Më 30 shtator në mbarë botën, si edhe në Shqipëri, u kujtua Dita Ndërkombëtare e Përkthimit, një nga artet që vë në komunikim gjithë botën, që ndërton ura mes kombeve, që na bën të njohim botë të tjera, kultura dhe mendësi të tjera, shkrimtarë, poetë që ndoshta s'do të kishim mundësi kurrë t'i lexonim në gjuhën origjinale.
Dita e perkthimit ne COD- foto COD
Në varg kujtesash dhe aktivitetesh u zhvilluan këtë ditë, ku më i rëndësishmi prej tyre ishte takimi i zhvilluar nga Qendra për Hapje dhe Dialog, COD, në bibliotekën e Kryeministrisë, një takim për përkthimin e Biblës nga origjinali në shqip. Përkthimi që u prezantua në COD është botuar nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, pas një punë rreth 20-vjeçare nga një grup përkthyesish. Pjesë e panelit ishin Altin Hysi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë, Dom Marjan Paloka, meshtar i Kishës Katolike, Zefjan Nikolla, pastor, dhe Bruna Ndoci, koordinatore e projektit.
Takimi pati një interes të lartë nga përkthyes, gazetarë, shkrimtarë, studiues, profesorë e student, të cilët drejtuan pyetje mbi përkthimin, procedurën e ndjekur, mënyrën e bashkëpunimit, vështirësitë dhe çështje të tjera që lidhen me një vepër kaq angazhuese.
Një tjetër ngjarje interesante që lidhet me përkthimin tërhoqi vëmendjen e lexuesve. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, publikoi origjinalin e përkthimeve të Milto Sotir Gurrës të poezive të autorëve rus Ivan Nikitin dhe Maksim Gorkit, si një homazh për Milto Sotir Gurrën dhe shumë përkthyes të tjerë që nuk jetojnë më.
Aktivitete nga Qendra Kombetrae e Librit mbi perkthimin- foto Qendra Kombetare e Librit dhe Leximit
Gjithashtu, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në nder të Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, e veçanërisht të të gjithë përkthyesve shqiptarë, përgjatë gjithë muajit shtator solli në vëmendje punën e shumë prej përkthyesve më të spikatur. QKLL u shprehu mirënjohjen të gjithë përkthyesve, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku e vuri theksin tek rrjeti Traduki, pjesë e të cilit është dhe Shqipëria. Ky rrjet ka bërë që shqipja të jetë më e pranishme në rajon.
Falë aderimit në rrjetin Traduki, një hapësirë e rëndësishme komunikimi ku marrin pjesë Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtejn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, dhe Zvicra, libri shqip është më i pranishëm. Me anë të librave, përkthimeve dhe projekteve letrare, TRADUKI lidh Europën Juglindore me letërsinë e vendeve gjermanishtfolëse, si dhe letërsinë e vendeve të Europës Juglindore mes njëri-tjetrit. Falë Traduki-t ekziston një shkëmbim intensiv dhe i frytshëm midis gjuhëve dhe letërsisë, lexuesve, botuesve dhe skenave letrare në katërmbëdhjetë vende europiane. Ajo çka filloi si një eksperiment në vitin 2008, tani është shembull i gjallë i bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar shumëpalësh, duke ndërtuar ura përtej kufijve. Rolin kyç në këtë strukturë tashmë të konsoliduar e luajnë përkthyesit, puna e paçmuar e të cilëve, si ndërmjetës kulturor, i ka dhënë emrin Traduki-t.
faksimile- foto Drejtoria e Pergjithshme e Arkivave
Në këtë ditë një kujtesë e veçantë për përkthyesit e mëdhenj të gjuhës shqipe që nuk jetojnë më e një urim për të gjallët e sidomos të rinjtë, që, me dashuri për gjuhën shqipe, të mos rreshtin së sjelli në shqip, e nga shqipja në gjuhë të tjera, çka ushqen shpirtin, mendjen dhe zemrën e lexuesve. Kujtojmë figura të ndritura që i dhanë shumë letërsisë dhe gjuhës shqipe si Fan Noli, Faik Konica, Jusuf Vrioni, Pashko Gjeçi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Aleksander Zoto, Robert Shvarc, Vedat Kokona, Amik Kasaruho, Afrim Koçi, Nasi Lera, Zhak Pilika, Aristidh Ristani, Klio Evangjeli, Halit Selfo, Petro Zhei, Bujar Doko, Primo Shllaku, Edmond Tupe, Mira Meksi, Ramiz Lika, etj.
30 shtatori është përzgjedhur nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit, sepse 30 shtatori është festa e Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës, i cili konsiderohet edhe si shenjtori mbrojtës i përkthyesve. Shën Jeronimi ishte një prift nga Italia Verilindore, i cili njihet kryesisht për përpjekjet e tij për të përkthyer pjesën më të madhe të Biblës në latinisht nga dorëshkrimet greke të Dhiatës së Re. Ai gjithashtu përktheu pjesë të Ungjillit Hebraik në greqisht. Sipas studimeve, ai ishte me prejardhje ilire dhe gjuha e tij amtare ishte dialekti ilir. Ai mësoi latinishten në shkollë dhe fliste rrjedhshëm greqishten dhe hebraishten, të cilat i mori nga studimet dhe udhëtimet. Ai vdiq pranë Betlehemit, më 30 shtator 420. Dita e përkthimit ka nisur të festohej nga Federata Ndërkombëtare e Përkthimit që nga viti 1953. Në vitin 1991, Federata parashtroi idene e njohjes ndërkombëtare të Ditës së Përkthimit për të shprehur solidaritet të komunitetit mbarë botëror të përkthimit, si një përpjekje për të promovuar përkthimin profesional në vende të ndryshme, duke mos u kufizuar vetëm në ato të krishtera.
Faksimilie Gorki - foto Drejtoria e Pergjithshme e Arkivave
Dita Ndërkombëtare e Përkthimit është menduar si një mundësi për të nderuar punën e profesionistëve të gjuhës, që luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e kombeve, lehtësimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë botërore. Përkthimi është shpesh parakushti thelbësor për të hyrë në një kulturë universale, të shumëfishtë dhe të larmishme.
Por, a e dini se cilët janë autorët më të përkthyer në botë? Sipas OKB, vendin e parë e mban novelistja britanike, Agatha Christie me 7 236 përkthime dhe më pas vijojnë Zhyl Vern, shkrimtari francez i letërsisë fantastiko-shkencore me 4 751 përkthime, dramaturgu britanik, Ëilliam Shakespeare me 4 296 të tilla, të ndjekur nga Enid Blyton, Barbara Cartland, Danielle Steel, Vladimit Iliç Lenin, Hans Christian Andersen dhe Stephen King.
Kjo ditë është një mundësi për të shfaqur krenarinë për këtë profesion, që njëherësh është duke u bërë gjithnjë e më i domosdoshëm në fushën e përparimit global.
Neritana Kraja