INSTAT publikon “Anketën e buxhetit të familjes”, 41.3% e të ardhurave për ushqime
2022-10-05 10:21:06

INSTAT (Foto Atsh)

INSTAT (Foto Atsh)

Në vitin 2021, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje, të përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, ishin 84.548 lekë.

Instituti i Statistikave publikoi të martën “Anketën e buxhetit të familjes”, sipas të cilës totali i shpenzimeve për konsum është 64.7 miliardë lekë në muaj për 765.551 familje.

INSTAT-i raporton se 41.3% e buxhetit familjar ose mesatarisht 35 mijë lekë në muaj shkojnë për ushqime.

Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të familjeve në vitin 2021 është 1.3% më i lartë se në vitin 2020. Ndërkohë, rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020, është 2%.

Sa i përket strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum të familjeve, INSTAT-i raporton se peshën më të madhe e zënë grupet “ushqime dhe pije joalkoolike”. Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 17.5%, “perimet” me 17.4%, “mish dhe nënprodukte” me 16.2%, ndjekur nga “bukë dhe drithëra” me 13.6%.

Sipas INSTAT-it, rreth 10% e buxhetit mujor shkon për shpenzime për banesën, përfshirë shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8.496 lekë.

Ndërsa shpenzimet për mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës zënë 6.8% të buxhetit mujor, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 5.772 lekë.

Shpenzimet mesatare mujore për arsimin në vitin 2021 rezultuan 6.1% më të larta krahasuar me vitin 2020. (Elona)