Foto e përbashkët pas koncertit në sheshin Skënderbej (Foto Facebook)
Në kuadër të Javës Kulturore Ndërkombëtare 2022, nisi ditën e hënë më datë 26 shtator, Java Kulturore Kineze nën moton “Shqipëria mikpret Kinën”e cila vazhdoi me larmi aktivitetesh të ndryshme të bashkëorganizuar nga Ambasada Kineze, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, dhe Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës. Kjo javë artistike nisi ditën e hënë me aktivitetin e parë, “Duke përjetuar Taiji Kineze” ku 3 mjeshtra kinezë dhe një shqiptar paraqitën magjinë e arteve marciale të Kinës, për të vazhduar me hapjen e ekspozitës fotografike më datë 27 shtator, duke qëndruar e hapur deri ditën e djelë më 2 Tetor 2022 pranë Muzeut Historik Kombëtar. Aktivitete të tjera ishin koncerti i mbajtur në Katedralen Ortodokse me artistë shqiptarë dhe kinezë, për të vijuar me Festivalin e kulinarisë kineze, si dhe koncertin përmbyllës në sheshin “Skënderbej”, me shfaqjen e kulturës kino-shqiptare.
Një shkëmbim i artit, takimi i kulturave të ndryshme, ishte e veçanta e këtyre aktiviteteve artistike të shpalosura në një javë. Të gjitha eventet janë ndjekur nga Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, personalitete të politikës dhe artit, përfaqësues nga Bashkia e Tiranës, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, artistë, qytetarë dhe turistë të huaj të cilët shprehën një interes mjaft të madh, duke shijuar artin dhe kulturën kineze, por edhe duke fiksuar foto e video nga ato momente të bukura e të veçanta që zbukuruan qytetin.
Koncerti festiv që mbylli Javn e Kulturës Kineze në Tiranë nisi me grupin e kërcimit, Book of song-“Picking Ferns” për të vijuar me interpretimin e pjesës “Agimi i pranverës në malin e dëborës”.
Mbrëmjen e së premtes u ngjitën në skenë shumë artistë kinezë si këngëtarë, kërcimtarë dhe instrumentistë, pr interpretuan edhe artistë shqiptarë si sopranoja shqiptare Feride Istogu Gillesberg, e cila interpretoi një këngë tradicionale popullore kineze. Grupi Sino-Shqiptar solli këngën “Hëna përfaqëson zemrën time”, një këngë klasike pop -kineze gjerësisht e njohur dhe një nga këngët kineze më të kënduara në komunitetin kinez në mbarë botën, por e kënduar dhe në gjuhët japoneze, koreane indoneziane, angleze,franceze dhe ruse me tekste të përshtatura.
Alban Tahiri, violina e parë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, si dhe përgjegjës i orkestrës dhe i korit të ansamblit ka treguar për Grupin Mediatik të Kinës për këtë bashkëpunim me artistët kinezë në Javën Kulturore Kineze.
Alban Tahiri dhe grupi i Ansamblit (Foto CMG)
CMG: Ju sapo performuat në sheshin "Skërderbej" në koncertin e Javës Kulturore Kineze. Si erdhi ky bashkëpunim?
Alban Tahiri: Bashkëpunimi ishte shumë i frytshëm i kulturës tonë me atë kineze dhe mendoj se është një gjë e mirë, një shkëmbim eksperience. Gjithashtu ishim dhe në një koncert te Kisha Ortodokse, e cila shkoi shumë mirë. Ishte diçka pozitive e realizuar shumë mirë në kompleksin e mësimit të valles tonë, një mësim të dyja palët, si edhe vallen kineze që e interpretuan vallëtarët tanë. Kjo ishte diçka e veçantë.
CMG: Ishte hera e parë që bashkëpunonit me grupin artistik të Kinës?
Alban Tahiri: Me grupin artistik të Kinës është hera e parë që bashkëpunojmë. Kujtoj këtu se shumë vite më parë, rreth 10 vite më parë kemi qenë në një koncert, por nuk ka patur lidhje me këtë që u realizua tani, kjo është komplet tjetër gjë.
CMG: Sa kohë ju desh grupit shqiptar për t’u përgatitur për këtë koncert ?
Alban Tahiri: Na u deshën rreth 10 ditë punë për të gjetur se kush ishin pjesët për t’i realizuar. Më tepër kishte punë pjesa e koreografisë, se kishim edhe një orkestrale në bashkëpunim, por pjesa e koreografisë ka pak vështirësi sepse ata vijnë nga një kulturë tjetër. Ne bëmë diçka nga Shqipëria e mesme, që ishte pjesa e valles "Laje, laje kryt si rosa", gjithashtu ishte dhe një pjesë nga ana e tyre, "Hëna përfaqëson zemrën time", një këngë tradicionale kineze, siç kemi dhe ne këngët tona emblemë si "Lule borë" etj, ashtu ishte dhe kënga e grupit artistik kinez.
CMG: Sa ngjasonin me njëra- tjetrën këto materiale ?
Alban Tahiri: Ajo ishte si një baladë mund të them.
CMG: Si do i përkufizonit ju shfaqjet që janë organizuar për Javën Kulturore Kineze?
Alban Tahiri: Mendoj se është diçka pozitive, jo vetëm bashkëpunimi me Kinën, por kjo është gjë e mirë shkëmbimi i eksperiencave artistike me çdo shtet. Kemi bërë më përpara si ansambël shumë koncerte jashtë vendit, por shkëmbimi i experiences, duke realizuar diçka bashkë. Kjo është veçantia e kësaj Jave Kulturore Kineze.
CMG: I keni shkëmbyer kontaktet me artistët kinezë, për të vazhduar bashkëpunimet edhe më tutje?
Alban Tahiri: Po, patjetër. Mbase mund të kemi bashkëpunime të tjera, nuk diskutohet. Ne jemi të hapur gjithmonë dhe ishte kënaqësi për ne që të merrnim pjesë dhe të shijonim diçka pozitive, që bëhej për herë të parë.
Intervistoi: Sava Lena