Muzika për shumë njerëz është vetë jeta. Shumë të tjerë e kanë ndërtuar jetën mbi muzikën. Ky është rasti i një çifti tepër simpatik, të cilët thyen çdo barrierë për të qenë bashkë dhe për të bërë muzikë. Bardh Vrapi e nisi karrierën e tij muzikore në qytetin e Durrësit, ku u bë i njohur për këngët e bukura në dasma dhe serenatat e mbrëmjeve.
Fati më pas bashkoi Bardhin me Liljanën në një koncert live ku të dy ishin duke performuar. Që nga ajo ditë ata thonë se " Muzika mori jetë për të dy".
E ndoqën karrierën e tyre muzikore si në Shqiperi ashtu edhe jashtë saj, ndërsa sot këndojnë shqip së bashku këngët e e bukura popullore dhe të lehta. Bardh dhe Liljana Vrapi janë shembulli i dashurisë së vërtetë, e cila forcohet teksa vitet kalojnë. Ata vijnë në një rrëfim për jetën dhe karrierën e tyre.
CMG : Liljana cilat janë impresionet e tua të momentit?
Liljana Vrapi : Epoka në të cilën jemi duke jetuar është e tillë që na ngarkon me strese dhe probleme që i përkasin të gjithë botës, duke nisur që nga situata e Covid-19 dhe deri tek problemet e jetës sociale. Ajo që mua më ka mbajtur me shije të mirë dhe impresione të mira është muzika. Përtej çdo problemi që mund të kemi ne dimë ta vleresojmë jetën dhe ta shijojmë atë në maksimum.
CMG: Po për ju Bardh?
Bardh Vrapi: E dini edhe ju vetë besoj që jeta dhe përjetimet nuk rrëfehen në pak rreshta. Një shprehje e bukur shqiptare thotë " Gurë Gurë bëhet kalaja". Edhe jeta jonë kështu ka qenë, ngadalë kemi ndërtuar çdo gjë. Kemi arritur deri këtu në këtë ditë bashkë duke pasur një sinqeritet të madh me njëri-tjetrin dhe dashuri të sinqertë.
CMG: Si ka qenë fëmijëria juaj?
Liljana Vrapi: Vajzat e kohës në të cilën unë kam jetuar kanë pasur tjetër fëmijëri. Kujtoj gjyshen apo nënën time, e cila kishte një kujdes të madh për mua. Nuk shoh të kem pasur një fëmijëri të jashtëzakonshme sepse vështirësitë ekonomike ishin prezente në çdo hap që hidhja. Por me bindje e them që kishte lumturi shumë.
Ishte një epokë e cila nuk vjen më në asnjë rrethanë. Patjetër që ndërmjet këtyre rrethanave vend zënë dhe vështirësitë, por sidoqoftë nuk kishte pabarazi ishte një ekonomi e njëjtë për të gjithë.
Bardh Vrapi: Edhe për mua njësoj. Ndryshe nga Lili unë arrij të kuptoj që kam pasur më tepër vështirësi ndoshta nga fakti që isha djalë dhe duhet të punoja më tepër se të argëtohesha, pasi ekonomia ishte e ulët si në çdo familje. Por, do veçoja nga epoka e fëmijërisë sime sinqeritetin. Ai ishte baza për çdo gjë nga aty niste çdo gjë.
CMG: Si ka nisur historia juaj e dashurisë?
Liljana Vrapi : Ka qenë diçka tepër e bukur. Bardhi në atë kohë këndonte muzikë në një dasmë. Unë gjithashtu isha ftuar të këndoja në atë dasmë. Si duket ishte gjithçka e shkruar për të ndodhur në të njëjtin vend. E njihja Bardhin prej shumë kohësh. Në fakt, e njihte gjithë qyteti i Durrësit. Kur e kam njohur familja ime nuk ishte dakord që unë të martohesha dhe ta ndaja jetën me të. Kjo ka qenë për mua një periudhë shumë e vështirë. Bardhi pas kësaj u largua prej meje larg Shqipërisë dhe mendova që gjithçka mori fund. Por pas dy vitesh ai shfaqet sërish dhe këtë herë me qëllimin për të më marrë dhe larguar nga Shqiperia nëse kjo ishte e vetmja mundësi.
Ndonjëherë historia jonë më ngjan si një film me fund të lumtur. Ne u ribashkuam për të mos u ndarë kurrë.
CMG: Bardh, pasi ju ikët nga Shqipëria ju merrte malli për diçka konkrete?
Bardh Vrapi : Unë isha shumë i mërzitur me gjithçka kur vendosa të iki. Isha një artist që këndoja dhe jepja shumë nga vetja ime dhe nuk po gjeja më vlerësimin që duhet të merrja dhe kjo jo për faj të njerëzve, por të sistemit të asaj kohe. Megjithatë rrugicat që më rritën i kujtoj gjithmonë me mall dhe miqtë e fëmijërisë të cilët lanë tek unë kujtimet më të bukura të jetës. Jeta është vërtet si një libër ashtu siç edhe Lili e tha, ne jemi një fund i lumtur.
CMG: Cila është fjala që të dy e doni më tepër?
Bardh dhe Liljana Vrapi: E duam shumë fjalën "Liri". Sepse ne kemi luftuar për të qenë të lirë në dashurinë dhe jetën tonë në tërësi. Jeta nuk mund të konceptohet pa lirinë, kudo qoftë në familje, shoqëri dhe mbi të gjitha zgjedhje dhe dashuri.
CMG: Çfarë është muzika për ju?
Bardh Vrapi: Kjo është pyetja më e bukur që mund të më bëhet.
Muzika është 70% e jetës sime. 30% është familja dhe çdo gjë tjetër, por muzika është më shumë se gjithçka. Unë jetoj për muzikën dhe nga muzika. Këndoj jo për t’u pasuruar në xhepa, por në shpirt.
Liljana Vrapi : Edhe për mua. Muzika më njohu me dashurinë e jetës ndaj tek unë do të mbetet vetë jeta ime.
CMG: Çfarë vlerësoni më tepër ju tek njeri-tjetri?
Bardh Vrapi : Më së shumti unë vlerësoj që Liljana tek unë ka parë dashurinë e vërtetë. Ka pasur momente luhatje mes nesh, por respekti ka qenë i ndërsjelltë ajo për mua dhe unë për të. Shpesh më kërkon që të jem në nivelet e perfeksionit, por asnjë burrë nuk është perfekt prandaj dhe është një grua që fshihet pas suksesit të një burri. Më pëlqen që ajo është kërkuese.
Liljana Vrapi : Unë tek Bardhi vlerësoj që është njeri i dashur dhe më bën edhe për të qeshur. Buzëqeshja është arma më e fortë për ne.
CMG: A mund të na tregoni të dy definicionin që ka për ju familja?
Bardh Vrapi : Familja qëndron mbi të gjithë dhe mbi gjithçka. Për mua familja është si atdheu.
Liljana Vrapi : Unë do thoja që : "Nëse do të ecësh në jetë duaj dhe respekto familjen”
CMG : Liljana a ju ka bërë ndonjehere për të qarë bashkëshorti juaj nëpërmjet këngës?
Liljana Vrapi : Po me një këngë që edhe tani nëse ma këndon unë do qaja. Është sinjali ynë i parë i dashurisë.
Intervistoi Megi Latifi