Sejko: Inflacioni do të vazhdojë rritjen
2022-10-03 11:59:59

Guvernatori i Bankes se Shqiperise Gent Sejko (Foto Zeri.info)

Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë inflacioni do të vazhdojë të rritet edhe vitin që vjen dhe do të fillojë të bjerë më pas, për të arritur në objektivin e bankës qendrore prej 3% në mes të vitit 2024.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i pranishëm në konferencën rajonale të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të rajonit, mbajtur në Budva të Malit të Zi, tha se Shqipëria ashtu si gjithë rajoni po vuan nga inflacioni i lartë.

Banka ka rritur tre herë normat e interesit deri tani, duke i çuar në 1.75% dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë e kujdesshme në mënyrë që rritja e interesave mos të ndikojë negativisht ekonominë.

“Kemi hyrë në një periudhë të inflacionit të lartë dhe po përpiqemi ta parandalojmë pa ndikuar negativisht ekonominë. Po ndryshojmë politikën monetare duke rritur normat e interesit gradualisht që të mos dëmtojnë ekonominë, por nuk mund të bëjmë kompromis me stabilitetin e çmimeve”,- tha Sejko.

Guvernatori i BSH-së tha se ekonomia pritet të zgjerohet me ritme të kënaqshme këtë vit, në rreth 4%, ndërsa vitet në vijim rritja pritet të ngadalësohet në 2-3%.

Bazuar në shifrat e inflacionit, Banka e Shqipërisë pritet të vazhdojë me politikën shtrënguese monetare, duke harmonizuar politikën monetare me atë fiskale.

Guernatori theksoi se duhet të jemi të kujdesshëm për efektet që do të kenë normat e interesit në sektorin financiar si dhe të stabilitetit të kursit të këmbimit. Nëse kursi del nga kontrolli do të jetë me rrezik të lartë për ekonominë, pasi vendi ka ekspozim të lartë për huatë në euro, po ashtu dhe qeveria ka borxh në valutë. (Fatosi)