CMG-ja: Nuk mund të arrihet plani i ShBA-së, i Mbretërisë së Bashkuar dhe i Australisë për bashkëpunim bërthamor
2022-10-04 12:56:42

Në Konferencën e Përgjithshme të 66-të të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) që u mbyll ditët e fundit, amendamenti i ShBA-së, i Mbretërisë së Bashkuar dhe i Australisë për “normalizimin” e bashkëpunimit mbi nëndetëset bërthamore u mohua plotësisht. Ky është një tjetër dështim i planit të AUKUS-it pas atij në Bordin e Guvernatorëve të IAEA-së, vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Shtatorin e kaluar, të tre vendet shpallën bashkëpunimin e tyre në fushën e nëndetëseve bërthamore, çka ka krijuar shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Bashkëpunimi i tyre ka shkelur njëkohësisht tre traktate kryesore ndërkombëtare, vijon komenti.

I pari është Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT). Bashkëpunimi i të tre vendeve për sa u përket nëndetëseve bërthamore shënon herën e parë pas arritjes së këtij traktati që vende me armë bërthamore i japin publikisht një vendi pa armë bërthamore sasi të mëdha materialesh armësh bërthamore. Përveç sasisë së madhe, edhe uraniumi i pasuruar mbi 90 për qind është në nivelin e prodhimit të armëve bërthamore. Kjo shkel plotësisht përgjegjësitë e detyrimet e vendeve bërthamore dhe atyre jobërthamore për mospërhapjen bërthamore të përcaktuar nga NPT-ja.

I dyti është statuti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Sipas këtij statuti, Agjencia duhet të garantojë që ndihma e dhënë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e saj, nuk do të përdoret për qëllime ushtarake. Materialet bërthamore në nivelin e prodhimit të armëve, pajisjet e nëndetëseve bërthamore, reaktorët, si dhe ndihma përkatëse teknike që ShBA-ja dhe Britania planifikojnë t’i ofrojnë Australisë, kanë dukshëm qëllime ushtarake, duke shkelur drejtpërdrejt pikat e statutit të Agjencisë për mbikëqyrjen dhe kontrollin.

I treti është Traktati i Zonës së Lirë Bërthamore të Paqësorit Jugor. Ky traktat siguron një zonë pa armë bërthamore në rajonin e Paqësorit Jugor. Palët nënshkruese të tij janë angazhuar të mos vendosin ose testojnë në këtë zone asnjë pajisje të shpërthmit bërthamor, dhe të mos hedhin mbetje radioaktive dhe substanca të tjera bërthamore. Si vend nënshkrues, nëse Australia merr materiale bërthamore në gjendje për prodhimin e armëve bërthamore, është shumë e mundshme të krijohet ndotje bërthamore dhe të minohet krijimi i kësaj zone jobërthamore.

Nga këto mund të shihet që bashkëpunimi midis ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë është një projekt që shkel tre traktate dhe do të krijojë sfida të mëdha për sigurinë bërthamore rajonale. Nëse ai zbatohet, do të jetë një pengesë e madhe për procesin e mospërhapjes bërthamore në mbarë botën, e mbyll komentin e vet CMG-ja. (Li Huailiang/Artan)