BSH: rreziku i kredisë mund të rritet në të ardhmen afatshkurtët
2022-10-05 13:39:37

Banka e Shqipërisë publikoi Raportin e Stabilitetit Financiar për gjasht mujorin e parë të këtij viti, ku vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike, të jashtme dhe të brendshme. Në raportin e publikuar vlerësohet se  në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme më të ulëta se në periudhat e mëparshme, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë periudhës ishin pozitive, ndonëse rritja ekonomike dhe çmimet e larta të energjisë dhe të ushqimeve në tregun ndërkombëtar, ruajtën presione të theksuara inflacioniste.

”Për të administruar këtë skenar, nevojitet që bankat të evidentojnë ekspozimet e tyre më të ndjeshme dhe të ndërmarrin në kohën e duhur veprimet e nevojshme për mbulimin e rreziqeve, duke përfshirë krijimin e rezervave financiare dhe fuqizimin e pozicioneve të kapitalit. Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në sektorin bankar dhe në treguesit makroekonomikë e financiarë. Ky proces siguron që vendimet e politikave të institucionit t’i përgjigjen zhvillimeve aktuale dhe pritjeve që ndërtohen mbi to, duke synuar gjithmonë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar.”- thuhet në raport.

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Sipas publikimit në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë në vendin tonë, ekonomia u zgjerua me ritme të mira gjatë periudhës. Rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2022 rezultoi 6% në terma vjetorë. Në këtë ecuri, kontribuuan pozitivisht konsumi, investimet dhe eksportet neto. Nivelet e punësimit u përmirësuan më tej dhe pagat u rritën me kontributin kryesor nga sektori privat. Ndikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe fuqia e kërkesës së brendshme, janë shoqëruar me presione të ndjeshme inflacioniste në vend.

“Rritja e çmimeve të konsumit qëndroi përtej objektivit të Bankës së Shqipërisë në fund të periudhës. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka nisur normalizimin e politikës monetare me qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme për kontrollin e inflacionit në afatin e mesëm. Në sajë të rritjes së fortë të të ardhurave, politika fiskale ka rritur kapacitetet financiare për të zbutur goditjen në sektorin e energjisë dhe ndikimin e inflacionit. Sidoqoftë, kapacitetet mbeten të kufizuara dhe efektiviteti i masave eventuale varet nga faktorë me pasiguri të lartë, duke përfshirë edhe ecurinë e situatës hidrike për prodhimin e energjisë në vend në stinët e vjeshtës dhe të dimrit të ardhshëm.”- shton raporti.

Në tregjet financiare thuhet se volumet dhe çmimet e transaksioneve, përgjithësisht kanë shënuar rritje. Tregu parësor i titujve të borxhit mbizotërohet nga titujt e borxhit të Qeverisë Shqiptare. Vëllimi i titujve të borxhit në lek të emetuar nga qeveria gjatë gjysmës së parë të vitit ishte më i lartë në krahasim me atë të gjashtëmujorit të mëparshëm, por i krahasueshëm me atë të një viti më parë. Vëllimi i titujve të borxhit të emetuar në euro ishte më i ulët se vlera që maturohej.

“Në emetimet e titujve afatshkurtër vijojnë të mbizotërojnë bonot e thesarit me maturim 1-vjeçar, ndërsa në emetimet e titujve afatgjatë peshën kryesore e zënë obligacionet me maturim 2-vjeçar. Norma mesatare e ponderuar e interesit të titujve në lekë është rritur dhe në fund të periudhës arriti në nivelin 2.5%. Gjatë periudhës, rritja e normës mesatare të interesit për titujt e borxhit afatshkurtër ishte 0.3 pikë përqindje, dhe në fund të gjashtëmujorit të parë, norma arriti në nivelin 1.9%. Për titujt e borxhit afatgjatë, kjo rritje ishte 0.2 pikë përqindje në nivelin 3.5%, ndërsa për emetimin 2-vjeçar në euro, norma e interesit u rrit me 0.2 pikë përqindje, në nivelin 2.2%. “- thekson raporti.

Sa i takon kredisë, megjithë përmirësimin e shënuar gjatë periudhës, rreziku i huasë mund të rritet në të ardhmen afatshkurtër.

