Kryeministri Rama: Fasha 800 kw nuk do të hyjë në fuqi më 1 tetor
2022-10-01 13:20:09

(Foto Facebook kryeministri Edi Rama)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se fasha 800 kw e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë nuk do të hyjë në fuqi më 1 tetor.

Në një video të postuar në “Facebook”, kryeministri Rama tha se më 1 shtator kur u vendos për fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kw, kërkesa për energji nga KESH-i ishte rreth 17.000 kwh, ndërsa sot është rreth 11.000 kwh. Po ashtu ai theksoi edhe për përmirësimin e nivelit në hidrocentralin e Fierzës, prej reshjeve të fundit të shiut. Sipas kryeministrit Rama, duke bërë një analizë të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, mbi të gjitha familjet, u vendos që aplikimi i fashës 800 kw mos të hyjë në fuqi në muajin tetor.

Kryeministri Rama u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të vetëdijshëm për të kursyer sa më shumë energji. Ai kërkoi bashkëpunim, që ashtu si me pandeminë, të gjithë t’ia dalim ta kalojmë këtë situatë të vështirë që ka mbërthyer gjithë Evropën. (Irma)