Të huajt në Kinë, dëshmitarë të shtimit të hapjes dhe përfitimeve të ndërsjella
2022-10-04 13:07:08


Vitet e fundit, dera e hapur e Kinës është hapur edhe më shumë. Të huajt që studiojnë, punojnë e jetojnë në Kinë, jo vetëm mund të shohin vetëbesimin dhe përgjegjësinë që tregon Kina me hapjen e saj të vazhdueshme, por mund të ndiejnë thellësisht edhe mundësitë që ka ofruar ajo për zhvillimin e botës.

Foto: VCG

Foto: VCG

I ri spanjoll Hong Wei, pas diplomimit në universitet, shkoi në qytetin Fuzhou të Kinës Jugore për të kërkuar mundësi. Sot ai punon në një kompani të tregtisë ndërkombëtare si menaxher shitjesh për pjesën e Fuzhou-t të Zonës së Tregtisë së Lirë të provincës Fujian. Ky vit shënon 7-vjetorin e krijimit të kësaj pjese. Gjatë disa vjetëve, shërbimet e përshtatshme administrative dhe masat për lehtësimin e tregtisë së jashtme të shpallura nga Zona e Tregtisë së Lirë e Fujian-it e  kanë bërë Hong Wei-n të ndiejë përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit në Kinë. Shërbime të tilla tërheqin gjithnjë e më shumë të huaj si Hong Wei që të punojnë në Fuzhou.

“Ndiej se ata të Zonës së Tregtisë së Lirë të Fujian-it punojnë shumë shpejt. Për shembull, ata më ndihmuan për vizën dhe për formalitetet brenda vetëm disa ditëve. Një tjetër ndryshim është se në të kaluarën, duhej ta bëja këtë procedurë çdo vit, ndërsa tani në pesë vjet. Një pjesë e dokumenteve mund të ngarkohen në internet. Me të marrë kartën e punës, mund të shkosh menjëherë te Zyra e Kontrollit të Hyrje-Daljeve për të aplikuar për leje pune.”

Aktualisht, ka 21 zona pilot të tregtisë së lirë në mbarë Kinën. Ndërtimi i këtyre zonave, publikimi i listës negative për hyrjen e investimeve të huaja, zbatimi i ligjit të ri të investimeve të huaja... Kina ka shtuar gjithnjë e më shumë fushat e reja të hapjes dhe mjedisi i investimeve është përmirësuar gradualisht.

Gjatë dhjetë vjetëve, ekonomia kineze është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme dhe me cilësi të lartë, ndërsa tregu i kosumit është zgjeruar dhe është përmirësuar, duke tërhequr gjithnjë e më shumë investitorë të huaj të ndajnë përfitimet e mëdha nga ngritja e nivelit të konsumit në Kinë. Në vitin 2021, përdorimi real i investimeve të huaja në Kinë arriti në 1.15 trilion juanë, duke u renditur në vendin e dytë të botës, me një rritje 62.9 për qind në krahasim me vitin 2012.

Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës, Ekspozita Ndërkombëtare e Produkteve të Konsumit e Kinës, Panairi i Importit-Eksportit të Kinës dhe Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime ... zhvillimi i ekspozitave ndërkombëtare në Kinë jo vetëm u jep investitorëve të huaj mundësi për zhvillimin në tregun kinez, po edhe për të promovuar produktet e tyre në tregun botëror.

Hapja e Kinës pasqyrohet edhe te ndryshimet në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe tërheqja e talenteve të huaja. Në vitin 1996, me ftesën e Universitetit të Teknologjisë Kimike të Pekinit, profesori David G. Evans dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Komitetit të Mësimdhënies të Departamentit të Kimisë pranë Universitetit të Ekseterit të Mbretërisë së Bashkuar dhe shkoi në Kinë. Gjatë mbi 20 vjetëve aty, ai ka dëshmuar modelin e ri të Kinës për bashkëpunimin ndërkombëtar në shkencë e teknologji, me hapje e përfshirje më të mëdha dhe përfitime të ndërsjella.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

“Në të kaluarën, shumë të huaj mendonin se vinin në Kinë për ta ndihmuar Kinën dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar ishte një rrugë me një drejtim, por tani gjithçka është ndryshe. Tani bashkëpunimi ndërkombëtar është një rrugë me dy drejtime. Kurdo që profesorë dhe studentë nga universitete të famshme botërore, si Oksfordi e Kembrixhi, vizitojnë laboratorët tanë, ata thonë se kanë mësuar shumë. Tani ne mësojmë nga njëra-tjetri,” shprehet profesor Evans.