Sopranoja Feride Istogu Gillesberg -“Muzika klasike është vlerë për zhvillimin e popullit”
2022-10-02 15:06:20

Feride Istogu Gillbesberg (Foto nga facebook)

Sopranoja Feride Istogu Gillesberg e pranishme në koncertin e mbajtur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në “Javën e Kulturës Kineze”, interpretoi për publikun shqiptar një këngë në kinezisht.

Ajo ka lindur në Kosovë, por në moshë të vogël me familjen emigruan në Gjermani. Feride momentalisht jeton dhe punon në Danimarkë me bashkëshortin dhe djalin e saj. Puna në Institutin Schiller e ka bërë të dashurohej me muzikën klasike, pasion të cilin filloi ta ndiqte 17 vite më parë. Ka interpretuar pjesë të zgjedhura të kompozitorit  Robert Schumann. Kohët e fundit ajo ka sjellë një projekt shumë të veçantë edhe për muzikën shqiptare, një projekt ku janë ripërpunuar këngët popullore të vjetra të pianistes së parë shqiptare Lola Gjoka. Në këtë projekt edhe danezët këndojnë në gjuhën shqipe dhe sipas sopranos “Muzika klasike është vlerë për zhvillimin e popullit”. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës  Feride na rrëfen për jetën e saj artistike, bashkëpunimin për Javën Kulturore Kineze, si dhe emocionet pranë publikut shqiptar.


Feride me grupin e artisteve (Foto musikalskdialog.dk)

CMG: Përshëndetje dhe mirë se vjen në programin "Muzika shqip" në Radio Ejani dhe Grupin Mediatik të Kinës!

Feride Istogu Gillesberg: Shumë faleminderit për ftesën!

CMG: Na tregoni për paraqitjen tënde në koncertin e mbajtur në Tiranë në "Javën e Kulturës Kineze"!

Feride Istogu Gillesberg: Unë këndova në këtë koncert një këngë dashurie kineze. 

CMG: Kur keni filluar të mësoni të këndoni në këtë gjuhë?

Feride Istogu Gillesberg: Kam katër vite që kam filluar të këndoj këngë në kinezisht sepse kam dëshirë që të krijoj një repertor me këngë në këtë gjuhë. Në Danimarkë ku jetoj me Institutin Schiller kam realizuar koncerte me dialog midis kulturave. Në atë koncert  kishte këngë në gjuhë të ndryshme sepse arsyeja e shoqatës time është bashkëpunimi midis njerëzve, mirëkuptim i kulturave të njëri- tjetrit, sepse ne jemi të gjithë njerëz dhe duhet të krijojmë lidhje midis njerëzve.


Feride dhe grupi i artisteve (Foto musikalskdialog.dk)

CMG: Në sa gjuhë të huaja keni kënduar?

Feride Istogu Gillesberg: Unë këndoj në gjermanisht, danisht,  italisht, anglisht, kinezisht dhe shqip.

CMG: Keni lindur në Kosovë, por si arritët deri  në Danimarkë?

Feride Istogu Gillesberg: Po, kam lindur në  Drenicë të Kosovës, jam rritur në Gjermani, pasi babai filloi punë aty dhe dëshironte që të na jepte një të ardhme më të mirë.

CMG: Sa kohë studiuat  muzikë deri në momentin që u prezantuat  profesionalisht?

Feride Istogu Gillesberg: Unë fillova në moshën 32 vjeçare, atëherë  hyra thellë në muzikë sepse më përpara isha vetëm në kor edhe gjithmonë kam thënë; "po pse është muzika kaq e rëndësishme”?. Dhe tani që kam punuar më tepër me këndimin dhe e ndjej një vetëbesim "se mundem", e kuptoj se muzika po më relakson, është një rekalsim shumë i mirë për shpirtin. Mendova që të merrem me muzikë dhe të investoj kohën kur jam e trishtuar, e mërzitur, kur kam nevojë që të mësoj diçka tjetër. Më pas realizova një koncert me pjesë nga kompozitori i madh Schumann, këndoj si soliste në Danimarkë, organizoj koncerte, etj. Kam shumë dëshirë të bashkëpunoj midis artistëve, ku unë nuk dua të jem në qendër, por më pëlqen që të vendos në qëndër bashkëpunimin midis artistëve.

CMG: Kur ka nisur ky bashkëpunim për koncertin e zhvilluar në kuadër të "Javës  Kulturore  Kineze"?

