Muhamet Bizhga është ideator dhe Drejtor Ekzekutiv i Panairit Online, një platformë e krijuar në vitin 2019. Ai është dhe themelues i Akademisë 7-mujore online për sipërmarrësit e rinj në këtë platformë. Gjithashtu ai zhvillon trajnime individuale si konsulent për marketingun online për biznesin e vogël si dhe trajnime të personalizuara për ata, që duan të nisin një biznes nëpërmjet platformës së Panairit Online.
Bizhga është autor i disa librave për zhvillim personal dhe aktualisht është i fokusuar në zhvillimin e platformës së Panairit Online. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për krijimin e kësaj platforme si dhe mundësitë e punësimit të të rinjëve nëpërmjet saj.
CMG: Ju jeni Drejtor Ekzekutiv i platformës “Panairi Online”, por çfarë është kjo platformë?
Muhamet Bizhga: Panairi Online është një platformë ku në pamje të parë duket një platformë për bizneset, por kjo platformë në vetvete prodhon sisteme biznesi. Qëllimi im është që të orientoj të rinjtë shqiptarë që të kenë mundësi të vetëpunësohen si fillim nëpërmjet kësaj platforme dhe më vonë të zhvillojnë bizneset e tyre online nëpërmjet kësaj platforme.
Muahmet Bizhga gjate nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: Kur e keni krijuar këtë platformë?
Muhamet Bizhga: Ideja ka qenë e hershme, ku në shtator të vitit 2013 ka nisur si projekt, por më janë dashur 6 vite për ta sjellë në jetë dhe në shtator të vitit 2019 ka dalë për herë të parë online si platformë. Më është dashur tre vite afërsisht, deri në shtator të këtij viti për ta testuar dhe për ta sjellë në formën që unë doja. Tani janë përzgjedhur personat e pare, të cilët më 7 tetor të këtij viti do të nisin bizneset e tyre dhe ata do të jenë sipërmarrësit e parë online të mbështetur nëpërmjet kësaj platforme.
CMG: Cili ka qenë qëllimi i krijimit të kësaj platforme dhe pse vendosët ta quanit “Panairi Online”?
Muhamet Bizhga: Ideja ka lindur në vitin 2013, por emrin e kam gjetur në vitin 2016 sepse në vitin 2013 kisha thjesht një ide të tillë. Kam qenë në Janinë tek motra dhe kam kaluar në një rrugicë ku kam parë katër dyqane njëra pas tjetrës që kishin nga një shitëse dhe asnjë klient brenda. Mendimi që më erdhi ishte si të gjej unë një formë që shitëset që janë në këto dyqane gjatë kohës që nuk ka klientë të gjenë klientët për biznesin. Ky ka qenë mendimi fillestar dhe ky mendim u zhvillua dhe në vitin 2016 kemi gjetur emrin për herë të pare, Panairi online. Unë pata një eksperiencë me një të njohurin tim dhe duke ju treguar për shërbimin që ju ofroja, ju thoja se është njëlloj si një panair online. Pas 20 ditësh duke e thënë shpesh këtë fjalë, atëherë thashë se biznesi im do të ketë këtë emër.
CMG: Gjatë periudhës së pandemisë, por edhe tani disa biznese punojnë online. Ju ka ndihmuar periudha e pandemisë për idenë tuaj?
Muhamet Bizhga (Foto personale)
Muhamet Bizhga: Pjesa e pandemisë realisht na ka ndihmuar shumë sepse unë projektin e kisha menduar për vitin 2025, pra ato rezultate që kam sot i kisha menduar për dy vite më vonë. Fakti është që pandemia na i solli gjërat shumë herë më shpejt, por ajo çfarë unë them edhe në trajnimet që zhvilloj, është se ka ardhur momenti që njerëzit të largohen tani nga rrjetet sociale, dhe të krijojnë vetë një biznes të tyre. Që ta krijosh një biznes online sigurisht që duhet një platformë me standardet që ka krijuar panairi online, sepse ndryshe njerëzit mund të hapin një website, por nuk janë të lidhur me njëri -tjetrin. Ne kemi krijuar një qendër tregtare online, ku secili të ketë mundësi që të ketë ose biznesin e vet ose një dyqan brenda qendrës tregtare.
