Ekziston një lidhje pozitive midis sportit dhe të mësuarit. Fëmijët që kombinojnë aktivitetin fizik me studimin kanë performancë më të mirë në shkollë. Janë realizuar disa studime, një prej të cilëve është botuar edhe në revistën mjekësore “Journal of Sport and Science”, ku është realizuar një analizë me 56 vajza të moshës 15-16 vjeç, të ndara në dy grupe dhe të monitoruara për gjashtë javë: grupi i parë mori pjesë në një trajnim, ndërsa grupi tjetër mori vetëm rekomandime për aktivitete fizike. Rezultatet zbuluan se vajzat që morën pjesë në trajnim ishin në gjendje të rritnin performancën e tyre në shkollë në krahasim me pjesën tjetër.
Alma Osmani me një trofe (Foto persoale)
Alma Osmani, pedagoge në Departamentin e Edukimit Fizik në Universitetin e Tiranës ka një përvojë 22 vjeçare në këtë fushë dhe në vitin 1996 ka punuar si trajnere basketbolli tek Qëndra Sportive private “Sonja Basket Center” ku vazhdon ende sot. Ajo ka marë pjesë më shumë aktivitete sportive si brenda ashtu edhe jashtë vendit me fëmijë dhe studentë. Alma ka qenë basketbolliste për 20 vite me ekipin “Studenti” dhe kjo për të është një periudhë e artë. Ajo e konsideron aktivizimin me sport, si një ëndërr që ja ka mbushur shpirtin plot.
Ajo vazhdon të jetë e lidhur tërësisht me sportin. Edukon fëmijët nga moshat më të vogla dhe deri tek studentët, të cilët për të janë gjithçka, janë pjesë e jetës së saj. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Alma Osmani pedagoge e Edukimit Fizik në Universitetin e Tiranës, na tregon për dashurinë për sportin në përgjithësi, por edhe basketbollin në veçanti, si edhe përfitimet e fëmijëve nga aktivitetet sportive.
Alma dhe femijet(Foto personale)
CMG: Çfarë rëndësie ka aktivizimi i fëmijëve me sport?
Alma Osmani: Në një kohë të tillë me plot shqetësime aktivizimi i fëmijëve në sport mund të cilësohet si një lëvizje që kërkon ndryshime pozitive në shoqërinë shqiptare dhe fëmijët duhet të merren me sport dhe të jenë aktivë në çdo kohë. Sporti dhe aktivitetet sportive i bëjnë fëmijët më të shkathët, më të fortë dhe të barabartë me njëri-tjetrin, si dhe ndikojnë në forcimin e shoqërisë dhe miqësisë midis tyre. Sporti është kulturë është jetë. Tek fëmijët sporti është i domosdoshëm sepse shkarkon energji, ka dëshirën për të luftuar dhe po ashtu argëtohet duke mësuar një sport të caktuar, fiton eksperiencë, afirmohet, krijon identitet, perfeksion, aftësitë e tij, shijon kënaqësinë që i jep gëzimi pas sukseseve si dhe kënaqësinë e udhëtimeve me shokët e skuadrës.
CMG: A është rikthyer kultura sportive në Shqipëri ?
Alma Osmani: Unë mendoj që kultura sportive është rikthyer. Shikoj që prindërit janë të interesuar që fëmijët e tyre të merren me sport. Krahas mësimeve dëshirojnë që të aktivizohen edhe me sport dhe në çdo shkollë komunitare pas mësimit palestrat mbushen plot me fëmijë që stërviten në çdo ditë të javës. Fëmijët mezi presin të stërviten e nga aty sigurisht spikaten talente. Kanë kuptuar sesa i dobishëm është aktiviteti sportiv për një jetë të shëndetshme dhe aktive. Në ditët e sotme çdo njeri e shohim duke kryer aktivitet sportiv.
CMG: Fëmijët që angazhohen me sport, a janë më të lumtur dhe kanë më shumë vetëbesim se fëmijët që nuk aktivizohen me sport?
Alma Osmani: Fëmijët që angazhohen me sport kanë më shumë vetbesim sesa pjesa tjetër, pasi sporti të ndihmon që të luftosh më shumë për të arritur më të mirën dhe të ndjekësh rrugën drejt suksesit ashtu siç edhe jeta na detyron të bëjmë. Ata fëmijë të cilët merren me sport dallohen nga ata që nuk merren me aktivitet sportiv.
CMG: A ndihmon sporti në krijimin e personalitetit?
