U inaugurua në Tiranë “Shtëpia e Futbollit”. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.
Vizita e Infantino-n përkon dhe me 90-vjetorin e anëtarësimit të FSHF-së në FIFA.
Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, presidenti Infantino diskutoi edhe për mënyrat se si qeveria mund të mbështesë zhvillimin e futbollit shqiptar përmes investimeve në infrastrukturën sportive, përcjell “RTSH”.
“Më në fund, jemi në shtëpi. Në shtëpinë tonë të madhe të përbashkët. Jemi në shtëpinë që hap dyert për administratën të Federatës së Futbollit, arbitrat, trajnerët e për ekipet kombëtare që do të stërviten në stadiumet e ambientet e ndërtuara enkas për to”,- deklaroi Duka, i cili e konsideroi “Shtëpinë e Futbollit”, si një vlerë të shtuar infrastrukturore.
Infantino vlerësoi përshpejtimin dhe ndryshimin e rëndësishëm brenda dekadës së fundit në futboll në Shqipëri. “Kjo infrastrukturë është një spektakël, që është i rëndësishëm jo vetëm për rajonin e Ballkanit, jo vetëm për Europën, por aq i rëndësishëm në nivel botëror, pasi tregon se një vend si Shqipëria është mirëfilli e projektuar drejt së ardhmes, drejt modernizmit dhe stadiumi është një simbol”,- tha Infantino. (Irma)