Geart Ferhati, 15-vjeçari sjell në gjimnazet shqiptare “I-vote.al”
2022-10-06 16:16:30

Teknologjia si instrument zhvillimi i jetës tonë në përgjithësi dhe i së ardhmes tonë në veçanti, po frymëzon çdo ditë e më shumë të rinjtë në Shqipëri, të cilët sa vjen e po rrisin kapacitetet e tyre në aspektin e formimit teknologjik.

Një ndër këta të rinj është edhe Geart Ferhati, vetëm 15 vjeç, i cili përveç pasioneve të moshës, pjesën më të madhe të kohës ia dedikon kodimit.
Ai ka nisur të kodojë që kur ishte 12 vjeç, kohë kur prindërit e regjistruan në një kurs kodimi për fëmijë, thjesht për t’u argëtuar. Por sot, pas 3 vitesh si pjesë e botës së pafundme të inovacionit, Gearti ka kuptuar që  kodimi për të nuk është thjesht pasion, por edhe mision. Përmes teknologjisë, ai mund të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të lehtësojë bashkëpunimin në kohë reale mes njerëzve kudo ku ata ndodhen. I tillë është edhe projekti I-vote.al, një platformë elektronike zgjedhore përmes së cilës bëhet i mundur digjitalizimi i procesit zgjedhor për qeverinë e nxënësve, në shkollat e arsimit para-universitar. Kjo platformë, jo vetëm do të mbetet në gjimnazet e vendit si një arritje në koncept dhe veprim, por është edhe tepër funksionale, dukë bërë kështu të mundur kalimin nga epoka e votimit klasik në epokën digjitale.

Geart Ferhati (Foto personale)

Geart Ferhati (Foto personale)

CMG: I-VOTE.AL  çfarë është ?
Geart Ferhati: I-VOTE.AL është një platformë elektronike, tërësisht inovative, e cila shërben për digjitalizimin e votës, me qëllim që të kemi një proces të shpejtë dhe të sigurt gjatë votimeve për Qeverinë e Nxënësve. Përmes kësaj platforme bëhet i mundur ndërtimi i databazës, ku përfshihen listat e nxënësve dhe kandidaturat për çdo klasë. Çdo nxënës mund të aksesojë përmes një username dhe password. Secili mund të ushtrojë votimin e tij të lirë, përmes votës së fshehtë, për të zgjedhur senatorin e klasës ku ai bën pjesë. Duke qenë se sistemi është krejtësisht elektronik, pasqyrimi i rezultateve bëhet në kohë reale. 
CMG: Geart a ka pasur probleme themelore të cilat ju kanë nxitur të ndërtoni këtë aplikacion?

Geart Ferhati: Kodimi, i cili për mua nisi si një loje, tashmë është kthyer në një mision, përmes të cilit unë mund të kontribuoj në shoqëri. Problematika ka pasur, pasi çdo ide nis të zhvillohet kur gjendemi para një problemi. I-vote.al është një projekt të cilin e kam nisur prej pothuajse një viti. Ne po rritemi në një epokë digjitale, secili nga ne ka një smartphone dhe jeta jonë është e lidhur ngushtë me teknologjinë. Më dukej shumë e padrejtë që ne të zgjidhnim senatorin e klasës duke grisur letra nga fletoret, e përveç kësaj në shkollë bëhej shumë rrëmuje dhe rezultati në të shumtën e rasteve kontestohej. Votimi për qeverinë e nxënësve në shkolla është një proces që kërkon seriozitet, shumë angazhim, kosto e mbi të gjitha kohë! Atëherë, pse të mundohemi kaq shumë kur e gjitha kjo mund të zgjidhet me një click?

Gjimnazistet votuan i-vote (Foto personale)

Gjimnazistët votuan i-vote (Foto personale)

CMG: Nëse flasim për zgjidhjet të cilat do të mund të ofroheshin nëpërmjet I-vote.al, cilat do të ishin ato?

Geart Ferhati: Çdo vit, mbi 100.000 fletë përdoren për një proces zgjedhor, vetëm në shkollat e mesme të Shqipërisë.  Me votimin tradicional në letër, ka shumë hapa të përfshirë, që nga fletët e votimit e deri te numërimi i votave me dorë. Ne mund t'i shmangim të gjitha këto me votimin online përmes  I- VOTE. AL, duke rritur kështu efikasitetin, përmirësuar saktësinë dhe ulur kostot. Gjithashtu një avantazh tjetër është që, përmes I-vote.al mund të marrin pjesë në votime edhe nxënësit të cilët për arsye të ndryshme nuk ndodhen prezent në shkollë ditën e votimeve. Ata mund të logohen në sistem përmes një kodi ID dhe mund të votojnë, nga kudo që ndodhen. Rezultatet e votimeve dalin në kohe reale.

CMG: Çfare synoni të arrini përmes këtij aplikacioni?

Geart Ferhati: Ky është veçse versioni 1.0, dëshira ime është ta zhvilloj dhe ta përmirësoj në shumë aspekte. Kalimi me sukses i fazës së pilotimit në Gjimnazin “Sami Frashëri”, ku edhe unë bëj pjesë tashmë, më përforcon ambicien, që ky projekt të mund të aplikohet, jo vetëm në të gjitha gjimnazet e Tiranës, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që shtrirja në përdorim masiv sjell edhe angazhim më të madh, dhe ketu gjej rastin të ftoj bashkëmoshatarët e mi, të cilët kanë pasion kodimin, të bëhen kontributor në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj platforme.
CMG: A mendon që ky aplikacion do të pranohet nga gjimnazet e tjera?

Geart Ferhati: Sigurisht që po. E gjithë jeta jonë tashmë është në proces digjitalizimi. Pagesat, regjistrimet, vërtetimet, çdo gjë po kalon online. Përveç kësaj, mënyra se si është ndërtuar ky aplikacion, duke i ofruar përdoruesve një experience unike në përdorim, si dhe garancia për një rezultat të shpejtë dhe te sigurt, më bën besimplotë qe do të gjejë përdorim tek të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë.

Geart I-vote Maj 2022(Foto personale)

Geart I-vote Maj 2022(Foto personale)

CMG: Geart si ka nisur për ju pasioni për këtë fushë?

Geart Ferhati: Çdo gjë nisi si një lojë, ku përmes platformës scratch mësova të krijoj lojëra. Mora shumë kënaqesi kur fillova të luaj me lojërat qe unë kisha krijuar. Me thellimin e njohurive të programeve dhe moduleve më të avancuara, kuptova se sa e bukur dhe e pafundme është bota e kodimit. Kur isha 13 vjeç, krijova platformen School Management System, e thënë ndryshe, një regjister digjital për shkollën ku unë mësoja. Gjithashtu, gjatë kohës së pandemise krijova Students4Student, një platformë rinore digjitale, me të cilën u vlerësova si finalist në ICTAwards, kategoria Rising Star.

CMG: Ku e sheh veten në të ardhmen?

Geart Ferhati: Kudo! Të merresh me kodim do të thotë të jetosh në një botë te pazbuluar e të pafundme . Unë absolutisht jam shumë i ri dhe kam shumë për të mësuar akoma. Nuk kam nje plan konkret akoma, por thjesht dua të rritem në dije dhe të kem mundësi të studioj në një nga universitetet më të mira të teknologjisë në botë.
Intervistoi: Megi Latifi