Të huajt kanë investuar 931 milionë euro prona në Shqipëri
2022-10-02 13:15:57

Foto: RTSH    

Të huajt kanë investuar rreth 83 milionë euro në prona në tremujorin e dytë të këtij viti, duke regjistruar kështu një rekord të ri historik, raporton “RTSH”. 

Në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti, shifra totale e investimit të të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri fiksohet pranë 142 milionë eurove.

Sipas shifrave zyrtare, krahasuar me 6 muajt e parë të vitit të kaluar, rritja fiksohet pranë 79.7%. Krahasuar me vitin 2019-të, para pandemisë, të huajt kanë investuar për prona në Shqipëri rreth 181% më shumë.

Deri në 6-mujorin e parë të këtij viti, stoku total i investimeve të të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri fiksohet në 931 milionë eurove. 

Në tremujorin e parë të vitit 2014 kjo shumë ishte vetëm 75 milionë eurove. Kjo shifër përkthehet në rreth 5% të PBB-së së vendit. 

Nëse do ta krahasonim me totalin e tregut, pronat e të huajve në Shqipëri, përfaqësojnë rreth 1.6% të tij. Aktorë të tregut shprehen se tendenca për blerje nga të huajt, sidomos në zonat bregdetare, dhe veçanërisht nga vendet e Europës lindore ka qenë në rritje të ndjeshme gjatë 2 viteve të fundit. 

Kjo tendencë ka nxitur së tepërmi sektorin e ndërtimit dhe të “real estate”, duke shtyrë gjithashtu për një rritje të çmimeve, duke qenë se kërkesa është e lartë dhe e qendrueshme. (Irma)