CMG: Si ka ecur deri tani kjo platformë online dhe cilat kanë qenë përshtypjet e atyre që janë përfshirë në këtë platformë?
Muhamet Bizhga: Para pak ditësh kishim një rast interesant, ku një nga personat që ka ndjekur trajnimin gjatë kësaj periudhe, Elisa e cila ishte duke punuar diku dhe kishte marrë vendimin për t’u larguar nga puna dhe për t’u marrë me projektin dhe biznesin që ajo do fillojë ta ndërtojë më 7 tetor. Ky është një rast që vlen të përmendet sepse ajo ka kuptuar se çfarë mund të bëjë me sistemin që ofron Panairi online dhe me aftësitë e veta.
Muhamet Bizhga duke trajnuar te rinjte (Foto personale)
Muhamet Bizhga gjate nje trajnimi (Foto personale)
CMG: Në Panairin online përfshihen të gjitha profesionet dhe të gjitha moshat?
Muhamet Bizhga: Pjesa e online ose virtualitetit nuk ka të bëjë fare me moshën. Për moshën ne kemi vetëm problemin kur janë nën 18 vjeç për shkak të ligjeve, por edhe një 15 vjeçar mund të bëjë biznes dhe mua shpesh më kanë ardhur të rinj që ju kam thënë se nëse e aprovojnë prindërit e tyre gjithçka është në rregull. Mosha nuk ka pengese, por ajo që unë shikoj tek këta që më kanë ardhur deri tani, ndoshta nuk ka qenë dhe vendi i duhur ku kam kërkuar sepse rrjetet sociale në pamje të parë duket sikur janë një mjet i duhur, por në vetvete klientët që vijnë nga rrjetet sociale nuk janë klientë potencialë.
Unë klientët potencialë i kam nëpërmjet Google, ata të cilët realisht kërkojnë për një punë online. Pra nëse dikush hyn në Google dhe kërkon punë online nga shtëpia, dihet se do të dalë Panairi online dhe në momentin që më vijnë persona të cilët kërkojnë për këtë gjë, ata janë të parapërgatitur për këtë pjesë, ndërsa pjesa tjetër që vijnë nga rrjetet sociale janë thjesht kuriozë.
U sugjeroj të rinjve se binzesi online është për çdo njeri, që të ketë dëshirë që të mësojë gjëra që nuk i di. Nëse nuk i dinë por kanë dëshirë, është vendi i duhur ku mund t’i zhvillojë. Ne thjesht ofrojmë disa trajnime dhe japim një platformë, por ne i ndjekim gjërat hap pas hapi. Në tetor do të nisë për herë të parë një akademi tre mujore, Akademia e Biznesit Online, e bazuar mbi një sistem konkret dhe fakte konkrete, sepse tek Panairi online tani janë rreth 120 biznese online të krijuara totalisht nga unë. Janë 9 platforma të ndryshme dhe njëra nga këto është Albania Network Global me të cilën kemi listuar profesionistë të fushave të ndryshme dhe deri tani janë rreth 30 anëtarë që janë bërë pjesë.
Në 12 nëntor do të organizojmë eventin e parë fizik nëpërmjet Albanian Network, ku do të jenë rreth 120 persona që do të mblidhen fizikisht në Tiranë. Ideja është që një nga këto sisteme, që është zhvilluar nëpërmjet Panairit online është edhe Albanian Network. Kjo do të jetë e fokusuar në dy aspekte, te personat profesionistë, por dhe studentët, sidomos CV-të online. Pra, ofrohet një profil online ku janë dy postime, njëri do të jetë një CV online dhe jo klasike, por një CV në formë eseje, dhe nga ana tjetër një reklamë që tregon për aftësitë që ka personi tek kërkesat ndaj tregut të punës. dhe kjo është një risi në tregun shqiptar.
