Kontributi i verës autoktone në agroturizëm
2022-10-06 16:23:32

Përfaqësues të agroturizmit kanë folur së fundmi për rëndësinë që ka prodhimi i verës në aktivitetin e tyre duke pasuruar kështu shportën e prodhimeve “Made in Albania”.

Flori Uka, Kryetari i Shoqatës së Agroturizmit thotë se ka një lidhje të fortë mes agroturizmit dhe verës.

“Agroturizmi në vetvete është një produkt i cili shet produktet lokale, ose po e quajmë një biznes i cili shet produktet lokale dhe promovon vendin. Vera është një nga produktet që ne duhet të krenohemi, duke përfshirë këtu dhe kulinarinë shqiptare që ka goxha vlera historike dhe kemi cilësi të lartë. Kemi një klimë shumë të mirë për të prodhuar produkte që janë cilësorë të cilat mund t’i servirim në tavolinë dhe çdo ushqim duhet të shijohet me verë, kështu që lidhja është aq e fortë saqë nuk kemi nga t’ja mbajmë. Kantina dhe agroturizmi është një martesë shumë e mire”- tha Uka.

Kryetari i Shoqatës së Agroturizmit shqiptar Flori Uka (Foto Klan TV)

Kryetari i Shoqatës së Agroturizmit shqiptar Flori Uka (Foto Klan TV)

Por jo çdokush mund të prodhojë verë, pasi është një produkt delikat.

“Kjo nuk mund të them që është gjithmonë e mirë sepse jo të gjithë mund të bëjnë verë. Që të bësh verë duhet të kesh një kualifikim. Është një produkt shumë delikat, është një pije magjike e cila do një anë profesionale shumë të lartë për ta bërë, kështu që është më mirë ta marrim te njëri-tjetri sepse dhe bashkëpunimi midis njëri-tjetrit është një armë e fortë e agroturizmit shqiptar. Ne blejmë prodhimet e bashkëfshatarëve tanë atje ku jemi kështu që sugjerojmë më shumë të blejmë verërat shqiptare nëpër kantinat që janë të certifikuara, sepse kanë dhe garanci në të gjitha aspektet sanitare dhe mund të funksionojë shumë mirë”- shprehet Uka.

Për prodhimin e verës ashtu si për produkte të tjera ka institucione që japin certifikimet përkatëse dhe duhen kaluar disa hallka.

“Kemi institucionet përkatëse që na certifikojnë, na verifikojnë  si AKU-ja e të tjera, që ruajnë standardet si ato evropiane. Nuk po i përmend të gjitha, por punojmë me kushte shumë të mira.”- thotë ai.

Vera (Foto winestry)

Vera (Foto winestry)

E nevojshme sipas Kryetarit të shoqatës së Agroturizmit është rritja e kontrollit të verërave të importit, që janë edhe konkurente të verërave shqiptare.

“Kantinat shqiptare nuk mendoj që kanë konkurencë me njera-tjetrën. Ajo që na konkuron më shumë është produkti i huaj, është importi, pasi vjen me një çmim shumë të ulët dhe na konkuron automatikisht. Ndërkohë që produkti vendas sidomos produktet bujqësore duhet gjithmonë të kenë një mbështetje, të kenë një suport qoftë ekonomik dhe nga ana fiskale që ta ndihmojë prodhuesin të dalë sa më kollaj në treg, të heqë disa vështirësi deri në momentin e daljes dhe të ketë një kontroll të lartë ndaj produkteve të importit, sepse është minimale kontrolli i importit. Ne kur eksportojmë kemi një kontroll  shumë të lartë, kurse kur importojmë e kemi kontrollin pothuajse  zero”- shton Uka.

Ai i bën thirrje konsumatorëve shqiptarë që të konsumojnë verë autoktone pasi verërat tona janë konkurente në shumë vende  dhe gëzojnë cilësi të lartë.

