Instalimi i paneleve diellore për familjet, çelet thirrja për aplikim për subjektet tregtuese
2022-10-03 11:42:04

Foto: Mtc

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi nisjen e zbatimit të programit për subvencionim për çdo familje që do të aplikojë për një njësi diellore për ngrohjen e ujit.

Programi u ndërmor për shkak të situatës së vështirë energjetike me të cilën po përballet Shqipëria dhe Europa.

Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë synon subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë.

MIE-ja informon se konsumatorët familjare duke ngrohur ujin përmes paneleve diellore kursejnë 20% nga fatura e tyre.

Kjo është thirrja e parë për aplikim, e cila i drejtohet subjekteve tregtuese të interesuara për ofrimin e shërbimit të shitjes dhe instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për 2000 konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.

Konsumatorët familjarë që do të aplikojnë për përfitim mase mbështetëse do mund të marrin shërbimin vetëm në një nga subjektet e publikuara nga Agjencia e Eficencës së Energjisë. (Fatosi)