Ambasadori Kinez Zhou Ding bashke me artistet shqiptaro-kinez (Foto CMG)
“Java Kulturore Kineze” solli për publikun shqiptar një koncert me valle tradicionale shqiptare dhe kineze. “Ndryshime në art, miqësi në zemër” ishte eventi interaktiv që mblodhi bashkë artistët kinezë me artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke përjetuar shkëmbimet e muzikës dhe kërcimeve në skenë. Të pranishëm në këtë koncert ishin Ambasadori i Kinës Zhou Ding, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Keti Luarasi, Drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore Sokol Marsi, artistë dhe personalitete të atit dhe kulturës. Drejtori i ansamblit kombëtar Sokol Marsi u shpreh për mikrofonin e Grupit Mediatik të Kinës se artistët nga Kina në bashkëpunim me artistët e Ansamblit kombëtar performuan në një mbrëmje jo të zakonshme.
Artistet kinez ne skene gjate nje performance (Foto CMG)
“Në kuadrin e javës kulturore kineze, ansambli në bashkëpunim me një përfaqësi artistësh që kanë ardhur nga Kina performuan në një mbrëmje jo të zakonshme, për arsye se një pjesë e grupit të valleve me në krye koreografin e ansamblit kombëtar, trajnuan dhe mësuan një valle rituale nga Shqipëria e mesme, e cila është Vallja e rosave, siç quhet në këtë trevë. Pasi ta kenë mësuar do të performojnë së bashku vallëtarët e trupës kineze me valltarët e ansamblit kombëtar. Po kështu kishim dhe një instrumentale shqiptare, një kaba nga jugu i Shqipërisë, e cila siç dihet është një nga instrumentalet më me shumë vlera në folklorin tonë dhe erdhi në fund në formën e një Valleje Pogonishte, të organizuar së bashku, artistët shqiptarë me artistët kinezë. Ky është dhe lajtmotivi dhe qëllimi i kësaj mbrëmje në bashkëpunim me artistët kinezë, por dhe në koncertin në sheshin Skënderbej kemi një gjë shumë të veçantë, një nga këngët më të bukura dhe të famshme kineze siç kanë shqiptarët “Lule borë”, e cila do të performohet nga orkestra e ansamblit kombëtar së bashku me dy instrumentistë kinezë, dhe do të bëhet një orkestër e përbashkët, pra është një numër shumë interesant” – tha Marsi
Liliana Cingu duke performuar nje valle kineze me artistet kinez (Foto CMG)
CMG: Artistët nga Kina do të vishen me kostume popullore tradicionale shqiptare gjatë performancës?
Sokol Marsi: Po, në koncertin në shesh disa nga artistët kinezë do të veshin disa nga kostumet tona dhe do të performojnë së bashku.
CMG: Folku shqiptar ndryshon me folkun kinez?
Sokol Marsi: Po sigurisht që ndryshon dhe jemi shumë larg me Kinën, por ndoshta tradicionalisht bashkëpunimi i Shqipërisë me Kinën ndër vite ka qenë shumë i madh. Kjo ka bërë që edhe më përpara kanë ardhur artistë kinezë si dhe përfaqësi të ndryshme nga Kina, intelektualë që siç e dimë edhe para viteve 90-të, që kanë sjellë kulturën e tyre. Po kështu edhe shqiptarët që kanë shkuar në Kinë për t’u shkolluar, por dhe për të ushtruar aktivitetin e tyre kanë çuar folklorin tonë aty. Sigurisht që gjëra të përbashkëta përsa i përket në thelb nuk kemi, por kemi të përbashkët mënyrën e organizimit dhe të trajtimit të veprave, sigurisht masivitetin sepse edhe veprat kineze kanë masivitet, por dhe ato shqiptare kanë masivitet sidomos vallet shqiptare.
Performance e valles shqiptare nga artistet kinez dhe shqiptar (Foto CMG)
CMG: Artistët kinezë i mësuan shpejt vallet shqiptare?
Sokol Marsi: Ne bëmë një trajnim të vogël në studiot e ansamblit dhe ishte shumë interesante sepse direkt herën e parë ata u futën në ritmet e valles sonë të jugut dhe e kapën shumë mirë, performuan shumë mirë menjëherë.
Ikona e valles shqiptare Liliana Cingu e cila ishte e pranishme në sallë, emocionoi publikun kur u ngjit në skenë për të performuar një valle tradicionale kineze bashkë me artistët e të dy vendeve.
“Të them të drejtën kjo ardhja ime sot, një ftesë shumë speciale ishte për mua sepse kujtova vitin 1973 kur ishim në Kinë me ansamblin. dhe ishte një pritje madhështore ku shkëmbyem vërtetë shumë kulturë dhe art atëherë, por dhe kjo shfaqja e sotme ishte një shkëmbim kulture me vallet tona, duke parë dhe vallet e grupit artistik të Kinës. Takimi im me ambasadorin e Kinës bashkë me bashkëshorten e tij ishte një shkëmbim shumë i bukur sepse u ngjita në skenë dhe debutova edhe unë bashkë me grupin, kërceva aq sa munda por dhe një lule e bukur nga vetë ambasadori kinez bashkë me gruan që më dhuruan në këtë mbrëmje të bukur. Jam shumë e lumtur që ky brez i ri di se çfarë bën, ky brez i ri ecën përpara dhe e do vallen e bukur”- u shpreh valltarja Cingu
Artistja e grupit artistik kinez Wang Lin u shpreh për mikrofonin e Radio Ejani se është një emocion i madh performanca me artistët shqiptarë.
“Unë u ndjeva shumë mirë dhe isha shumë e emocionuar. Ne kemi mbërritur dje, dhe dolëm nëpër qytet ku pashë shumë flamuj kinezë, si dhe pashë dikë që të më përshëndeste në gjuhën kineze. Njerëzit këtu janë shumë miqësorë. Ne sot performuam dhe këtë herë ishim më të relaksuar sepse mund të ndjenim që spektatori ishte shumë miqësor dhe vallëtarët e muzikantët janë të mrekullueshëm. Unë mendoj se kjo shfaqje është shumë emocionuese dhe një eksperiencë e madhe të performojmë këtu”, u shpreh artistja nga Kina
Artistja kineze Wan Lin ne interviste per CMG
Sopranoja nga Danimarka Feride Istogu Gillesberg që ishte e pranishme në këtë koncert u emocionua nga performanca e të dy vendeve. “Unë kam ardhur për javën e kulturës kineze, dhe mendoj se kjo shfaqje ishte aq e bukur sepse dialogu në mes kulturave është qendra për të krijuar marrëdhëniet midis njerëzve” – tha Gillesberg.
Gazmend Agaj