Vendimi i “Apple” në Indi nuk rivalizon me aftësitë prodhuese të Kinës
2022-09-30 16:10:42

Ekspertët thonë se tregu gjigant i brendshëm i Kinës, një ekosistem që lulëzon rreth një tregu kaq të madh, dhe zinxhirët efikas të furnizimit janë tërheqës për gjigantët e teknologjisë si “Apple”. Sipas tyre, edhe pas njoftimit të kompanisë amerikane se do të nisë montimin e disa prej telefonave inteligjentë të saj më të fundit iPhone 14 në Indi, nuk do të zbehet pozicioni i rëndësishëm i Kinës në zinxhirin global të elektronikës së konsumit, pasi kjo e fundit ka avantazhe të shumta

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Vendimi i “Apple Inc” për të filluar montimin e disa prej telefonave inteligjentë të saj më të fundit iPhone 14 në Indi nuk do të zbehë pozicionin e rëndësishëm të Kinës në zinxhirin global të elektronikës së konsumit, pasi kjo e fundit ka avantazhe të shumta, si zinxhirët e furnizimit me efikasitet, talentin e avancuar të prodhimit dhe një ekosistem të lulëzuar celularësh, bënë të ditur ekspertët.

 

Komentet erdhën pasi “Apple” bëri të ditur përmes një deklarate se kompania amerikane është e ngazëllyer që do të prodhojë iPhone 14 në Indi. Lajmi erdhi më pak se tri javë pas zbulimit të iPhone 14.

 

Bai Ming zëvendësdrejtor i kërkimit të tregut ndërkombëtar në Akademinë Kineze të Tregtisë Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit Ekonomik, tha se tregu gjigant i brendshëm i Kinës, një ekosistem që lulëzon rreth një tregu kaq të madh, dhe zinxhirët efikas të furnizimit janë tërheqës të mëdhenj për gjigantët e teknologjisë si “Apple”.

 

Sipas Bai, një kombinim i tillë avantazhesh është diçka që vendet si India dhe Vietnami nuk e gëzojnë.

 

Wei Jianguo, nënkryetar i Qendrës Kineze për Shkëmbimet Ekonomike Ndërkombëtare, deklaroi se zinxhiri industrial për telefonat inteligjentë përfshin të gjithë procesin, që nga furnizimet e lëndëve të para dhe dizajni deri te montimi përfundimtar. Gjatë këtij procesi, zinxhiri përfshin mbështetje si nga digjitalizimi ashtu edhe nga teknologjia e lartë. Bashkëpunimi efikas i lidhjeve dhe sistemeve të shumta i jep përparësi të mëdha në veçanti sektorit të prodhimit në Shenzhen, (Shenxhen) në provincën kineze Guangdong .

 

Kina ka një ekip të nivelit të lartë, të sofistikuar dhe fleksibël punëtorësh të kualifikuar. Ky grup talentesh përfshin jo vetëm punëtorë migrantë, por edhe inxhinierë, staf për kërkimin dhe zhvillimin dhe personel projektimi, të cilët janë angazhuar në tregti për një kohë të gjatë, kanë përvojë të pasur dhe mund t'i përgjigjen shpejt ndryshimeve në tregun global, tha Wei.

 

Sipas ekspertëve, edhe nëse “Apple” zgjeron njëfarë prodhimi në Indi, ajo nuk e zvogëlon peshën e prodhimit të Kinës në zinxhirët e furnizimit të gjigantit të teknologjisë amerikane, duke pasur parasysh avantazhet e mësipërme.

 

“JPMorgan” parashikoi në raportin e fundit se “Apple” pritet të zhvendosë rreth 5 për qind të prodhimit të iPhone 14 nga fundi i vitit 2022 në Indi, që është tregu i dytë më i madh në botë i smartfonëve pas Kinës.

 

Në raport parashikohet gjithashtu që rreth 25 për qind e të gjitha produkteve të “Apple”, përfshirë “Mac”, “iPad”, “Apple Watches” dhe “AirPods”, të prodhohen jashtë Kinës deri në vitin 2025 nga 5 për qind që është aktualisht.

 

Yao Jun, nënkryetari i departamentit të planifikimit në Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, tha më herët se megjithëse disa ndërmarrje të financuara nga jashtë po ndryshojnë planin e tyre të biznesit, ritmi i përgjithshëm i investimeve të huaja në Kinë nuk është ngadalësuar dhe prodhimi mbetet një destinacion kyç për investime të huaja në vend.

 

Yao tha se sektori i përparuar i prodhimit të Kinës, në fakt, është më tërheqës për burime të ndryshme fondesh. Nga janari deri në maj të këtij viti, përdorimi aktual i kapitalit të huaj në sektorin e prodhimit të teknologjisë së lartë të Kinës u rrit me 32.9 për qind nga viti në vit.

 

Ndërsa Kina vazhdon të lëvizë në zinxhirin industrial, është gjithashtu e natyrshme që shumë kompani shumëkombëshe të ripërshtatin degët e tyre lokale për t'u fokusuar në prodhimtarinë e nivelit të lartë, shtuan ekspertët.

 

Deuk-Kyu Hwang, president i “Samsung Greater China”, deklaroi në një forum së fundmi se “Samsung China” është bërë plotësisht një ndërmarrje e pajisjeve të nivelit të lartë dhe zinxhirit të furnizimit, si dhe është integruar plotësisht në sistemin e zinxhirit të furnizimit kinez.

 

“Me një sistem të plotë të mbështetjes së zinxhirit të furnizimit, Kina është e pozicionuar mirë për t'u përballur me pasiguritë globale”,- tha ai, duke shtuar se tani 60 për qind e partnerëve të “Samsung” janë të vendosur në Kinë dhe prokurimet vjetore lokale të kompanisë janë rreth 14 miliardë dollarë.

 

Kompania bëri të ditur se ka investuar një total prej 51.4 miliardë dollarësh në Kinë, me 43 për qind të investimit në pesë vitet e fundit.