Feride Istogu Gillesberg: Ky bashkëpunim ka nisur rreth dy muaj më parë, kur kërkova një takim me Ambasadorin Kinez. Unë jam iniciatorja për incizimet e këngëve të pianistes Lola Aleksi Gjoka, të cilat i kam realizuar në bashkëpunim me disa artistë danezë, tenorë dhe muzikantë, të cilët më kanë ndihmuar për regjistrimet e këtyre këngëve, ku artistët janë nga Shqipëria, Danimarka dhe Zvicra. Janë realizuar 49 këngë nga 51, të cilat janë tani në dy CD. Unë kam kënduar  dy këngë në "Dialogun mes kulturave" para tri vitesh dhe një kineze erdhi tek unë e më tha: "Faleminderit, faleminderit shumë, se po më kujton babain tim teksa i këndonte këto këngë, kur unë isha e vogël. Faleminderit! Si mundem unë ti marr këto këngë"? Por unë nuk i kam patur notat muzikore të këtyre këngëve, kështu që i kërkova dhe notat muzikore i gjeta nëpërmjet vajzës së Lola Gjokës. Pianistja Rudina Ciko, më dha librin me notat muzikore të pianistes shqiptare Lola Gjoka. Kujtoj se më përpara unë kam lexuar historinë e Hamide Stringës , e vetmja biografi për Lola Gjokën dhe këngët e saj janë një hulumtim aq i bukur  dhe mendova që këto këngë që të dalin nga harresa, duhen risjellë.


Dale ne koncertin e Javes Kulturore Kineze (Foto CMG)

CMG: Ky ka qenë një projekt në bashkëpunim edhe me artistë shqiptarë?

Feride Istogu Gillesberg: Po dhe janë realizuar në Kopenhagen të Danimarkës. Komunikova me Zhani Cikon, i cili më ndihmoi me një grup të vogël nga Shqipëria dhe bashkë me një tenor danez  shumë të njohur në gjithë botën Stig Fogh Andersen, i cili ka kënduar dy duete me mua në shqip. U gëzova shumë për realizimin e këtij projekti. Për danezët është pak e vështirë që të mësojnë shqip, por këtë herë ja dolëm.

CMG: Keni në plan të organizoni edhe ndonjë koncert në Kosovë?

Feride Istogu Gillesberg: Shpresoj. Jam duke punuar në këtë drejtim.

CMG: Me artistët kinezë që ishin në koncert në Tiranë për Javën Kulturore Kineze, a shkëmbyet kontakte për bashkëpunime më tutje?

Feride Istogu Gillesberg: Ende jo, por shpresoj dhe kam shumë dëshirë, sepse në mendimet e kinezëve për ne janë; Se ne jemi si shtet, si popull më i madh sesa mendojmë vetë ne. Kinezët mendojnë se Shqipëria ka qenë vendi që e kanë dashur fort, që kanë patur marrëdhënie midis dy shteteve më herët. Dhe ajo artistja që më tha, "Faleminderit, se babai im i këndonte në shtëpi këto këngë" është e re në moshë, vetëm 20 vjeç.

CMG: Erdhët në Shqipëri, pranë publikut shqiptar, si e pritët këtë paraqitje?

Feride Istogu Gillesberg: Ishte moment shumë emocionues! Kisha merakun se mos e këndoja tekstin në kinezisht gabim, por doja të tregoja më tepër për historinë në kinezisht pa gabime.

CMG: Është pak gjuhë e vështirë, por ja arritët t'ja dilnit mbanë! Komplimentat e mia!

Feride Istogu Gillesberg: Shumë faleminderit!

CMG: Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Feride Istogu Gillesberg: Si përfaqësuese e Institutit Schiller në Danimarkë, po përpiqem që të mbaj koncerte, por janë diçka që nuk mund t’i tregoj përpara se të vërtetohen.

CMG: Ndërkohë po punoni për diçka tjetër?

Feride Istogu Gillesberg: Gjithmonë!

CMG: Për cilin shtet po punoni?

Feride Istogu Gillesberg: Këtë herë për Suedinë.

CMG: Ishte kënaqësi kjo intervistë dhe të uroj shumë suksese e dashur! Shpresoj që të shihemi në evente të tjera.

Feride Istogu Gillesberg: Faleminderit dhe e përshëndes popullim tim të dashur. Unë erdha në Shqipëri për Javën Kulturore Kineze ku këndova një këngë në kinezisht, por erdha gjithashtu që të merrja dhe emocionet nga populli im. Unë kam shumë shpresë se marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë e kanë një fillim të ri në parimet e reja, ku Kina është duke u zhvilluar shumë shpejt dhe kam shumë dëshirë që edhe vendi ynë të zhvillohet si nga ana kulturore ashtu edhe nga ana ekonomike. Dhe mendoj se rinia nuk do ketë vetëm shpresën, por do ketë mundësi të jetojë në vendin e vetë, për të zhvilluar edhe më tepër vendin tonë.

 

Intervistoi: Sava Lena