“Duhet të theksojmë është që për cilësi-çmim në Shqipëri ja vlen më shumë një verë shqiptare se një e huaj. Ky është një mesazh që duam t’i japim konsumatorit shqiptar. Cilësi-çmim merr vesh shqiptari që është nga rrushi kjo është e sigurtë 100% dhe kjo është shumë e rëndësishmë. Pastaj, verë italiane dhe franceze nuk mund të themi që s’bëjnë verëra të mira. Por ka një shprehje: “Bëjnë verën më të mirë në botë, por bëjnë dhe më të keqen në botë”, nënvizon ai.

Gëzuar me verë shqiptare (Foto Agroweb)

Rishikimi i politikave fiskale në favor të prodhuesve shqiptarë do të ishte një hap pozitiv për prodhimin vendas, sipas Ukës,  pasi do të lehtësonte sipërmarrësit nga barra e taksave dhe do të ishin më konkurrues përballë atyre të importit që vijnë me çmime më të lira. Edhe vendet e tjera aplikojnë tarifa më të larta ndaj verës shqiptare kur eksportohet.

“Ka shumë ndërhyrje, mendoj që ky sektor është aq i madh dhe ka themele shumë të mëdha në Shqipëri, duke nisur që nga klima. Nuk dua të them se ne s’duhet të taksohemi, ndonëse mirë do të ishte të mos taksohemi sepse jemi prodhim vendas, por mendoj që fillesa e ndihmesës së këtij sektori fillon në investimet në këtë sektor. Të fokusohen, të investojnë në natyrë, sepse vera është një produkt natyre ku t’i heqim barrat e mëdha vreshtarit dhe pronarëve të kantinave, sepse ka barrë të madhe. Të përballesh me natyrën është e lodhshme, ndaj duhet të ketë një politikë mbrojtëse për produktin vendas, të rritet një taksë për ato që vijnë dhe të ulen për ne, sepse tregu është i lirë dhe ne nuk mund të frenojmë asnjë produkt dhe të rritet kontrolli i sigurisë i laboratorëve që monitorojnë këto produkte që vijnë nga Evropa.  Nuk është vetëm Italia, por sjell  e gjithë bota verëra, ndaj duhet të lehtësojmë taksat dhe punën e fshatarit, jo t’ia vështirësojmë por thjesht t’i taksojmë. Ne kur bëjmë eksporte në Danimarkë taksa që shkon vera jonë nga 10 euro që e shes unë shkon 70 euro atje. Pse? Sepse promovojmë produktet vendase. “- thekson më tej Uka.

A ka kompani në Shqipëri që abuzojnë me cilësinë e verës? Sipas ekspertëve vera shqiptare gëzon kontroll të imtësishëm dhe gëzon cilësi të lartë.

“Ka gjithmonë subjekte shumë të vogla që bëjnë cilësi jo të mirë dhe ndoshta të pakontrrolluar, por mund të them që vera nuk është një, sektori i tyre që abuzojnë nuk është problem në Shqipëri, por është më shumë rakia. Të jemi të sinqertë, tek rakia ka abuzim të madh. Është shumë e rëndësishme që ta bëjmë pak transparente. Ka një pikëpytje shumë të madhe si mund të dalë 1 litër raki 500 lekë. Nuk duhet të dalë kurrë. Ne kur prodhojmë në kantinë na del kosto 800 lekë/litër.  Pra aty është abuzimi më shumë te rakia sesa të vera. Ka subjekte shumë të vogla, por te vera ka hyrë një kontroll i lartë nga shteti për të pasur një siguri cilësie dhe deri diku janë penguar këta të vegjlit që abuzojnë dhe shesin në mënyrë lokale,  të cilët po sfumohen gradualisht, kurse rakia abuzimi është shumë i madh.”-  tha në intervistën për mediat Kryetari i Shoqatës së Agroturizmit Shqiptar Flori Uka.