Bullgaria miraton Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë
2022-10-01 14:39:57

Foto: ATSH

Këshilli i Ministrave i Bullgarisë miratoi projektmarrëveshjen për sigurimet shoqërore midis Bullgarisë dhe Shqipërisë dhe autorizoi zëvendëskryeministrin në detyrë për Politikat Sociale dhe Ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, Lazar Lazarov, për ta nënshkruar atë, raporton “ATSH”.

Traktati rregullon sigurimin e punësimit në të dy vendet si dhe procedurën për dhënien dhe pagesën e përfitimeve të sëmundjes dhe lehonisë, përfitimet për aksidentet dhe sëmundjet në punë, pensionet, pensionet e invaliditetit për shkak të sëmundjeve të përgjithshme, pensionet e invaliditetit për shkak të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale dhe pensionet e të mbijetuarve.

Pasi të nënshkruhet, marrëveshja duhet të ratifikohet nga Asambleja Kombëtare për të hyrë në fuqi. (Irma)