Në cilën moshë duhet të fillojnë fëmijët studimin e gjuhës së huaj?
2022-10-06 16:03:41

Mësimi i një gjuhe të huaj, është  një sfidë. Prindërit përherë edhe më shumë po u imponojnë fëmijëve mësimin e një gjuhe të huaj që në moshë fare të vogël, duke menduar se truri i një fëmije e ka më të thjeshtë të fitojë një gjuhë të huaj, se sa një i rritur.

A ka ndikim faktori moshë në mësimin e një gjuhe?

FOTO warfields.ru

FOTO warfields.ru

Shkencëtarët pajtohen kryesisht se fëmijët janë nxënës më të mirë gjuhësorë, por nuk e dinë pse. Disa paraqesin faktorët biologjikë si arsye. Sipas teorisë së Steven Pinker, një psikolog në Harvard thotë se, truri ka një instikt për mësimin e gjuhëve të huaja, i cili zbehet me kalimin e moshës. Të tjerë mendojnë se është mjedisi dhe stimujt e veçantë që kanë fëmijët dhe jo çështje e trurit. Ata kanë një motivim më të madh për të komunikuar, ose për të imituar më të rriturit, dhe nuk kanë frikë të bëjnë gabime. Fëmijët ndryshe nga të rriturit e kanë më të thjeshtë  përvetësimin theksit, të cilët duan një kohë shumë të gjatë për të perfeksionuar theksin e një gjuhe të huaj. Për të provuar një teori të saktë, u zhvillua një studim, me 670.000 persona, të cilët u pyetën për njohuritë e tyre në anglisht dhe për moshën në të cilën kishin filluar ta mësonin.  Nga këto studime u zbulua se mosha kur duhet të mësohet një gjuhë e huaj është 17 vjeç. Personat që e kishin mësuar gjuhën e huaj në këtë moshë, ishin ata të cilët e dinin edhe më mire.

Një studim tjetër ka treguar se, fëmijët që fillojnë në moshën 5 vjeçare nuk ishin më të aftë se ata që fillojnë në moshën 10 vjeçare. Studimi i realizuar me studentët në Britaninë e Madhe që kanë mësuar frëngjishten ka theksuar se fëmijët që kanë filluar të mësojnë gjuhën e huaj në moshën 11 vjeç e kanë përvetësuar më mirë gjuhën dytësore se sa ata në moshën 8 vjeçare, madje fëmijët që kanë filluar të mësojnë në moshën 11 vjeçare kanë treguar rezultate shumë më të mira në shqiptim, që përshkruhet gati si gjuhë parësore.

Ndërkohë fëmijët më të mëdhenjë se 15 vjeç e kanë patur më problem të përvetsonin një gjuhë dytësore. Mësuese e gjuhës angleze, Gilberta Simoni në intervistën e saj për  Grupin Mediatik të Kinës (CMG) na ka treguar nga eksperieca e saj personale, por edhe me fëmijët që u jep mësim, sa i përket kësaj teme.

Gilberta Simoni

Gilberta Simoni

CMG: Cila është mosha e duhur për të filluar një fëmijë të studiojë gjuhën e huaj?

Gilberta Simoni:  Mosha kur fillohet gjuha e huaj, unë mendoj dy vjeç. Fëmijët e vegjël tashmë dëgjojnë shumë këngë angleze dhe e thithin shumë shpejt. Ata janë si tabela e bardhë, ku mund të shkruash çfarëdo lloj gjëje, por unë mendoj se gjuha e huaj mësohet mirë, kur ke mësuar mirë gjuhën shqipe.

CMG: Nga eksperienca juaj edhe si mësuese anglishteje, cila ka qenë mosha më e  vogël që u ke dhënë mësim dhe a kanë patur vështirësi në të nxënë? Si dhe në cilën moshë femija fillon të memorizojë një gjuhë të huaj?

Gilberta Simoni: Unë jam mësuese e gjuhës shqipe, por njëkohësisht edhe e gjuhës angleze. Kam vite që jap mësimin e gjuhës angleze për të gjitha moshat, që nga mosha 2 vjeç ( që është mbesa ime) e deri në moshën 16 vjeç. Mësimi i një gjuhe të huaj është shumë interesant sepse të zhvillon trurin, gjithashtu të njeh me një kulturë tjetër e cila është e ndryshme nga e jotja dhe kështu bën ndryshimet dhe përcakton se çfarë të pëlqen. Gjuha e huaj është një botë tjetër.

