Presidenti Begaj uron presidentin Xi Jinping për Ditën Kombëtare të Kinës
2022-10-04 11:30:40

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj i ka drejtuar një mesazh urimi presidentit kinez Xi Jinping me rastin e 73-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës.

Në mesazh kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve, duke e cilësuar Republikën Popullore të Kinës një vend mik dhe partner shumë të rëndësishëm ekonomik.

“Jam i sigurt se, falë marrëdhënieve tradicionalisht miqësore midis dy vendeve tona e ardhmja e tyre do të jetë edhe më e mirë, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Projektet madhore të iniciuara nga ju, “17+1” dhe “Një brez, një rrugë” i kanë pasuruar edhe më shumë këto marrëdhënie, ndaj dhe ju siguroj për dëshirën dhe vullnetin tim dhe të institucioneve shqiptare për t’i çuar edhe më tej këto marrëdhënie, në dobi të të dy vendeve dhe popujve tanë miq”,- theksohet në mesazhin e urimit të presidentit shqiptar Begaj drejtuar homologut të tij kinez Xi Jinping.

Këtë mesazh e ka përcjellë në rrjetin social “Facebook” dhe ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding. (Fatosi)