Rama: Rrisim me 7% pagat e pedagogëve, pjesën tjetër e vendos universiteti
2022-10-06 11:06:18

Kryeministri Rama (Foto RTSH)

Kryeministri Rama (Foto RTSH)

Rrogat e pedagogëve do të rriten në masën 7 për qind. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një aktiviteti në Universitetin Bujqësor. Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se rritja me 7% do të mbulohet nga buxheti i shtetit, por pjesa tjetër do të lihet në vendimmarrjen e universiteteve, të cilat janë autonome, përcjell “RTSH”.

Sipas kryeministrit, pedagogët kanë akses në fondet e vetëfinancimit, fondet evropiane dhe fondet e universiteteve të tjera private ku japin mësim.

“Pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme, midis mbështetjes shtetërore dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ia bënë vetes rrogën edhe 2-fish, edhe 3-fish edhe 4-fish edhe 5-fish. Janë fondet e vetëfinancimit, evropiane dhe universitetet e tjera private. Më përpara kishim 44 pedagogë në akses në fondet evropiane, sot nga rreth 800 që janë tek Universiteti i Tiranës, mbi 400 kanë akses te fondet e BE-së. Kjo është falë profesionalizmit të tyre, eksperiencës së tyre dhe ndërkombëtarizimit të vendit”,- tha Rama.

Por ky vendim është refuzuar nga pedagogët, me arsyetimin se nuk është e mjaftueshme dhe kërkojnë rritje me 50% të pagës brenda dy viteve. (Elona)