CMG: Ka patur nxënës që nuk dinë ende gjuhën shqipe, por gjjthsesi prindi i dërgon për të mësuar gjuhën e huaj? A vijnë me dëshirë fëmijët e vegjël për të mësuar gjuhën e huaj?  

Gilberta Simoni: Po, po ka edhe fëmijë që nuk e dimë mirë gjuhën shqipe dhe vijnë të mësojmë gjuhën e huaj me qejf. Moshat e vogla vijnë pak me përtaci sepse nuk e kuptojnë rëndësinë e një gjuhe të huaj. Kjo varet nga mësuesi, i cili duhet t'ua bëjë interesant mësimin, sepse gjuha e huaj është interesante. Dalëngadalë ata fillojnë të flasin e të shkruajnë fjalët e para, alfabetin, aty fillon dëshira. Aty ata e kuptojnë se po mësojnë diçka të re, që u shërben atyre, ndjehen mirë me veten. Është kënaqësi të japësh mësim në çfarë do lloj gjuhe.  

Mesuese Gilberta Simoni gjate mesimit (Foto personale)

Mesuese Gilberta Simoni gjate mesimit (Foto personale)

CMG: Cilat janë dobitë e gjuhës së huaj?

Gilberta Simoni: Mësimi i një gjuhe të huaj të ndihmon shumë në zhvillim sepse në këtë mënyrë mëson gjuhën e huaj, përsërit dhe gjuhën tënde, gjithashtu të  hapen horizonte të reja. Gjithashtu të jep mundësi për të lexuar libra të ndryshëm, studime të ndryshme. Ne jemi një vend që jemi i hapur ndaj botës. Sa më shumë gjuhë të huaja të dish, ke më shumë vetëbesim, ndjehesh më mirë në botën jashtë. Gjuhën e huaj unë e kam nisur në moshën 10 vjeçare, kur kam mësuar në mënyrë autodidakte gjuhën italiane. Dëgjoja emisione të ndryshme në italisht tek RaiUno, RaiDue dhe në këtë mënyrë u dashurova me gjuhën e huaj, italishten. Më pas kam mësuar anglishten dhe dy gjuhë të tjera. Dhe ndjehem shumë mirë kur dëgjoj filmat, kur jam në komunikim me të huajt, ndjehem shumë e sigurtë. Kështu që unë ua këshilloj fëmijëve që të mësojnë një gjuhë të huaj sepse është zhvillim, kulturë, vetëbesim. 

-Disa shkencëtarë besojnë se duhet të filloni të mësoni anglisht para moshës 3 vjeçare. Studimet janë nga më të ndryshmet, ku një prej tyre tregon se në këtë moshë  zhvillimi i qelizave të trurit përfundon me 70-80%. Rezulton se nëse prindërit flasin dy gjuhë me një fëmijë që nga lindja, ai shpejt do të flasë dy gjuhë, nëse - tre, atëherë gjeniu juaj i ardhshëm do të dijë tre gjuhë. Periudha kur truri i foshnjës po rritet është periudha më produktive për të mësuarin e fëmijës. Si rezultat, shkencëtarët arritën në përfundimin se nëse një fëmije nuk i mësohet një gjuhë e huaj para moshës 9 vjeç, atëherë në të ardhmen mekanizmat e trurit të të folurit bëhen më pak fleksibël dhe është shumë e vështirë për një fëmijë të mësojë anglisht. Aftësitë dhe talentet nuk shfaqen kurrë më vete, ato duhet të zhvillohen që nga lindja e një fëmije. Ndërsa psikologët mendojnë se kjo varet nga fëmija.

Megjithatë nëse shikoni se fëmija ka vështirësi ose e privon atë nga koha e tij e lirë, atëherë duhet t’a ndalono atë, sepse truri i lodhur, nuk mund të asimilojë informacionin që merr.

Intervistoi: Sava Lena