Investimet e huaja direkte në Shqipëri
2022-10-07 11:59:40

Ersuin Shehu (Foto nga CMG)

Investimet e huaja direkte shënuan rritje me bazë vjetore prej 10% në vitin 2021, duke arritur në 1.03 miliardë euro, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Edhe gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2022 ka një rritje të këtyre investimeve në disa sektorë. Eksperti ekonomisë Ersuin Shehu tregon për Grupin Mediatik të Kinës tregon se ku janë të bazuara këto investime dhe si do të vijojnë.

CMG:Do të flasim për investimet. Si paraqitet situata gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti?

Ersuin Shehu: Sipas të dhënave të deritanishme të këtij viti investimet e huaja direkte paraqiten në nivele pozitive, madje surprizuese mund të themi, jemi në nivelet më të larta historike të paktën që prej vitit 2008 që ekziston një seri kohore të dhënash e bankës së Shqipërisë. Për 6- mujorin e këtij viti investimet e huaja direkte arritën afërsisht 634 milionë euro në rritje vjetore me 35%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kemi një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte që ka ardhur pjesërisht nga flukset e reja investuese.”

CMG:Nëse flasim për situatën e pandemisë sa ndikoi krahasuar edhe me vitin 2019? Çfarë ndodhi në këto dy vite?

Ersuin Shehu: Pandemia pati një lloj efekti gjatë vitit 2020, por efekti ishte relativisht i kufizuar ashtu si në shumicën e treguesve të tjerë makroekonomikë. Gjatë vitit 2021 patëm një rimëkëmbje  relativisht të shpejtë, ndoshta duke pasur parasysh edhe faktin që në Shqipëri kufizimet ishin disi më të buta dhe më të shkurtra në kohë, krahasuar me shumicën e vendeve të tjera dhe mjedisi ekonomik deri diku përfitoi nga kjo qasje pak më e zbutur në raport me kufizimet e pandemisë. Pati një lloj stopimi gjatë vitit 2020, por duket që investimet e huaja direkte i janë rikthyer një trendi të shpejtë rritës dhe kjo ishte deri diku surprizuese sepse ajo që ka ndodhur në dekadën e fundit në Shqipëri është që vala e investimeve të huaja direkte u mbështet kryesisht në disa projekte madhore të investimit, sidomos në sektorin energjetik. Besoj që me përfundimin e këtyre projekteve ndoshta do të kishte një lloj rënie të investimeve të huaja direkte duke qenë se Shqipëria është një ekonomi relativisht e vogël dhe perceptohet e vështirë që të mund të ruajë flukse të të tilla investimesh për periudha të gjata kohore.

CMG: Përveç sektorit energjetik, cilat janë sektorët e tjerë ku është investuar ?

Ersuin Shehu: Nëse shohim ndarjen sektoriale ka disa zhvillime të reja. Për këtë vit sektori që ka thithur më shumë investime të huaja direkte është ai i pasurive të paluajtshme, pra tregu i pronave po kalon një cikël rritjeje të shpejtë në 2-3 vitet e fundit që është bërë objekt diskutimesh, debatesh, kryesisht lidhur me burimet e rritjes dhe burimet ku po mbështetet kërkesa dhe rritja e çmimeve. Ajo që vërejmë edhe duke parë statistikat është që kërkesa në tregun e pronave nuk mbështetet vetëm tek kërkesa e qytetarëve rezidentë, shqiptarëve por edhe e investitorëve të huaj. Për 6- mujorin e parë të këtij viti kishim afërsisht 142 milionë euro investime të huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme, kjo shifër përbën më shumë se 20% të totalit të investimeve të huaja direkte, madje ishte sektori që solli edhe fluksin më të madh të investimeve për këtë periudhë. Kjo tregon që ndoshta cikli i lulëzimit të ri të tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri po tërheq vëmendje edhe nga shtetas të huaj dhe investitor të huaj. Brenda këtyre mund të ketë tipologji të ndryshme, një e cila kuptohet është e lidhur me pronat në bregdet. Ka vite që ka një lloj interesi në rritje të qytetarëve të huaj për të blerë prona në zonat bregdetare tipikisht kanë qenë në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

CMG: Si pritet e ardhmja e investimeve në vendin tonë?

Ersuin Shehu: Ajo që ka ndodhur në vitet të fundit sidomos në sektorët strategjikë të ekonomisë kemi pasur një tërheqje të kompanive nga vendet e Europës perëndimore dhe një rritje të peshës të investitorëve nga rajoni europës lindore, pra një lloj trendi i viteve të fundit për shembull  në sektorin e telekomunikacionit, atë bankar nga Hungaria që duket se po zë vend më tepër dhe në fluturime me Wizzair. Kështu që rritja e peshës së investimeve nga tregjet e reja sigurisht mund të përfaqësojë dhe një sinjal se vendi ynë do të jetë e hapur për partnerë të tjerë strategjik jo vetëm nga Europa.