Veliaj: Hapet gara për Teatrin e ri Kombëtar
2022-10-06 14:33:16

Kryebashkiaku Veliaj (Foto RTSH)

Kryebashkiaku Veliaj (Foto RTSH)

Bashkia e Tiranës ka hapur garën ndërkombëtare për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Në një intervistë në emisionin “Publikisht” në “RTSH”, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se pas 60 ditësh pritet të nisë dhe puna në kantier për ndërtimin e shtëpisë së re të artistëve shqiptarë.

“Ka punë pafund që duhen mbaruar në mandatin e tretë. Ne sapo hapëm garën e Teatrit Kombëtar, unë besoj që në krye të 60 ditëve kur mbaron procesi i garës, duke qenë se është një garë ndërkombëtare, do të kemi mundësi që të fillojmë punimet me shpresë rreth ditëve të Vitit të Ri”,- tha Veliaj.

Teatri i ri Kombëtar është konceptuar të jetë si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë dhe e dedikuar vetëm për art. Godina e re do të ketë një dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit. (Elona)