Alma Osmani: Patjetër që po. Sporti të ndihmon në krijimin e personalitetit. Siç përmënda edhe më lart, të gjithë ato faktorë ndikojnë në formimin fizik, mendor dhe personalitetin. Në jetën sportive ka shumë momente që ndikojnë si në anën pozitive po ashtu edhe negative. Një rëndësi të veçantë ka edhe motivimi në sport, si një nga karakteristikat më themelore e kohëve moderne. Trajneri di t’i dallojë fare mirë ata famijë të cilët kanë motiv dhe po ashtu ata të cilët janë të pamotivuar.
Ekipi i vajzave (Foto personale)
CMG: Si është ecuria në mësime e fëmijëve që angazhohen me sport?
Alma Osmani: Ecuria në mësime te këta fëmijë vjen duke u rritur pasi sporti e bën jetën e tyre më të lumtur e më të larmishme, kështu që kjo gjë sjell vetëm motivim përgjatë gjithë ditës, javës apo muajve. Ata duhet të mësojnë shumë mirë dhe të kenë rezultate të larta, që dhe sportin ta vazhdojnë e të mos kenë probleme dhe me prindërit të cilët duan që fëmija i tyre të shkëlqejë kudo.
Në disa vende, ata që luajnë sport “shpërblehen” për hyrjen në universitet. Në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të Evropës (sidomos në Veri) edukimi fizik ka të njëjtën vlerë si disiplinat e tjera, ndërsa në Shqipëri aktiviteti sportiv shpesh vlerësohet si kohë e çmuar e marrë nga shkolla. Pra një “kulturë sportive” është e nevojshme sidomos për fëmijët që kalojnë kohë para TV dhe pajisjeve të tjera elektronike.
Gjithashtu aktiviteti fizik, përmirëson performancën në shkollë, ndihmon në ndërtimin e kockave dhe muskujve, ruajtjen e një zemre të shëndetshme, lufton ankthin dhe depresionin, si dhe ruan një peshë kostante.
Sipas shumë studimeve, stërvitja në moshë të re mund të ndikojë në fiziologjinë e trurit dhe përmirësojë vëmendjen, përpunimin, ruajtjen dhe rikthimin e informacionit tek fëmijët.
Kontribuon në relaksim afatshkurtër, jep kreativitet më të madh, një humor më të mirë dhe aftësi më të mira për zgjidhjen e problemeve.
Mësuese Alma me nxënëset e saj (Foto Personale)
Ofron më shumë mundësi për të patur në marrëdhënie pozitive me të rriturit, duke ndihmuar kështu në ndërtimin e karakterit të tyre. Ndihmon për të kontrolluar emocionet, siguron vetëvlerësim më të madh, i cili gjithashtu mund të parandalojë probleme të tilla si mbipesha, apo përdorimi i drogave ilegale.
Një tjetër hulumtim tregon se fëmijët kurrë nuk duhet të përjashtohen nga ushtrimi i sportit, edhe nëse duket se kanë mbetur prapa në zhvillimin fizik ose njohës. Besimi i një fëmije në vetvete do të rritet thjesht sepse ai luan dhe ndërvepron me shokët e klasës dhe të rriturit. Të gjithë llojet e sportit kanë përfitimet e tyre, prandaj është mirë që disa prej tyre të kombinohen me njëra- tjetrën në mënyrë për të bërë zgjedhjen e duhur për fëmijët tuaj.
Nëse flasim për notin, "në ujë fëmija ndihet si në shtëpinë e tij, duke qenë se ka jetuar me të nëntë muajt e parë të jetës”. Kështu shprehen të gjithë pediatrët në mbarë botën dhe ky sport, pra noti këshillohet që në moshën 3 vjeç. Në krahasim me sportet e tjera basketbolli dhe volejbolli janë aktivitete të plota sportive, që vënë në lëvizje si këmbët ashtu edhe gjymtyrët e sipërme të trupit të fëmijët tuaj; zgjasin shtyllën kurrizore dhe forcojnë muskujt. Stimulojnë shpirtin e të luajturit në grup ndërsa zhvillojnë saktësinë dhe shkathtësinë.
Ndërsa artet marciale mund të jenë të dobishme për fëmijët e turpshëm dhe pa vetëbesim; taiji, karate, judo, mund t’i bëjë ata të kenë besim në aftësitë e tyre në një kohë që mund të kontrollojnë edhe agresivitetin që disponojnë. Trupi i tyre do të ndihet më i zhdërvjellët nëse praktikojnë këto arte.
Intervistoi: Sava Lena