Shija e kuzhinës kineze dhe muzika tradicionale përmbyllin Javën e Kulturës Kineze
2022-10-01 14:44:42

Foto:CMG

Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u përmbyll të premten në mbrëmje Java e Kulturës Kineze, me panairin e kulinarisë, një hapësirë dedikuar ushqimeve të shijshme kineze, organizuar nga Ambasada e Kinës në Shqipëri, Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë.

Në sheshin e mbushur plot me qytetarë shqiptarë dhe turistë të huaj që vizitojnë Tiranën në këtë sezon ishin vendosur stenda me libra dhe ushqime. Ata shijuan shumëllojshmërinë e ushqimeve kineze, çajin kinez, por edhe librat dhe revistat.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, i cili vizitoi disa prej stendave me asortimente të ndryshme. Po ashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Bashkia Tiranë, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, artistë, qytetarë dhe turistë të shumtë.


Foto: CMG

Me një shesh të zbukuruar me fanarë të kuq dhe flamuj të Kinës, në prag të Ditës Kombëtare të Kinës, më 1 tetor, Tirana mirëpriti dhe koncertin e bashkorganizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore shqiptare dhe artistë kinezë të ardhur nga Britania, duke ngrohur atmosferën me hijeshinë e lëvizjeve dhe performancës së tyre nën ritmet e muzikës tradicionale kineze dhe shqiptare. (Irma)