Panairi One Vision nga Ballkani i Hapur, përfitimet e prodhuesve shqiptarë
2022-10-03 10:41:29

Panairi One Vision nga Ballkani i Hapur (Open Balkan) kishte në fokus promovimin e verërave ku morrën pjesë kompani të shumta ndërkombëtare. Pjesë e panairit ishin edhe kompani shqiptare të cilat u nderuan me 12 medalje.

Enio Civici (Foto Klan TV)

Enio Civici (Foto Klan TV)

Në një intervistë për mediat zv.Ministri i Bujqësisë Enio Civici tha se qëllimi i qeverisë është të përshtasë politikat më të mira për prodhuesit vendas.

“Panairi One Vision nga Ballkani i Hapur (Open Balkan), që u zhvillua  në Beograd dhe gjithë kjo iniciativë për të lehtësuar, përshpejtuar, hequr çfarëdolloj barriere traifore apo jo tarifore në secilin kufi në marrëdhënie tregtare mes tre shteteve tona, ka patjetër një ndër porduktet kryesore dhe rrushin apo verën apo gjithçka që lidhet me këtë kulturë. Kjo ishte një nismë por për ta bërë të qëndrueshëm, për t’i patur kompanitë shqiptare në nivel konkurues edhe më të lartë për të arritur edhe konkurimin direkt me prodhuesit evropianë është e rëndësishme që ne ta rregullojmë këtë treg, ta përmirësojmë, të gjejmë çfarëdolloj gjëje që nuk shkon dhe mbi të gjitha të adoptojmë politikat publike të duhura për të arritur prodhimin e veshtarisë, prodhimin e verës, për të rritur cilësinë e verës, sigurinë ushqimore të këtij produkti.”- u shpreh Civici.

Lidhur me këtë, qeveria po përmirëson ligjin për kadastrën e vreshtave që do të japë një panoramë më të qartë të situatës në Shqipëri dhe një gjurmueshmëri.

“Kjo patjetër që kërkon një rregull ligjor, që është një ligj dhe për këtë Ministria e Bujqësisë po punon bashkë me një pjesë të madhe të prodhuesve të verës, një pjesë të madhe të vreshtarëve, të fermerëve të vreshtave dhe njëkohësisht me të gjithë enologët, pra njohësit dhe pjesëmarrësit e këtij tregu. Është një ligj, i cili vjen për herë të parë dhe kërkon pikërisht të rregullojë këtë treg “- shton Enio Civici.

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit të Hapur në Panairin e Verës në Beograd  (Foto Klan Tv)

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit të Hapur në Panairin e Verës në Beograd  (Foto Klan Tv)

Kadastra do të ndihmojë edhe në identifikimin e  llojeve të verërave autoktone,  që prodhohen në vend.

“Fillimisht patjetër pjesë e saj dhe shumë e rëndësishme është krijimi i kadastrës vreshta. Pra, ne duhet të dimë, e dimë deri në një farë mase në këtë moment, por me anë të ligjit do të bëhet më e lehtë dhe e detyrueshme që të regjistrohet çdo vresht dhe çdo kultivar rrushi. Pra, do të dimë ku ndodhen vreshtat, do të dimë cilët janë të zotët, cilët janë fermerët, do të dimë çfarë lloj vere prodhohet nëpërmjet përpunimit të këtij rrushi, do të kemi siguri më të madhe ushqimore duke ditur origjinën dhe shumëllojshmërinë e produktit nga ferma në tavolinë dhe njëkohësisht do të kemi mundësi t’i rregullojmë sistemet e sigurisë të etiketave, t’i gjendemi më pranë prodhuesit të verës apo vreshtarit nëpërmjet rregullave të qarta qoftë juridike, fiskale, lehtësive që mund të krijojë ky ligj. Pra, qëllimi i ligjit është që sistemin dhe të gjithë funksionomin e vreshtave dhe prodhimin e verës në Shqipëri ta rregullojë dhe ta fuqizojë në mënyrë që edhe ekzistenca e një prodhuesi vere të mos jetë vetëm pasojë e punës së jashtëzakonshme personale, por edhe e gjithë sistemit që e ndihmon për të arritur suksesin.”-shton Civici.

