“Mount of Tirana” projekti fitues për qendrën shumëfunksionale në Tiranë
2022-10-03 10:45:51

Foto: Reporttv

“Mount of Tirana” nga kompania daneze “Cebra” u shpall projekti fitues për qendrën shumëfunksionale në Tiranë.

Projekti u vlerësua në një Konkurs publik Ndërkombëtar në Tiranë mes pesë studiove prestigjioze të arkitekturës.

Ndërtimi i ri ambicioz në Tiranë do të forcojë më tej profilin e metropolit rajonal të së ardhmes për kryeqytetin.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se qendra e re do të kompletojë kurorën rreth sheshit “Skënderbej”.

“Do të ketë disa hapësira, jo vetëm për zyra, por edhe për rezidencë, hoteleri dhe argëtim, që do të kompletojë kurorën rreth sheshit “Skënderbej”, ashtu siç ka qenë plani francez origjinal, në përputhje me kërkesat gjithmonë e në rritje të një qyteti që këtë vit është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe vitin tjetër, me shpresë do të jetë Kryeqyteti Europian i Sportit”,- tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha edhe lajmin se javën e ardhshme do të hapet gara për Teatrin e ri Kombëtar.

Juria ishte e përbërë nga kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe një grup arkitektësh të mirënjohur si Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti, Freek Persyn, të cilët vlerësuan propozimet mbi projektin “Tirana Multifunctional Center”. (Fatosi)