Kina është integruar në mënyrë aktive në rrjetin global të inovacionit
2022-10-05 12:27:40

Inovacioni shkencor dhe teknologjik është një forcë e madhe për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë njerëzore. Gjatë 10 vjetëve të fundit, Kina i ka kushtuar rëndësi të madhe inovacionit shkencor dhe teknologjik, është integruar në mënyrë aktive në rrjetin global të inovacionit dhe ka forcuar në mënyrë të gjithanshme bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë. Kina nuk është vetëm një pjesëmarrëse e rëndësishme në inovacionin ndërkombëtar, por edhe një kontribuese e rëndësishme në zgjidhjen e përbashkët të problemeve globale. Të huajt që kanë punuar dhe jetuar në Kinë për shumë vjet kanë gjithashtu ndjenja të thella për gjallërinë që kanë sjellë aty risitë tekniko-shkencore.

Kohët e fundit, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale publikoi  Treguesin Global të Inovacionit 2022, ku renditja e Kinës është ngjitur nga vendi i 34-t në vitin 2012 në të 11-tin këtë vit. Peter Taylor, një profesor britanik në Universitetin e Tianjin-it, i cili më parë ka dhënë mësim në disa universitete evropiane, u shpreh se inovacioni i Kinës është më dinamik se në shumicën e vendeve evropiane.

 

foto: VCG

"Sipas mendimit tim, në krahasim me vendet e tjera, prirja e inovacionit në Kinë është më dinamike se në pjesën më të madhe të vendeve evropiane. Ndërsa Kina vazhdon të zhvillohet, ne do të shohim gjithnjë e më shumë raste ku prodhimi, arsimi dhe kërkimi shkencor integrohen ngushtë dhe përplotësojnë njëri-tjetrin. Me thellimin e kërkimit shkencor në universitete, lloje të ndryshme studimesh, si ato në fushën e mjekësisë dhe inxhinierisë së ndërtimit, do të kontribuojnë në prodhimin dhe jetën në Kinë."

Drejtimi kërkimor i Taylor-it në Universitetin e Tianjin-it janë kimia teorike e kompjuterike dhe zhvillimi e zbatimi i teknologjive kompjuterike të nivelit të lartë. Ai theksoi që, për shkak të objekteve gjithnjë e më të përparuara të kërkimit shkencor dhe ekipeve profesionale e efikase, mjedisi i kërkimit shkencor në Kinë po përmirësohet gjithnjë e më shumë.

Në dhjetë vjetët e fundit, kapacitetet e risive tekniko-shkencore të Kinës në fushën mjekësore janë përmirësuar ndjeshëm. Në Kinë ka pasur një sërë arritjesh të rëndësishme shkencore e teknologjike, duke ofruar mbështetje të fortë për zhvillimin e shëndetit të njerëzve dhe për trajtimin e ngjarjeve të mëdha, siç është parandalimi dhe kontrolli i epidemisë së koronavirusit të ri. Mahmoud Abuharb, një praktikant në repartin e kirurgjisë kardiovaskulare të spitalit "Anzhen" të Pekinit, është nga Palestina dhe ka studiuar e jetuar në Kinë për gati dhjetë vjet. Ai tha se inovacioni shkencor e teknologjik është një mbështetje e rëndësishme për zhvillimin e mjekësisë kineze dhe se praktika e vazhdueshme ka përmirësuar gjithashtu aftësitë e tij profesionale:

"Unë mendoj se Kina po zhvillohet shumë shpejt në mjekësi dhe po përmirësohet vazhdimisht. Shumica e operacioneve të mëparshme kërkonin torakotomi, por tani një mundësi e re është kirurgjia laparoskopike minimalisht invazive. Për më tepër, robotët mund të përdoren edhe për kirurgji në zemër. Spitali 'Anzhen' është një nga qendrat më të mëdha për sëmundjet e zemrës në botë. Numri i operacioneve këtu është shumë i madh dhe ka shumë pacientë. Ekspertët këtu janë shumë profesionistë. Çdo ditë ka diçka te re, ka njohuri te reja. Prova klinike dhe eksperimente zhvillohen (vazhdimisht).”

foto: VCG

Të huajt në Kinë ndiejnë gjithashtu komoditetin që kanë sjellë risitë teknologjike në jetën e njerëzve.  Abdualazem Fadol Mohammed është nga Sudani dhe është student i pastdoktoraturës në Universitetin e Akademisë së Shkencave të Kinës. Mohammed tha se zhvillimi i vrullshëm i ekonomisë së internetit të Kinës i ka dhënë atij më shumë kohë për kërkime shkencore dhe se ai është i mahnitur nga lehtësitë në jetë që ka sjellë teknologjia.

"Në fakt, në Kinë një celular mund të bëjë gjithçka. Pasi mbërrita në Kinë, instalova softuerë të ndryshëm për komunikim, pagesa, blerje në internet etj., dhe bleva produktin tim të parë në internet  - tabelë shahu. "

Në Kinë, një tokë "e nxehtë" inovacioni, të huajt po ndiejnë energji dhe gjallëri. Zhvillimi i vazhdueshëm i risive do të tërheqë gjithnjë e më shumë të huaj që të vijnë dhe të jetojnë këtu.