Historia e fustanellës shqiptare
2022-10-05 14:56:47

Një nga veshjet më karakteristike të shqiptarëve që e gjejmë pothuajse në të gjithë territoret ku jetojnë shqiptarë është fustanella.

Në shekujt XVIII – XIX, kjo veshje ka tërhequr vëmendjen e shumë udhëtarëve të huaj, funksionarëvë, diplomatëve dhe artistëve të shumtë, të cilët kanë vizituar ato vite Shqipërinë. Në dokumentime të shumta të kohës, kryesisht nga udhëtarë anglezë, fustanella përshkruhet si veshje karakteristike e shqiptarëve, pavarësisht përhapjes që kishte kjo veshje përtej kufijve të sotëm të Shqipërisë.

fustanella- foto dosja.al

fustanella- foto dosja.al

Në mënyrë të gabuar shpesh herë thuhet se ajo është një veshje kombëtare e përdorur vetëm në jug të Shqipërisë, por në fakt fustanellën e gjejmë edhe në veri, prandaj ajo mund të konsiderohet si veshje e të gjithë shqiptarëve.

Që fustanella ka një përdorim të hershëm në Shqipëri kemi prova të shumta. Një dokument i vitit 1335 e liston fustanellën ndër objektet që iu konfiskuan një marinari në portin e lumit Drin në Liqenin e Shkodrës. Megjithatë, për shkak të qarkullimit të kulturave mes fqinjëve, e gjejmë në disa versione. Versioni shqiptar i fustanellës ka gjashtëdhjetë pala. Vetë fustanella bëhet prej copave të trasha të lirit të endura në kushtet e shtëpisë.

Historikisht, ka qënë aq e gjatë sa mjaftonte për të mbuluar gjunjtë dhe linte të ekspozuar pjesën e poshtme të këmbëve. Zakonisht vishej nga shqiptarët e pasur të cilët gjithashtu mbanin në sup edhe një jatagan dhe një palë pisqolla argjendi në brez. Jatagani dhe pisqollat përdoreshin më tepër për arsye dekoracioni. Gjithashtu veshja karakterizohet nga këmisha e bardhë, festa, xhaketa e qëndisur me ar, brezi i gjerë, të gjitha në ngjyrë të kuqe dhe plotësohet si veshje nga pantallonat e kuqe deri te gjuri, me dollakën me të njëjtën ngjyrë.

Shqiptarët kanë jetuar prej shekujt me këtë pasuri etnografike, ndoshta pa e ditur mirë vlerën e tij. Ata nisën ta kuptojnë rëndësinë e veshjes, kur të huajt nisën në shkruanin për të.

Nuk ka dyshim që në këtë plejadë udhëtarësh që vizituan territoret shqiptare në këtë kohë, vendin më të rëndësishëm e mban poeti Lord Byron që ishte nga të parët që vizitoi Janinën e Tepelenën por la pas dhe një monument letrar si poema epike “Shtegtimet e Child Haroldit”. Në krijimtarinë e tij, ai vizaton shqiptarët me trimëritë të e tyre, por ndalet edhe tek përshkrimi i veshjes, i cili me sa duket e ka impresionuar poetin.

Fustanella per burra dhe gra- foto gazeta Tema

Fustanella per burra dhe gra- foto gazeta Tema

Ai u mrekullua nga kostumi me fustanellë, të cilin madje e përshkruan shpeshherë dhe në vargjet e tij në poemën e famshme“Child Harold”. Bajroni kur flet për shqiptarët, një nga elementët që thekson pas karakterit dhe trimërisë së madhe, ishte veshja, e cila i tërheq një vëmendje të veçantë. Në shënimet e tij shprehet: “Arnautët ose Shqiptarët më kanë bërë shumë përshtypje për ngjasimin që kanë me malësorët e Skocisë, në veshjen, pamjen dhe mënyrën e jetesës...”

