KESH-i nis fushatën e ndërgjegjësimit: Të kursejmë energji që ta kemi
2022-09-30 12:12:13

Ndërsa dimri është në prag, autoritetet shqiptare kanë nisur marrjen e masave për përballimin e situatës problematike energjetike, që ka prekur shumë vende evropiane.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për qytetarët, sipas së cilës të gjithë duhet të bëjnë detyrën e tyre për të kursyer sa më shumë energji.

“Mënyra e vetme për ta përballuar këtë sfidë të madhe është një dhe vetëm një: kursimi, nga çdonjëri prej nesh, çdo ditë, me veprime të vogla, por me impakt të madh”,- thuhet në videon promovuese të shpërndarë nga KESH-i.

Spoti promocional i korporatës sjell mesazhin: “Energjia nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se sot. Çdo veprim i yni në kursimin e energjisë, ka ndikim të madh, siguron më shumë energji elektrike për ditët e muajt në vazhdim. Të gjithë bashkë, mund ta ruajmë energjinë! Duhet ta bëjmë jo vetëm për veten, për ekonominë e shtëpisë por dhe për të mirën e Shqipërisë! Çdo vat që kursehet vlen, sidomos në faturën tonë elektrike, ku çmimin e lartë të energjisë së importuar në treg, për familjet dhe bizneset e vogla shqiptare do ta mbulojë qeveria”.

Po ashtu, fushata e sensibilizimit ka nisur edhe nëpër shkolla, për të edukuar brezin e ri me sensin e kursimit, që më pas ata mund t’ua përcjellin mesazhin familjarëve.

Në Shqipëri, për të gjithë konsumatorët që do të respektojnë masën e kursimit, fashën e 800 kilovat/orë shpenzim në muaj, çmimi nuk do të rritet. Kostot shtesë do t’i mbulojë shteti, edhe pse çmimet e energjisë që blihen sot në treg janë 10-fish më të shtrenjta krahasuar me vitet e mëparshme. Dhe Shqipëria ka nevojë të importojë, pasi rreth 70% e energjisë së prodhuar në vend që sigurohet nga KESH dhe 30% e saj që sigurohet nga prodhues privatë, arrijnë të mbulojnë vetëm 60% të nevojave vjetore, shkruan “RTSH”.

Vetëm në 8-mujorin e parë të këtij viti KESH ka shpenzuar 350 milionë euro, me qëllim që ta mbajë të pandryshuar çmimin që duhet të paguajnë qytetarët. (Irma)