashtu siç duhej.

CMG: Si arritët të organizoheshit me ta, apo të kontaktonit?

Florian Papa:  Unë kontaktin tim në Shqipëri e krijova menjëherë me zonjën Ingrid Rejani, e cila drejton qendrën e zhvillimit "Shtëpia e kuqe",  që trajton personat me aftësi ndryshe. Ishte kontakti i parë që më duhej patjetër dhe aty gjeta një dashuri dhe një ngrohtësi të jashtëzakonshme.

                                                                                                                         

CMG: Si u prit kjo shfaqje nga publiku? A do të jepet sërish?

Florian Papa: Shfaqja "Hapat e dashurisë" u ngjit në skenë më 16 dhe 17 shtator, pra ishin dy shfaqje. Kjo na  dha mundësinë të pritej mirë nga publiku dhe me një përkrahje të sinqertë të jashtëzakonshme. Publikun e pamë në sy dhe i folëm drejtpërdrejt, me të gjitha ndjenjat tona. Të rinjtë ishin më shumë se profesionistë.

Jemi lidhur si grup dhe kjo gjë nuk duhet humbur dhe duhet dhënë në vazhdimësi dhe shpresoj që të ndodhë sërish shumë shpejt. Mbështetja ishte shumë e madhe, kryesisht nga AMSHC (Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile).

CMG: Ju keni më shumë se dy dekada që jeni pjesë e Operas Kombëtare të Greqisë, ku mbani edhe titullin balerin "Korife" i Operas. Si ka qenë jeta artistike aty?

Florian Papa: Unë jetoj prej 30 vitesh në Greqi, ku jam pjesë e Teatrit të Operas në Greqi prej 27 viteve që nga viti 1995, por erdhi koha që unë të krijoj disa gjëra më ndryshe nga ajo çfarë bëja gjithë ato vite në këtë teatër, megjithëse eksperienca më dha shumë.

CMG: Si biri i  “Artistit të Merituar” Miltiadh Papa, mendoni se keni trashëguar gjithçka nga babai?

Florian Papa: Unë jam rritur në Teatrin e Operas dhe Baletit në Shqipëri që kur isha fëmijë. Aty punonin të dy prindërit e mi dhe tezja ime. Babai im  ishte kërcimtari i parë i Operas dhe Baletit, mamaja ishte pjesë e trupës së baletit, gjithashtu tezja ime ishte soliste. Që në moshën e fëmijërisë kam qenë mjaft i lidhur me artin.

                                                                                                                      

CMG: Ishte vetëm kjo shfaqje që ju solli në Shqipëri, apo do të presim projekte të tjera nga ju?

Florian Papa: Le të themi se nga ana ime ka filluar dhe është krijuar një grup artistik. Unë si drejtues i këtij grupi do të kisha kënaqësinë dhe fatin që ta vazhdoja dhe të bënim krijimtari, shfaqje, të presim shumë gjëra edhe në të ardhmen. Mundësitë na u dhanë edhe nga sponsori ynë AMSHC, që ishte mbështetja jonë që nga momenti i parë e deri në fund. Në këtë pikëpamje duam të vazhdojmë të krijojmë, të bëjmë gjëra artistike, të japim shfaqje edhe nëpër rrethe, të vazhdojmë të bëjmë art në ambientet tona. Gjithashtu të lidhemi me njëri-tjetrin, të bëjmë shoqëri, të afrohemi ndaj shoqërisë civile, të jemi afër njerëzve, të vijnë njerëzit afër nesh. Kështu që kjo për ne do ishte diçka fantastike dhe  duhet të ketë vazhdimësi. Do përpiqemi në shumë mënyra që kjo të vazhdojë dhe të jetë një pjesë e jetës tonë që mund t’i shërbejë publikut, shoqërisë, por dhe vetes tonë. Kështu që nga ky aspekt ju falënderoj që më thirrët në emisionin tuaj dhe më dhatë këtë mundësi të flas për shfaqjen "Hapat e dashurisë". Më besoni se kjo shfaqje duhet të jepet përsëri.

Të gjithë kanë të drejtën e jetës, të marrëdhënieve, të respektojnë, të kuptojnë dhe të jenë në kontakt me secilin prej çdo njeri. Kjo shfaqje është një mënyrë e mirë për të na bërë të gjithëve të reflektojmë, për indiferencën dhe kufizimet që këta persona kaq të veçantë marrin nga shoqëria. “Hapat e dashurisë” shpalosi pasionin, talentin, dëshirat, ndjeshmërinë e tyre dhe  aftësitë e jashtëzakonshme të këtyre të rinjve kaq të veçantë dhe me një botë të madhe. Ne duhet të mësojmë se, të gjithë kanë të drejtën e jetës, të marrëdhënieve, të respektojnë, të kuptojnë dhe të jenë në kontakt me secilin prej nesh. Sa më shumë t’i njohim nevojat dhe vlerat e tyre, sa më shumë t’u afrohemi,  aq më të afërt do të jenë edhe ata me ne. Shfaqja “Hapat e dashurisë” pritet që të vihet sërish në skenë së shpejti për publikun, e cila do të vijë nën interpretimin magjepsës të këtyre të rinjve të veçantë, që tashmë po integrohen edhe në teatër.

Intervistoi: Sava Lena