Eva Duraku: Duhet një jetë e tërë për të arritur të duash jetën
2022-10-07 15:30:32

Eva Duraku, është mjeke kardiologe, e diplomuar në vitin 2012 në Mjekësi pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë" në Tiranë, me vlerësimin 110 lavdërime.  Në vitin 2013 ka kryer Provimin e Shtetit Universitetin “Tor Vergata”, në Romë, Itali  për të drejtën e ushtrimit të profesionit nga ku ka dalë me rezultate maksimale. Në vitin 2015 ka fituar të drejtën e specializimit afatgjatë në Kardiologji, nga ku është diplomuar në vitin 2019.  Nga tetori 2019 e në vazhdim Eva  studion Doktoraturën Internacionale “Arterial Hypertension and Vascular Biology” në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Nga viti 2014 e në vazhdim është pedagoge e Anatomisë Humane pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Së fundmi Eva ka ndërmarrë një tjetër mision, si mjeke pranë spitalit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë".

Eva Duraku

Eva Duraku

Kjo eksperiencë i ka shërbyer për të kuptuar sfidat me veten dhe botën përreth dhe për të bërë zgjedhjet e duhura nga viti në vit. Eva Duraku rrëfen për Grupin Medatik të Kinës (CMG) jetën e saj profesionale por edhe personale.


CMG : Eva si po ndihesh në jetën tënde aktualisht, e plotësuar?

Eva Duraku : Kjo është një pyetje që më përshtatet mua pasi në çastet që jemi duke folur, por mbi të gjitha në kohën që po jetoj unë ndihem "plot". Kam gjithçka që më duhet dhe që kam luftuar për të pasur. Kam sjellë në jetë një bekim që është vajza ime, kam një karrierë me hapa në ngjitje që për mua do të thotë shumë. Bëj një kombinim të arritjeve personale me ato profesionale dhe në fund të ditës kur mendohem dhe them çfarë kam arritur "Jam plot". Kam pësuar shumë ndryshime në jetën time dhe të gjitha janë pozitive.


CMG: Si kanë ardhur ndryshimet tek ty, çdo pesë vite?

Eva Duraku: Ky është fillimi i pesëvjeçarit tim më të mirë.
Përveç faktit që arritjet në punë i shoh në këtë pesëvjeçar shumë të rëndësishme. Nga ana tjetër shumë të rëndësishme shoh vajzën. Ajo na ka ndryshuar gjithë orientimin tonë në jetë. Na ka udhëtuar drejt gjërave më të bukura.
Është pika e takimit e vërtete që unë kam me veten. Ajo është vetja ime pavarësisht që i ngjan më tepër babait të saj ( qesh).

Eva Duraku

Eva Duraku


CMG: Eva të del koha t’i arrish gjërat në përditshmëri?

Eva Duraku : Jo gjithmonë. Në fakt duhet të zbresim më këmbë në tokë dhe të kuptojmë që asnjëherë nuk do të na dalë koha për t’i bërë të gjitha gjërat. Ndërsa për të bërë gjërat e duhura duhet vetëm pak kohë. Nëse i duam vërtet njerezit ne gjejmë kohë për ta, nëse e duam vërtet një punë e bëjmë atë dhe kështu me radhë.

CMG: Vendi i punës është tepër i rëndësishëm, duke qenë që kalojmë një pjesë të mirë të ditës. Si është marrëdhënie që ke ndërtuar me kolegët?

Eva Duraku :Vendi i punës vërtet është shumë i rëndësishëm. Ne aty kalojmë kohën tonë më të madhe dhe është e rëndësishme të gjendet një gjuhë e mirë komunikimi, e cila na shërben për shëndetin tonë mendor. Duhet të dimë se si të sillemi dhe reagojmë në çdo ambient pune. Tani unë kam pak kohë që e kam ndryshuar vendin tim të punës dhe kam gjetur tek Spitali "Zoja e Këshillit të Mirë " një staf të dedikuar dhe që e duan punën po aq sa unë. Këtë punë unë e zgjodha sepse e prisja. Ëndrra ime ka qenë që të punoja aty ku kam studiuar.

CMG: Eva, a i ke dërguar të gjitha ëndrrat aty ku duhet?

Eva Duraku: Jo të gjitha. Patjetër që kam mundësi për të bërë shumë më shumë se kaq dhe janë hapa që do vijnë me kohën, por le të themi që kam nisur të plotësoj ngadalë një puzzle të jetës sime. Jap mësim në një universitet që kam pasur ëndërr ta bëj, jam mjeke në profilin tim dhe kam shumë hapa të tjera që dua t’i arrij. Më e rëndësishme është mbyllja e doktoraturës.


CMG:Çfarë rëndësie ka për ty doktoratura?

Eva Duraku: Është pjekuri e imja në aspektin akademik. Përpiqem që këtë studim ta trajtoj me dinjitet dhe korrektesë sepse më përfaqëson mua. Unë tani e ndaj jetën mes Italisë dhe Shqipërisë sepse shkoj atje gjithnjë që kam për të diskutuar mbi studimet që kam kryer për temën shkencore të doktoraturës.

CMG: Eva duam të njohim atë që nuk njohim tek ti. Pra, nuk e dimë se si ka qenë fëmijëria juaj?

Eva Duraku me familjen e saj

Eva Duraku me familjen e saj

Eva Duraku : Unë vij nga një familje me mamin mjeke dhe babin gazetar dhe ata të dy janë përpjekur që në shumë forma mua të më edukojnë që ta dua jetën nëpërmjet librit. Kujtoj babin tim me zërin e tij të bukur si një njeri që punonte në Radio më lexonte përrallat e mbrëmjes. Aty zënë fill ëndrrat e mia tek përrallat e ritreguara.

CMG: Cila është këshilla më e çmuar që të ka dhënë babi?

Eva Duraku : Unë lidhjen e kam pasur shumë të ngushtë me babin. Ai ka qenë udhëtar për mua në çdo hap. Pikërisht për këto hapa më mësoi që unë kurrë mos të bëja hapa fallco në jetë, por të qarta dhe të drejta.


CMG:  Kur vajza jote të rritet një ditë dhe do të të pyeste për jetën tënde, çfarë do t’i thuash?

Eva Duraku : Do t’i tregoja që jam rritur në një shtëpi shumë të ngrohtë dhe shumë të ëmbël. Pjesa më e mirë e imja do t’i tregoja që jam rritur afër gjyshërve. Do t’i mësoja që gjyshërit janë thesar.


CMG: Eva, cili tipar tek ti nuk ka ndryshuar kurrë?

Eva Duraku : Unë kurrë nuk gënjej as për gjëra tepër të vogla. Ndërsa gjithashtu nuk bëj dot kompromise për asgjë.


CMG: Eva çfarë do të këshilloje për ata që sapo kanë hedhur hapa në karrierë dhe nisur jetën familjare?

Eva Duraku : Duhet të njoh njerëzit për të dhënë një këshillë konkrete,  por nëse do t'iu drejtohesha shumicës qe duan punën dhe karrierën do t'iu thoja që " Familja është fitorja juaj më e madhe ". Ndonjëherë ne neglizhojmë dhe nuk bëjmë atë që duhet për kohën familjare dhe ky është gabimi ynë më i madh.

Eva Duraku

Eva Duraku



CMG: Eva, a je e lumtur që po jeton në Tiranë?

Eva Duraku : Unë jam shumë shumë e lumtur që jetoj në Tiranë. Tirana për mua është familje, jo qytet. Këtu gjej gjithçka që dua, kam jetën profesionale, shoqërinë dhe mbi të gjitha këto familjen.

Intervistoi :Megi Latifi