Shkrimtarit i bëri përshtypje të veçantë veshja e shqiptarëve jo vetëm për nga kompozimi i tyre, por edhe për nga shtrenjtësia e materialeve që përdoreshin për të. Në një letër drejtuar nënës së tij ai shkruan: Kam disa petka madhështore shqiptare, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vënd. Kushtojnë 50 guinea secila dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 guinea.

Vlerësimi dhe vëmendja e madhe që kishte pasur Bajroni ndaj veshjes së shqiptarëve, kishte nxitur dhe vëmendjen dhe interesimin e gjithë udhëtarëve të huaj, të cilët kishin vënë re vërtetësinë e fjalëve të tij.

     Një tjetër udhëtar që përmend fustanellën shqiptare është Henri Holland. Në librin e tij për udhëtimin që bëri nga viti 1812-1813, përshkruan gjithashtu të njëjtin kostum që përmendte Bajroni, madje e shoqëron me një gravurë me titull “Ushtari shqiptar në Prevezë”.

Sipas studiuesit Dorian Koç, përhapja e fustanellës , veshjes kombëtare të shqiptarëve ndërmjet popullsive të tjera fqinje të Ballkanit si grekët dhe turqit na vjen përmes dëshmisë së historianit anglez Xhorxh Finleit, i cili në një udhëtim të bërë në gjithë Perandorinë Otomane, Shqipëri, Maqedoni, Greqi, etj., vuri re se veshja e zakonet  shqiptarëve vlerësoheshin në mënyrë të veçantë dhe imitoheshin. Ai shprehet “.... madje dhe turqit, që gjithmonë kanë ndikuar shijet dhe zakonet ushtarake, u bënë imitues të shqiptarëve”.

Sipas tij, ishte bërë një gjë jo e pazakonshme, që në Greqi e në Maqedoni, që të shihje fëmijët e osmanllinjve të veshur me fustanella ose me fundin e bardhë të toskëve. “Madje dhe të rinjtë grekë me pozita guxuan që ta pranonin këtë veshje, veçanarisht kur bënin rrugëtime, meqë ajo u jepte mundësinë që të mbanin armë”.

fustanelle - fot gazeta Tema

fustanelle - fot gazeta Tema

Të gjitha këto dëshmi si dhe shumë të tjera, hedhin dritë mbi influencën etnografike të shqiptarëve, që përveçse zakoneve dhe mjeshtërive të tyre të luftimit, u kishin imponuar nga ana estetike dhe veshjen e tyre kombëtare popullsive të tjera në Ballkan. Aq e vërtetë ishte ky fakt sa dhe më vonë pas themelimit të shtetit kombëtar grek, fustanella u bë gradualisht pjesë e krenarisë kombëtare dhe e një kostumi shumë të nderuar, nisur kjo dhe nga fakti që shumica e heronjve të Revolucionit grek kishin qenë veshur me fustanellë por edhe pse grupi i madh etnik i arvanitasve me origjinë shqiptare e kishte pjesë të veshjes së vet tradicionale.

Në Greqi kostumi me fustanellë u bë i modës në shtresat e larta të shoqërisë greke, vecanarisht në kohën e mbretërimit të Othonit e të priceshës Amalia. Mbreti duket se e pëlqente këtë kostum dhe në shumë raste ceremoniale e vishte dhe vetë.

Në përfundim të këtyre konstatimeve, duhet të theksojmë se fustanella shqiptare si një nga veshjet tradicionale shqiptare duhet ruajtur dhe promovuar si një nga format më të larta të artit popullor shqiptar, pasi me të drejtë ajo jo vetëm që është një shprehje e hapur e identitetit tonë kombëtar por në të njëjtën kohë është dhe një dëshmi e gjallë e ekspansionit tonë kulturor në Ballkan, gjë që deria më tash s'e ka arritur asnjë formë tjetër artistike.

Përgatiti: Neritana Kraja