“Gjatë periudhës, cilësia e kredisë u përmirësua. Teprica e kredive me probleme zbriti me 0.7 miliardë lekë gjatë periudhës, në 37 miliardë lekë, dhe kjo vlerë ishte pothuaj 7.3 miliardë lekë më e ulët se një vit më parë. Raporti i kredive me probleme zbriti në 5.3%. Përmirësim është vënë re në të gjitha llojet e kredisë sipas afatit, sektorit dhe valutës. Përmirësimi i cilësisë së kredisë konfirmohet edhe nga tregues të tjerë plotësues. Tkurrja e stokut të kredive me probleme lidhet me riklasifikimin e kredive me probleme në klasa më të mira, fshirjet e kredive të humbura, si dhe shlyerjen e një pjese të kredive me probleme. Krijimi i provigjioneve për rrezikun e kredisë ka qenë më i ulët se rënia e kredive me probleme. Si rezultat, raporti i mbulimit me provigjione të kredive me probleme zbriti me 5 pikë përqindje gjatë periudhës, në nivelin 63%”- thuhet ne publikimin e bankës qendrore.

kredi (Foto revista monitor)

kredi (Foto revista monitor)

Brenda periudhës së marrë në analizë rezulton se përmirësimi i cilësisë së kredisë ishte i përqendruar në tremujorin e parë të vitit 2022, ndërsa në tremujorin e dytë të vitit cilësia e kredisë shënoi një rënie të lehtë.

“Ky proces mund të lidhet me zhvillimet që pasuan nisjen e luftës së Rusisë në Ukrainë. Në fakt, zhvillimet ndërkombëtare dhe ecuria e situatës energjetike, mund ta përballin ekonominë me një panoramë sfiduese. Mundësia që për shkak të kostove të larta të energjisë, ekonomia të ngadalësohet dhe të ardhurat e bizneseve e të familjeve të bien, duket reale. Kjo mund të sjellë një ndikim negativ mbi cilësinë e portofolit të kredisë së bankave. Rreziku i likuiditetit të sektorit bankar mbetet i kontrolluar. Pozicioni i likuiditetit të sektorit bankar mbetet në nivele të mira dhe treguesit e likuiditetit vijojnë të qëndrojnë dukshëm mbi kufijtë rregullativë. Aktivet likuide të bankave janë pakësuar, ndërsa detyrimet afatshkurtra shënuan rritje të lehtë gjatë periudhës”, nënvizon raporti

Ndërkohë depozitat vijojnë të mbulojnë më shumë se dy herë vlerën e kredisë, edhe sipas monedhave të veçanta. Hendeku midis aktiveve dhe pasiveve për shportën e maturiteteve deri në 3 muaj u zgjerua lehtë, por hendeku i përgjithshëm mbetet pozitiv dhe pa ndryshime ndaj periudhave të kaluara.

“Diferenca mes afatit mesatar të maturimit të aktiveve dhe të detyrimeve, është ngushtuar lehtë. Sektori bankar nuk përdor linja financimi nga grupet bankare zotëruese. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut u paraqit në rënie gjatë periudhës, por kërkon monitorim të kujdesshëm gjatë muajve të ardhshëm. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë të kursit të këmbimit është zbutur gjatë periudhës dhe mbetet ndjeshëm nën kufirin rregullator. Ekspozimi i bankave ndaj rrezikut të tërthortë të kursit të këmbimit ka ardhur duke u rritur gjatë periudhës, në kushtet e rritjes së kredisë në valutë për rezidentët. Megjithatë, tkurrja e kredisë në valutë të pambrojtur nga kursi i këmbimit gjatë periudhës, e zbut efektin e materializimit të këtij rreziku.”, thekson raporti

Si 6 mujor gjendja financiare e individëve dhe bizneseve u paraqit e qëndrueshme. Gjatë periudhës, individët dhe bizneset thelluan pozicionet e tyre financiare, respektivisht si “kreditor neto” dhe “debitor neto”.

Kreditë (Foto Monitor)

Kreditë (Foto Monitor)

“ Rritja e pozicionit për individët gjatë periudhës ishte rreth 2%, ndërsa zgjerimi i pozicionit për bizneset ishte rreth 4%. Në terma vjetorë, ecuria ishte e ngjashme për individët, ndërsa për bizneset pozicioni financiar si “debitor neto” shënoi rënie gjatë vitit të fundit. Si për individët ashtu edhe për bizneset, ndryshimet në pozicionet respektive kanë ndodhur në kushtet e rritjes së njëkohshme të depozitave dhe të kredive. Individët kursejnë kryesisht në valutë dhe financohen kryesisht në lekë. Për bizneset, preferenca për valutën është shfaqur në kursime dhe në financim.”- thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.