Banka Botërore: Ekonomia e Shqipërisë rritet me 3.2% këtë vit
2022-10-06 12:05:33

Banka Boterore (Foto Atsh)

Banka Boterore (Foto Atsh)

Banka Botërore ka lënë të pandryshuar parashikimet për rritjen e ekonomisë në Shqipëri për vitin 2022.  

Në e raportin e publikuar “Mbrojtja sociale për ringritje”, BB-ja bën të ditur se ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.2% këtë vit. Po ashtu theksohet se në Ballkanin Perëndimor rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.4% këtë vit, citon “ATSH”.  

Sipas BB-së, rritja parashikohet të mbetet në një mesatare prej 2.9% gjatë horizontit të parashikimit, pasi reformat e anëtarësimit në BE dhe investimet zbutin ndikimet negative të imponuara nga çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve, ndërprerjet në tregti dhe investime.  

Por, raporti thekson se rritja potenciale në rajon mbetet e kufizuar nga nevoja për reforma strukturore për të rritur produktivitetin, rritjen e konkurrencës dhe investimet në kapitalin njerëzor dhe forcimin e qeverisjes.  

Duke u ndalur në zhvillimet aktuale, BB-ja thekson se konflikti aktual në Evropë po vijon të dobësojë ekonominë globale nëpërmjet ndërprerjeve të konsiderueshme në tregti dhe goditjeve në çmimet e ushqimeve dhe karburanteve.  

“Të gjitha së bashku po kontribuojnë në rritjen e inflacionit dhe shtrëngimit pasues të kushteve të financimit në tregjet botërore. Zgjatja apo intensifikimi i mëtejshëm i konflikti mund të shkaktojë dëme ekonomike dhe mjedisore edhe më të mëdha, si dhe rrit mundësinë për fragmentizim të tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare. Rreziku i stresit financiar mbetet gjithashtu i lartë, duke pasur parasysh nivelet e larta të borxhit dhe inflacionit”,- bëhet e ditur në raportin e Bankës Botërore. (Elona)