Rëndësia e këshilimit të karrierës për maturantët
2022-10-04 10:05:46

Dilemat e maturantëve shqiptarë janë të shumta kur vjen momenti për të vendosur për studimet e tyre, duke i konceptuar këto studime si rruga që do t’u sigurojë të ardhmen. Këshillimi është i nevojshëm për ta në këto momente, pasi ka akoma të rinj që nuk kanë zgjedhur. Këshilluesja e karrierës Kumrie Zika për Grupin Mediatik të Kinës tregon se ku është i prirur tregu vitet e fundit.

“Për studentët është shumë i nevojshëm këshillimi i karrierës dhe fillimi qysh herët në klasat fillore, por në Shqipëri sapo ka hyrë, kështu që për studentët është i rëndësishëm për t’i orientuar drejt mundësive që ka tregu. Njëkohësisht kanë nevojë për një orientim se çfarë kërkon tregu dhe për të dretjuar dëshirat e tyre. Kështu që kjo mbetet një dilemë dhe varet nga qëllimi që ata kanë, shumica kanë synim të ikin diku jashtë të punësohen, sigurisht që ndikohen nga prindërit, nga dëshirat që ata nuk i kanë realizuar për veten e tyre.”, u shpreh Zika

Këshilluesja e karrierës shpjegon disa nga degët që janë më të kërkuarat në vendin tonë gjatë këtyre viteve si dhe cili është orientimi i të rinjve. Sipas saj, vajzat zgjedhin më tepër arsimin dhe shëndetësinë, ndërsa djemtë janë të prirur drejt zgjedhjes së degëve inxhinierike.

“Profesionet më të kërkuara në Shqipëri janë ekonomi/ financë, teknologji e informacionit, marketing, zhvillim programesh, bota digjitale, inxhinieria, mekatronika, prodhim/Industria kimike, dizenjim, shërbime. Të rinjtë gjithnjë e më tepër duket se po orientohen drejt tregut të punës për të përfunduar studimet e larta.  Biznesi dhe zhvillimet kompjuterike, administrimi dhe ligji janë degët me numrin më të lartë të të diplomuarve vitin e fundit. Më shumë se  ¼ e studentëve sipas Institutit të Statistikave ka përfunduar një prej këtyre fakulteteve. Më pas renditet inxhineria, prodhimi dhe ndërtimi programe të përzgjedhura më së shumti nga djemtë. Ndërsa vajzat kanë pëlqyer studimet e larta në degë që kanë lidhje me shëndetesine dhe shkencat sociale,politike dhe psikologjike. Arsimi vijon të mbetet një prej degëve që përzgjidhet më shumë nga  vajzat ndërsa teknologjia e informacionit nga djemtë”, tha ajo.

Të rejat dhe të rinjtë në Shqipëri përballen me vështirësi për t’u orientuar dhe integruar në tregun e punës. Kanë mungesë informacioni dhe hasin vështirësi për të bërë zgjedhjet e duhura dhe të mirë informuara për karrierën. Për të plotësuar nevojat e tyre për punësim, këshillimi i karrierës punon për të gjetur mënyrat dhe mekanizmat e duhur për të lidhur punëkërkuesit me tregun e punës, sipas aftësive, nevojave dhe interesave që ata kanë.

“Edhe pse një student ka fituar këtu të dhjetë preferencat përsëri në vit gati 10% e studentëve shqiptarë zgjedhin të ikin jashtë vendit,  pasi Shqipërinë e shohin si një vend jo të perspektivës dhe me shumë pak mundësira për karrierë dhe rroga të larta.”, shpjegon ekspertja.

 Këshillimi i karrierës kontribuon në zgjedhje më të mira sa i takon edukimit dhe punësimit. Gjithashtu ai ndihmon në një artikulim më të qartë të kërkesës për të nxënë, përmirësimin e aksesit në edukim dhe përmirësimin e përputhshmërisë mes kërkesës dhe ofertës për punë.