CMG: Ka shumë biznese që punojnë online, por nga ndryshojnë nga kjo platformë që ju keni krijuar?
Muhamet Bizhga: Unë mendoj se online është njëlloj si fiziku, vetëm se forma e komunikimit me klientin është e ndryshme, pra mënyra sesi të gjen klienti është se të gjen nëpërmjet internetit. Interneti për mendimin tim është një det i madh ku secili ka një anije të vetën dhe sa më e madhe të jetë anija, aq më shumë klientë do të kesh aty brenda, pra varet nga mjeti.
Panairi online në këto momente është një mjet njesoj si Facebook, Instagram, Amazone. Këto janë anije gjigante në detin e madh që quhet Internet dhe varet nga biznesi se çfarë mjeti zgjedh për të arritur në destinacion, sepse destinacioni është që të gjithë bizneset duan klientë. Ne e kemi ndërtuar autostradën e bizneseve online, ku si fillim do të jenë sipërmarrësit e rinj, ata që do ndërtojnë një biznes online dhe shërbimi që ofrojnë është që të gjejnë klientë për bizneset fizike. Pra personat që do të vetëpunësohen te kjo platformë do të bëjnë ndërmjetësimin ndërmjet biznesit fizik dhe klientit online.
Muhamet Bizhga ne interviste per CMG
CMG: Rrjetin e kësaj platforme e keni krijuar vetëm për Shqipërinë apo është globale?
Muhamet Bizhga: Rrjeti i kësaj platforme është global. Pavarësisht që jemi vetëm në gjuhën shqipe, por janë rreth 3700 reklama që ekzistojnë sot në Google nëpërmjet platformës së Panairit online, ku në 80% të rasteve ne dalim të parët. Në lidhje me tregun në këto momente unë kam një person në Marsejë të Francës që është duke ndjekur trajnimet që unë ofroj falas dhe pastaj ai do të fillojë të ndërtojë biznesin e vet ose të vetëpunësohet. Gjithashtu kemi në Itali, Kosovë dhe Greqi, por shumicën i kemi në Shqipëri.
CMG: Kërkohet që të kenë njohuri të gjuhëve të huaja personat që futen në Panairin online?
Muhamet Bizhga: Mjafton vetëm gjuha shqipe sepse ne për vitet 2022-2023 do të fokusohemi te tregu shqiptar, ngaqë në tregun shqiptar sot vetëm 3% e bizneseve kanë akses në internet, jo se nuk e dinë por që nuk kanë investuar sepse tek pjesa e online që një biznes të investojë ka kosto të larta. Kanë tentuar disa herë, por kur e kuptojnë që në fund kostot me fitimet janë shumë të vogla, nuk kanë interes dhe thejsht e ndërpresin. Shumë pak biznese kanë investuar dhe kjo është risia që ka sjellë Panairi online sepse ne ju çojmë klientë të gatshëm biznesit, ku ne jemi një menaxher i jashtëm dhe i pavarur nga bizneset.
CMG: Kjo platformë që ju keni krijuar mundëson punësimin e të rinjve që janë në kërkim të një pune në Shqipëri?
Muhamet Bizhga ne nje emision televiziv (Foto personale)
Muhamet Bizhga: Për të rinjtë shqiptarë në vizionin tim dhe në atë çfarë unë dua të realizoj është që të rinjtë të jetojnë dhe punojnë në trojet shqiptare. E thënë ndryshe nuk ka rëndësi se ku jeton një njeri, por ajo që i duhet është aksesi në internet, një laptop, një telefon smartphone dhe të mësojë disa aftësi për t’u përgatitur për tregun e punës. Të rinjtë që sot vijnë në Tiranë, mbarojnë një shkollë dhe pastaj kur kthehen në vendin e tyre nuk kanë më mundësi dhe e vetmja mundësi është të largohen nga Shqipëria. Nëpërmjet këtij sistemi që unë kam krijuar janë me qindra biznese të cilët kërkojnë një person që të bëjë ndërmjetsimin ndërmjet klitntave online dhe bizneseve fizike.
Intervistoi: Gazmend Agaj