5 milion turistë e 667 e 121 vizitorë të huaj janë regjistruar në Shqipëri këtë vit deri më 30 shtator. Ka një rritje të turistëve me 29% më shumë se viti i kaluar. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro bëri bilancet e sezonit turistik veror 2022 në një takim me të pranishëm kryeministrin Edi Rama, ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Brahimaj, kryetarët e bashkive, prefektët e qarqeve dhe gjithë aktorët e tjerë që kanë bashkëpunuar në mbarëvajtjen e sezonit.
Ministrja Kumbaro u shpreh se 5.6 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në këto 8 muaj, duke e bërë sezonin më të suksesshëm turistik për sa u takon shifrave.
“5 milion e 667 e 121 vizitorë të huaj kemi shënuar këtë vit deri më 30 gusht. Mund të themi që kemi pasur 29% më shumë vizitorë se viti i kaluar. Kjo tregon një rritje të reputacionit të Shqipërisë. Lëvizjet e tyre tregojnë se ka pasur diversifikim në ofertën turistike”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, duke përmendur rezultatet pozitive të sezonit turistik në mbyllje, informoi se puna për sezonin veror të vitit 2023 ka nisur që tani, me synimin për ta mbyllur procesin brenda këtij viti.
“Me miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM për përcaktimin e stacioneve të ankorimit të mjeteve lundruese siç janë motorët e ujit, skafet, pedalonët dhe e gjithë gama që përdoret për aktivitet ekonomik turistik, grupi i punës ka identifikuar këto pika në çdo bashki bregdetare. Ashtu siç lidhen kontratat për stacionet e plazheve, ashtu do të bëhet edhe aplikimi dhe lidhja e kontratës me subjektet ekonomike që do të menaxhojnë këto stacione të parkimit për turizmin detar; Operatorët e turizmit detar duhet të pajisen me certifikatë të posaçme nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, sepse pa këtë certifikim asnjë operator ekonomik i turizmit detar s’do të mundet ta ushtrojë aktivitetin. Aplikimet për menaxhimin e stacioneve të plazheve, që për këtë vit i kryem në muajin janar e shkurt, për sezonin e ardhshëm do të bëhen edhe më shpejt. Sistemi i aplikimeve do të hapet në muajin nëntor, me qëllimin që brenda këtij viti të mbyllen të gjitha procedurat për sezonin e ardhshëm”, tha Kumbaro.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha në takim se qeveria e konsideron turizmin si një sektor strategjik dhe për këtë arsye vitet e fundit vëmendja dhe investimet në këtë sektor janë rritur, sidomos ato në infrastrukturë. Ministrja garantoi se mbështetja për sektorin e turizmit do të vijojë edhe në vitet në vijim, pasi shprehu besimin se potenciali i sektorit është shumë më i lartë se sa aktualisht.
“Viti 2020 ishte një vit që na tregoi se ky sektor dhe investimet që qeveria kishte bërë për këtë sektor ishin të duhurat, pasi gjithë ngadalësimi që ndodhi ishte kryesisht nga frenimi i sektorit të turizmit. Që në vitin 2021 ne patëm një rikuperim të mirë të shifrave të turizmit, patëm një rritje qoftë të nivelit të punësimit, qoftë të nivelit të qarkullimit, qoftë të numrit të bizneseve, ndonëse edhe ky vit pati reduktime përsa i përket lëvizjeve ndërkombëtare.
Në këtë vit, kontributi i sektorit të turizmit në GDP-në e vendit rezultoi 7.5%. Kur them për sektorin e turizmit, e kam fjalën vetëm për ato struktura që lidhen ngushtësisht dhe drejtpërdrejt me turizmin, pra hotelet, restorantet, agjencitë e udhëtimit apo kompanitë e dhënieve me qira të shtëpive apo makinave”, tha Ibrahimaj
Sipas saj “nëse do ta zgjerojmë pak më tej dhe nëse do të shohim dhe kontributin e atyre sektorëve që indirekt kontribuojnë në turizëm, si sektorët e transportit, të investimeve në struktura turistike, në ndërtime hotelesh, në ndërtime rrugësh, në ndërtime marinash etj, ky kontribut shkon rreth 17.5 për qind. Pra, sot kemi një sektor me kontribut që shkon deri në 17.5% të GDP-së, ndërsa nëse kthejmë kokën 10 vite më parë, sektori i turizmit kishte një kontribut 3 deri në 5 % të GDP-së.”
Sa i përket vitit 2022, Ministrja e Turizmit përmendi rritjen e numrit të turistëve që kanë hyrë në vend dhe tha se duhet ta zgjerojmë pak gamën e shifrave.
Gjatë këtij viti, vetëm për periudhën qershor-gusht, kemi pasur një rritje të qarkullimit të këtij sektori me 30 %, ku sigurisht ka pasur qytete me rritje më të lartë si Saranda dhe Durrësi, por të gjitha qytetet kanë pasur një rritje të qarkullimit në turizëm mbi 28%, ku mesatarja është 30%.”
Kryeministri Rama e vlerësoi sezonin turistik si surprizues, jo vetëm për sa i përket shifrave të të ardhurave, por edhe pastërtisë e shërbimit publik.