Medalje për verën (Foto Facebook)

Medalje për verën (Foto Facebook)

Problemit të kostove të prodhuesve Civici i përgjigjet duke i bërë thirrje konsumatorit shqiptar  të konsumojë verë vendase.

“Çmimi me të cilin dalin prodhuesit në treg, nuk është se ti vendos të bësh një ligj apo një ndërhyrje shtetërore dhe do të uli çmimin. Më mirë është mos ta bësh. Ka shumë vend për verën. Ju besoj e dini që çdo turist që vjen dhe numri është shumë i madh çdo vit, kërkon të pijë verë shqiptare. Ne ndodhemi, të paktën unë besoj në këto pesë vitet e fundit, në një moment shpërthimi pozitiv të prodhimit të verës cilësore në Shqipëri. Jemi dominuar 20 vjet nga verërat e importit sepse kishim pak prodhues, kishim pak sasi dhe ajo e çmimit që ju thoni vjen nga aplikimi i ekonomisë së shkallës. Pra, duke qenë prodhues shumë të mëdhenj jashtë, kosto për një njësi është më e ulët kur ti prodhon shumë, ndërsa prodhuesi shqiptar edhe më i madh nuk e konkuron dot një italian apo francez në këto terma, prandaj edhe çmimi përfundimtar është më i ulët”, theksoi ai.

Zv.Ministri i Bujqësisë Civici tha  se duhet që edhe lokalet dhe restorantet të kenë minimalisht 30 përqind produkt vendi në tavolina.

“Unë besoj që ne duhet të punojmë në dy drejtime. Ne në drejtimin tonë Ministria e Bujqëisë dhe të gjithë  që merret me vreshtarinë dhe verën po punojmë që fillimisht të sensibilizojmë dhe edukojmë të gjithë njësitë tregtare që tregtojnë verë që të kenë minimalisht 20-30% produkt shqiptar. Aty ku vera duhet të dominojë meqenëse në restorante zakonisht është ajo dhe një hap i dytë i kësaj do të jetë patjetër dhe një lloj detyrimi, por fillimisht jemi pas sensibilizimit dhe edukimin sepse besojmë që kështu mund t’ja arrijmë nuk ka nevojë për detyrim, por nëse do të duhet është e rëndësishme që prodhimi shqiptar të jetë aty dhe dy është edukimi i konsumatorit. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që në fund të ditës kërkesa vjen nga konsumatori, nuk vjen as nga restoranti, as nga prodhuesi”- shton Civici.

Vera shqiptare në Beograd (Foto Facebook)

Vera shqiptare në Beograd (Foto Facebook)

Në kuadër të nismës “Ballkan i Hapur”, në Beograd u mbajt për herë të parë Panairi i Verës, ku morën pjesë 22 kantina prodhuese shqiptare të verërave si dhe kantina nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Panairi shërbeu jo vetëm për promovimin e kantinave, por dhe si një urë lidhëse mes prodhuesve të rajonit dhe vizitorëve ndërkombëtar, shkëmbim të eksperiencës në prodhim dhe si një mekanizëm më shumë për të eliminuar barrierat në tregtinë rajonale mes tre vendeve.

“Ngaqë vijmë 20 vjet nga mungesa e verës cilësore shqiptare në treg dhe këto 5 apo 10 vitet e fundit mund ta shohim verën cilësore që konkuron dhe tregjet ndërkombëtare, na duhet pak kohë që të edukojmë vetë konsumatorin dhe mirë do të ishte që ky emision, uroj që të shërbejë dhe për këtë, ta provojë verën shqiptare. Mos të niset me paragjykim, sepse ja ku janë turistët që janë gjithashtu njohës vere njësoj si ne, ndoshta kur vijnë nga Franca, Italia apo Spanja dhe më të mirë se ne dhe në fund të ditës duan të provojnë verën shqiptare. Kështu që, produkti cilësor është aty, prodhuesit e përgjegjshëm dhe cilësorë janë aty, produkti është, sepse në treg gjendet, mirë është që të edukohen në të dy drejtimet.”- tha në intervistën e tij për mediet zëvendësministri Civici.