TIFF ndan çmimet, 2 kineaste shqiptare mes fituesve
2022-10-03 11:23:47

Foto:RTSH

Përfundoi edicioni i 20-të i “Tirana International Film Festival” (TIFF), i zhvilluar në “Kinema Millennium”, ku janë ndarë çmimet për kineastët dhe filmat më të mirë, pjesëmarrës në këtë festival, njofton “RTSH”.

Filmi më i mirë i festivalit është shpallur filmi polak “Illusion” nga Marta Minrowicz, duke fituar çmimin “Bufi i artë”. “Bufin e argjendtë” e ka fituar “The Den” nga regjisorja italiane Beatrice Baldacci.

Regjisori më i mirë u vlerësua Vaclac Kadrnka, për filmin “Saving one who was dead”. Filmi i Kadrnka ishte bashkëprodhim mes Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Francës.

Me çmimin  “Skenari më i mirë” juria vlerësoi Ellie Foumbi, për skenarin e filmit “Our father, the devil”, film amerikano-francez i vitit 2021.

Shqiptarja Keti Stamo fitoi në kategorinë “Best Made in Albania”, me filmin “Sons of Cain” (Bijtë e Kainit), ndërsa kosovarja Flaka Kokolli u vlerësua me “Best Short Film in Albanian”, për filmin “Shpija”. (Fatosi)