"C919", rruga e Kinës për prodhimin e pavarur të avionit të madh të udhëtarëve
2022-10-03 11:41:31

Foto:VCG

Foto:VCG

Në një fushë të hapur jashtë Qendrës së Prodhimit të Avionëve të Shangait pranë Korporatës së Avionëve Komercialë të Kinës (COMAC) gjenden të parkuar prej mbi 30 vjetësh dy avionë, një i tipit "Y-10" dhe tjetri "MD-82". Edhe pse nuk mund të fluturojnë dot më, ata kanë një domethënie të madhe për sektorin e aviacionit të Kinës dhe kanë dëshmuar zhvillimin e avionit të tipit "C919".

 

"C919" është avioni i parë i udhëtarëve i krijuar nga Kina dhe përbën një gur kilometrik në përpjekjet e Kinës për projektimin dhe prodhimin brenda vendit të avionëve civilë.

 

"C919", që synon të konkurrojë me avionët e udhëtarëve me rreze të mesme fluturimi, si "Airbus A320" dhe "Boeing 737 MAX", mori certifikatën e besueshmërisë nga Administrata e Aviacionit Civil e Kinës (CAAC) të enjten e kaluar.

 

Prodhimi i një avioni të madh është një proces i gjatë. Krijimi i avionit "C919" ka pasur luhatje gjatë përpjekjeve 50-vjeçare.

 

Avioni i prodhimit kinez "Y-10", me një trup të vogël dhe me katër motorë, e bëri fluturimin e parë më 26 shtator 1980. Më pas, ai kreu shumë fluturime eksperimentale komerciale në mbarë Kinën. Mirëpo, në vitin 1982 funksionimi i tij u ndërpre, pasi kapaciteti prodhues i Kinës në atë kohë nuk mund të mbështeste një projekt kaq të madh.

 

Disa vjet më pas, Kompania Industriale e Aviacionit e Shangait, në bashkëpunim me kompaninë amerikane "McDonnell Douglas", zhvilloi me sukses avionin "MD-82", që e bëri fluturimin përurues në korrik 1987.

 

Në vitin 1995, të palët filluan bashkëpunimin për montimin e avionit "MD-90", por "McDonnell Douglas" u bashkua me një kompani tjetër në dhjetor 1996 dhe bashkëpunimi me palën kineze ndaloi.

 

Kina në atë kohë filloi bashkëpunimin me vende të tjera mbi avionin civil, si ai i tipit "AE-100" me Francën dhe Italinë, por këto projekte nuk përfunduan mbarë.

 

“Arritëm në përfundimin që teknologjia thelbësore për avionin e madh nuk blihet me para dhe as nuk mund të shkëmbehet dot me tregun e brendshëm,” thotë Zhang Yanzhong, një këshilltar për projektin "C919".

 

Me publikimin e Programit Kombëtar për Zhvillimin Tekniko-Shkencor Afatmesëm dhe Afatgjatë nga qeveria kineze në vitin 2006, u shpall për herë të parë prodhimi i avionit të madh vendas e, qysh nga ajo kohë, ky proces është futur në një rrugë të shpejtë zhvillimi.

 

Në fillim nuk kishte mjaft besim, por me përvojën e mbledhur, Kina mori vendim që të prodhonte një avion rajonal, i cili mund të shërbente si "akullthyes" për procesin e mëvonshëm. Kështu filloi procesi i krijimit të "ARJ21", një avion rajonal me 78-90 vende i prodhuar nga COMAC.

 

Më 21 dhjetor 2007, avioni i parë "ARJ21" doli nga linja e prodhimit. Në gjashtë vjetët më pas, ai bëri mbi 5 mijë orë fluturime dhe 300 misione eksperimentale.

 

Në vitin 2007 u miratua edhe projekti për krijimin e avionit "C919".

 

"C919", me trup të ngushtë, është avioni i parë kinez i prodhuar me standardet ndërkombëtare të besueshmërisë dhe me të drejta të pavarura të pronësisë intelektuale.

 

Gjerësia e krahëve të "C919-s" është pothuajse 36 metra dhe gjatësia e trupit është afro 39 metra, ndërsa lartësia rreth 12 metra. Ai mund të mbajë 192 udhëtarë për një gjatësi fluturimi deri në 5 555 km. (Jiang Lei)